Kushtet për pensionet e reja që i shtohen skemës në 2020

J L

Pranvera Kola

Rritja graduale e moshës dhe vjetërsisë kontributive për lidhjen e pensioneve të reja do të vijojë edhe përgjatë 2020-s. Sipas kushteve të përcaktuara në ligjin e sigurimeve shoqërore, rritja e moshës, si dhe e periudhës së sigurimit përcaktohet nga kategoria në të cilën grupohen punët e kryera nga përfituesit e rinj që do t’i shtohen skemës së pensioneve përgjatë vitit të ardhshëm. Për të përfituar të gjitha llojet e pensioneve të pleqërisë që parashikohen në ligjin“Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, personi i interesuar 1 vit para se t’i lindë e drejta për pension duhet të paraqesë kërkesën paraprake me shkrim pranë agjencisë lokale të sigurimeve shoqërore (ALSSH) tek inspektori pritës, e cila duhet plotësuar sipas formatit të përcaktuar, duke e shoqëruar edhe me dokumentacionin e duhur.

Kërkesa paraprake plotësohet nga vetë personi, ose i autorizuari prej tij me prokurë të posaçme, në prani të inspektorit pritës. Dokumentet e nevojshme që shoqërojnë kërkesën paraprake për pension janë: “fotokopje e librezës së punës, në mungesë të saj duhet deklaratë personale për vitet e punës, certifikatë lindjeje me fotografi, certifikatë martese për kërkueset femra. Kur me dokumentet që janë në dosje nuk mund të llogaritet përfitimi, dosja kthehet mbrapsht për plotësimin e saj  deri në plotësimin e kushteve të lidhjes së pensionit.

Ndryshimet e moshës dhe vjetërsisë së punës

Ekspertët e sigurimeve shoqërore bëjnë me dije se për punët që përfshihen në kategorinë e parë, për burrat mosha e daljes në pension për 2020-n shtohet me 6 muaj, ndërsa vjetërsia kontributive e kërkuar me 4 muaj. Në këto kushte për punët e kategorisë së parë, burrat dalin në pension në moshën 60 vjeç e 6 muaj, teksa duhet të kenë si periudhë sigurimi të konfirmuar 37 vite pune. Për punët që klasifikohen në kategorinë e dytë dhe të tretë mosha e daljes në pension nuk pëson ndryshime. Rritje në këtë rast do të ketë vetëm vjetërsia kontributive e kërkuar. Kështu, për të dyja këto kategori, burrat dalin në pension në moshën 65 vjeç, teksa duhet të kenë të konfirmuar 37 vite si periudhë sigurimi.

Gjashtë muaj rritje do të pësojë edhe mosha e daljes në pension për femrat që kanë kryer punë të kategorisë së parë. Për këtë kategori mosha e daljes në pension shkon në 58 vjeç e 6 muaj, ndërsa vjetërsia në punë nuk pëson ndryshime mbetet 35 vite të konfirmuara nga organet e sigurimeve shoqërore. Për profesionet e dy kategorive të tjera, mosha e pensionit për femrat rritet me dy muaj, ndërsa vjetërsia në punë me katër muaj. Kështu, mosha e daljes në pension për femrat që kanë kryer punë të kategorisë së dytë dhe të tretë përgjatë 2020-s do të jetë 61 vjeç, ndërsa periudha e sigurimit 37 vite të konfirmuara nga organet e sigurimeve shoqërore.

Llogaritja e pensionit të pleqërisë

Pensioni mujor i pleqërisë përbëhet nga një shumë bazë dhe nga një shtesë. Shuma bazë llogaritet si raport i periudhës së sigurimit, që ka realizuar personi, me periudhën e sigurimit të kërkuar, sipas tabelave të daljes në pension pleqërie, bazuar ne moshë dhe vite sigurimi, shumëzuar me pensionin social. Shtesa do të jetë 1 për qind për vit sigurimi shumëzuar me bazën mesatare të vlerësuar që personat e siguruar kanë arritur nëpërmjet kontributeve, gjatë gjithë historisë së tij kontributive. Shuma e përgjithshme e pensionit nuk mund të jetë më e vogël se pensioni social.

Personat që kanë periudha sigurimi kanë të drejtë për pension pleqërie të reduktuar, deri tre vjet para mbushjes së moshës së daljes në pension. Për të siguruar pensionin e reduktuar përfituesit nuk duhet të kryejnë veprimtari ekonomike si të punësuar, punëdhënës, ose të vetëpunësuar. Masa e pensionit të reduktuar të pleqërisë është pjesë e pensionit të pleqërisë dhe mbetet i reduktuar gjatë gjithë kohës së përfitimit. Ky pension llogaritet duke zbritur nga pensioni i pleqërisë shumën që del nga shumëzimi i numrit të muajve të përfitimit të pensionit para mbushjes së moshës, me koeficientin mujor të reduktimit. Koeficienti i reduktimit është 0.6  për qind në muaj.

Afatet e lidhjes së pensioneve të reja

Vendimi për caktimin e pensionit është akt juridik-administrativ që merret nga Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore në mbështetje të ligjit përkatës. Në vendim caktohet lloji i pensionit, masa e tij dhe afati i pagesës. Në vendim caktohet dhe afati i pagesës së pensionit, si vijon: Për pensionet e pleqërisë dhe për pensionin familjar, në rastet kur anëtari i familjes që përfiton pension është mbi moshën për punë që përcakton ligji, caktohet i përhershëm. Për të ardhurën shtesë për fëmijën në ngarkim dhe për kompensime të tjera që marrin edhe pensionet e pleqërisë, afati do të vendoset sipas rastit. Pensioni i invaliditetit caktohet deri në datën e mbarimit të afatit të vlerësimit të aftësisë për punë, me vendim të KMCAP-it. Ndërsa për pensionin familjar për jetimët, afati i pagesës caktohet deri në datën kur jetimi më i madh plotëson moshën 18 vjeç dhe për ata që janë mbi moshën 18 vjeç e vazhdojnë shkollën, deri në një muaj pas datës së fillimit të vitit të ri shkollor, por në asnjë rast më shumë se data e mbushjes të moshës 25 vjeç. Për të ardhurën shtesë për fëmijën në ngarkim, për personat që përfitojnë pension invaliditeti të plotë, sipas nenit 35 të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, vendoset data e plotësimit të moshës 18-vjeçare të fëmijës më të rritur.

GRATE/Kushtet e daljes në pension për 2020

 

                                         Kategoria I                 Kategoria II              Kategoria III

Mosha për pension             58 vite e 6 muaj           61 vite                         61 vite

Vjetërsia e punës                 35 vite                             37 vite                       37vite

 

BURRAT/Kushtet e daljes në pension për 202

                                         Kategoria I                 Kategoria II              Kategoria III

Mosha për pension            63 vite e 6 muaj          65 vite                         65 vite

Vjetërsia e punës                 37 vite                         37 vite                             37 vite

 

Dosja e dokumenteve që duhen për pension pleqërie

  1. Mosha
  • Certifikatë lindjeje me fotografi.
  • Certifikatë e gjendjes familjare.
  • Certifikatë martese (vetëm për kërkueset femra).
  • Kur kërkohet pension si nënë me shumë fëmijë dhe në certifikatën familjare nuk figurojnë
  • të gjithë fëmijët, fakti i lindjes, martesës, apo vdekjes së tyre provohet me certifikatë të veçantë
  • lindjeje, martese ose vdekjeje.
  • Fotografi për librezën e pensionit.
  1. Periudha e sigurimit dhe lloji i punës
  • Libreza e punës.
  • Vërtetim për vjetërsinë në punë dhe llojin e saj.
  • Vërtetim për periudhën e sigurimit të lëshuar nga zyra e arkivit pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore për punëdhënësit, të punësuarit, të vetëpunësuarit, të vetëpunësuarit në bujqësi dhe të siguruarit në mënyrë vullnetare, si dhe të siguruarit sipas vendimeve të Këshillit të Ministrave.
  • Vërtetim i vjetërsisë në punë në kooperativë bujqësore për ish-anëtarët e saj, para vitit 1992.
  • Vërtetim gjykate për njohje vjetërsie në punë.
  • Vërtetim i Degës Ushtarake për periudhën e kryerjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak.
  • Për personat që përfitojnë nga ligji nr.7514, datë 30.9.1991 “Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë”: dëshmi penaliteti, vërtetim për kohën e vuajtjes së dënimit, lëshuar nga Ministria e Rendit Publik, vërtetim për faktin e dënimit për motive politike dhe kohën e vuajtjes së tij, të lëshuar nga Komisioni i Ministrisë së Rendit Publik dhe Ministrisë së Drejtësisë.
  1. Të ardhurat
  • Vërtetim page sipas së cilës është derdhur kontribut që nga viti 1994 deri në momentin e lënies së punës, sipas formularit të miratuar.
  • Vërtetim i pagës mesatare neto për 10 vitet e fundit të punës.
  • Pasqyra e printuar e pagave referuese, sipas vendimit të Këshillit të Ministrave nr.561, datë 12.8.2005.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *