Kushtet për pensionet suplementare të ushtarakëve

Ornela

Pranvera Kola – DITA

Për të mos rrezikuar marrjen e pensionit në kohë, kërkesa për përfitimet e parakohshme për vjetërsi shërbimi, përfitimet e tjera suplementare të pleqërisë, invaliditetit, apo ato familjare, duhet të paraqiten një vit para nga koha e plotësimit të kritereve të përfitimit.

Në Manualin udhëzues mbi përfitimet të hartuar së fundmi, ekspertët e sigurimeve shoqërore saktësojnë se tërheqja e pensioneve suplementare për ushtarakët varet nga afatet e paraqitjes së kërkesës përkatëse. “Kujdes, për çdo përfitim, data e regjistrimit të kërkesës është e rëndësishme.

Personi, që kërkon përfitimet jo më vonë se 1 vit nga data kur i lind kjo e drejtë, përfitimi i paguhet nga data e lindjes së të drejtës. Në raste të tjera, përfitimi paguhet nga data e paraqitjes së kërkesës për përfitim”, detajohet në Manualin e ISSH, mbi kushtet e përfitimit nga skema suplementare e ushtarakëve.

Kjo skemë mbulon përfitimet suplementare të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të Punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit e të Punonjësve të Shërbimit dhe të Kontrollit të Brendshëm në si dhe Punonjësit e Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes në Republikën e Shqipërisë.

Pensioni i parakohshëm

Për të siguruar pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, mosha e kërkuar për burrat është 47 vjeç. Sa i takon vjetërisë së punës, për të dalë në pension këta persona duhet të kenë detyrimisht të njohura jo më pak se 15 vite shërbimi. Ndërsa për gratë mosha e daljes në pension të parakohshëm është 42 vjeç, të cilat duhet të kenë të dokumentuara jo më pak se 12 vite shërbimi.

Procedura e paraqitjes së kërkesës

Për të qenë pjesë e kësaj skeme sipas kritereve të përmendura, duhet që fillimisht të drejtoheni në Agjencinë Lokale të Sigurimeve Shoqërore ku ju keni vendbanimin, pranë të cilës do të pajiseni me dy kërkesa aplikimi. Një prej këtyre kërkesave që do ta plotësoni duhet ta paraqisni në strukturat nga ku keni ndërprerë karrierën ushtarake dhe keni dalë në rezervë, lirim, apo pension pleqërie.

Mbi bazë të kësaj kërkese, këto struktura dërgojnë në rrugë postare modelarin që ka të bëjë me të dhënat e kërkuara mbi vjetërsinë në shërbim dhe pagën mesatare neto referuese, të cilat përdoren më pas nga struktura rajonale e sigurimeve shoqërore ku ju keni vendbanimin për lidhjen e pensionit sipas kushteve të përcaktuara.

Ndërsa formati tjetër i kërkesës, po ashtu i plotësuar në të gjitha rubrikat, së bashku me dokumentet e tjera të kërkuara duhet që të dorëzohen pranë agjencisë suaj rajonale të sigurimeve shoqërore. Në të njëtën formë veprohet për të gjitha llojet e përfitimeve që mbulon skema suplementare e ushtarakëve.

Dokumentet që duhet t’i bashkëngjiten kërkesës për pension suplementar  

Krahas kërkesës, duhet të dorëzoni edhe një sërë dokumentesh të tjera, të detajuara sipas llojit të përfitimit suplementar për të cilin aplikohet. Konkretisht në Manualin e ISSH-së, saktësohet se për përfitimin e pensionit të parakohshëm, bashkë me kërkesën duhet të dorëzoni edhe:

“Fotokopjen e kartës së identitetit, deklaratën për punësimin (e përvitshme), vërtetim nga Zyra e Tatim-Taksave, vërtetim nga zyrat e punës si punëkërkues, vërtetim nga zyra e regjistrimit të pasurive. Ndërsa për përfitimin e pensionit suplementar të pleqërisë, bashkëlidhur kërkesës duhet të dorëzoni edhe një fotokopje të kartës identitetit. Ky dokument duhet të dorëzohet edhe në rastet kur aplikohet për pension suplementar invaliditeti.

Pensioni i invaliditetit ndërpritet për periudhat që pensionisti refuzon të vizitohet te komisioni i mjekëve ekspertë. Ky përfitim ndërpritet edhe kur pensionisti refuzon të marrë pjesë në kurset e kualifikimit dhe të rikualifikimit, në ripërtëritjen mjekësore dhe në trajtimin kundër alkoolit e drogës, që synojnë të reduktojnë aftësinë tij për punë.

Më tej bëhet e ditur se për përfitimin e pensionit suplementar familjar, duhet të dorëzoni edhe këto dokumente: “Certifikatë familjare, certifikatë e vdekjes së personit, fotokopjen e kartës së identitetit të përfituesit, vërtetim për vazhdimin e shkollës për jetimët që kanë mbushur moshën ligjore për t’u punësuar, deklaratë për punësimin apo aktivitetin ekonomik. Për përfitimin e pensionit suplementar familjar kur ushtarakët humbasin jetën në detyrë apo për shkak të saj, duhen edhe këto dokumente: “Certifikatë familjare, certifikatë e vdekjes së personit, fotokopje e kartës identitetit se përfituesit, vërtetim i vazhdimit të shkollës për jetimët, si dhe deklaratë për punësimin apo aktivitetin ekonomik”.

 

Llogaritja e pensionit të pleqërisë

Pensioni mujor i pleqërisë përbëhet nga një shumë bazë dhe nga një shtesë. Shuma bazë llogaritet si raport i periudhës së sigurimit, që ka realizuar personi, me periudhën e sigurimit të kërkuar, sipas tabelave të daljes në pension pleqërie, bazuar ne moshë dhe vite sigurimi, shumëzuar me pensionin social. Shtesa do të jetë 1 për qind për vit sigurimi shumëzuar me bazën mesatare të vlerësuar që personat e siguruar kanë arritur nëpërmjet kontributeve, gjatë gjithë historisë së tij kontributive. Në asnjë rast shuma e përgjithshme e pensionit nuk mund të jetë më e vogël se pensioni social.

 

 

Procedurat për t’u siguruar si i vetëpunësuar në bujqësi

Për një vit vjetërsie në punë në shtet një i vetëpunësuar në qytet paguan 64 400 lekë, ndërsa i vetëpunësuari në zonat fushore paguan 38 400 lekë në vit, dhe në zonat malore paguan vetëm 29 400 lekë në vit. Diferencat përkatëse prej 26 000 leke dhe 35 000 leke subvencionohen nga buxheti i shtetit

Në zonat malore përfshihen të vetëpunësuarit në bujqësi, që banojnë dhe ushtrojnë aktivitetin e tyre në Bulqizë, Dibër, Gramsh, Has, Kolonjë, Kukës, Librazhd, Malësi e Madhe, Mat, Mirditë, Pukë, Skrapar, Tepelenë dhe Tropojë. Në zonat fushore përfshihen të vetëpunësuarit në bujqësi, që banojnë dhe ushtrojnë aktivitetin e tyre në rrethet Berat, Kuçovë, Durrës, Krujë, Elbasan, Peqin, Fier, Lushnjë, Mallakastër, Gjirokastër, Përmet, Korçë, Pogradec, Devoll, Lezhë, Laç, Shkodër, Tiranë, Kavajë, Vlorë, Sarandë dhe Delvinë. Për t’u siguruar si i vetëpunësuar në bujqësi ju duhet që të paraqiteni tek inspektori i sigurimit të sigurimeve shoqërore duke dorëzuar këto dokumente: “Certifikatën familjare të lëshuar nga zyra e gjendjes civile, vërtetimin e pronësisë mbi tokën, lëshuar nga zyra e regjistrimit të pasurisë së paluajtshme të komunës ose baskisë, ose akt noterial, që vërteton tjetërsimin e pronës. Në çdo rast, për sigurim të periudhave për vitin korent, si dhe për periudha të kaluara, duhet të paraqisni edhe vërtetimin e lëshuar nga komuna, ku cilësohet se personi ushtron veprimtari bujqësore dhe blegtorale. Pasi gjykon për plotësimin e kushteve për sigurim si i vetëpunësuar në bujqësi, inspektori i sigurimeve  plotëson dokumentin tip “Urdhër veprim”.  Për të bërë pagesën paraqitet ky dokument në zyrën postare ose në zyrën bankare. Me kryerjen e pagesës zyra postare lëshon dokumentin përkatës, i cili çohet më pas  për regjistrim tek inspektori i sigurimit të të vetëpunësuarve në bujqësi, ku ka marrë “Urdhër veprimin”.Këto dokumente në asnjë rast nuk duhet t’i dorëzohen punonjësve të sigurimeve shoqërore. Ato janë personale. Në fund të procedurës dhe pas pagesës së kontributeve të sigurimeve shoqërore bëhet pajisja e detyrueshme me librezën e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.

Share This Article
1 Comment
  • Eshte kjo ndareje serioze per banoret ne mal dhe fushe?Po si mund te quhen fushe vendet e jugut te shqiperise.Ato jane njesoj si malsia.Kjo nuk eshte logjike.Mendoj se rruga me e mire eshte specifika per cdo person. Kjo gje eshte lehte per tu vertetuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *