Kushtet për të garuar për studimet e larta

Saimir Lleshi

Sipas kushteve të reja të diktuara nga ndryshimet e bëra në Ligjin e Ri të Arsimit të Lartë, për 2016-ën, pranimi në programet e studimit të ciklit të parë “Bachelor” është i mundur për çdo kandidat që ka përfunduar me sukses studimet e shkollës së mesme dhe që plotëson kriterin e notës mesatare dysheme të përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave.

Sipas propozimeve të bëra nga MAS, për universitetin këtë vit, do të garojnë të gjithë maturantët që kanë mesataren e shkollës së mesme nga nota 6 e lart. Më pas universitetet kanë përcaktuar edhe kriteret e tjera shtesë që do të përdorin në përzgjedhjen e fituesve.

Kushtet për të fituar në Universitetin e Tiranës

Sipas vendimit të marrë nga Senati Akademik i Universitetit të Tiranës, përcaktohet se në përzgjedhjen e fituesve, 50 për qind e vlerësimit për maturantët i takon mesatares së tre viteve të shkollës se mesme, ndërsa 50 për qindëshi i mbetur i takon mesatares së grupit të lëndëve që përcaktohen si prioritet nga vetë fakulteti, referuar profilit të degëve që ofrojnë. Për të gjashtë fakultetet e këtij universiteti janë përcaktuar edhe lëndët që do të jenë prioritet, si dhe përqindja e detajuar e peshës që do të ketë secila prej këtyre lëndëve në listimin final të fituesve.

Kushtet për të fituar në Universitetin e Mjekësisë

Shpallja e fituesve në programet e mjekësisë do bëhet sipas ndikimit të notës mesatare të shkollës së mesme, pesha e të cilës është përcaktuar në masën 35 për qind, sipas notës mesatare të Maturës Shtetërore, ku pesha e saj do jetë po në masën 35 për qind, ndërsa pesha e lëndëve prioritet do të jetë në total 30 për qind.

Konkretisht bëhet fjalë për dy lëndët bazë që janë Biologjia dhe Kimia që secila vlerësohen me 10 për qind të ndikimit që do të ketë në përzgjedhjen e fituesve, Fizika me 6 për qind të peshës, ndërsa sociologjia dhe filozofia vlerësohen secila me 2 për qind.

Kushtet për të fituar degët e arteve dhe të sporteve

Pranimet në Universitetin e Arteve dhe të Sporteve do vijojnë të ruajnë të njëjtën rrjedhë të zhvillimit të konkurseve, sikundër ka ndodhur gjatë maturave të shkuara. Kjo për shkak të natyrës specifike të degëve që ofrojnë këto institucione.

Për degët e arteve parashikohet që matura shtetërore të ketë 30 për qind në përzgjedhjen e fituesve, ndërsa 70 për qind e peshës i përket pikëve që maturantët do fitojnë gjatë fazave të konkursit. Ndërsa për sportet është menduar që matura shtetërore të vlerësohet me 40 për qind, ndërsa pikët e konkursit do kenë 60 për qind të ndikimit në shpalljen e fituesve. /P.Kola/Dita/

 

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *