Do të jenë universitetet institucionet përgjegjëse në menaxhimin e kritereve për dhënien e titujve akademikë. Me ndryshimet e parashikuara në projektligjin e arsimit të lartë, titujt akademikë do të jepen vetëm nga institucionet e arsimit të lartë, të llojit “universitet”, të cilët: ”Ushtrojnë veprimtari akademike dhe kërkimore-shkencore, në mënyrë të vazhdueshme, për jo më pak se dhjetë vjet nga krijimi i tyre, kanë kaluar testin e akreditimit, kanë të punësuar si personel akademik jo më pak se tetëmbëdhjetë anëtarë të personelit akademik që mbajnë titullin “Profesor”, me kohë të plotë, me kontratë me kohëzgjatje të pacaktuar, ofrojnë studimet e doktoraturës apo specializime afatgjata, si dhe kur përmbushin kriteret shtesë të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave”. Lista e institucioneve të arsimit të lartë, që përmbushin kriteret për dhënien e titujve akademikë publikohet zyrtarisht çdo vit akademik nga MAS. Drafti përcakton më tej se standardet shtetërore për fitimin e titujve “Profesor” dhe “Profesor i asociuar” përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Si fitohen titujt akademikë
Me kushtet e vendosura, për fitimin e titullit “Profesor i Asociuar” mund të aplikojë personeli akademik që gëzon gradën shkencore “Doktor”, përmbush standardet shtetërore për fitimin e titullit dhe është personel akademik i kategorisë “Lektor”, prej së paku pesë vitesh. Për fitimin e titullit “Profesor” mund të aplikojë personeli akademik që gëzon prej së paku pesë vjetësh titullin “Profesor i asociuar” si dhe përmbush standardet shtetërore për fitimin e titullit. Ndërkohë që personeli akademik i institucioneve të arsimit të lartë që nuk përmbushin kriteret për dhënien e titujve akademikë, si dhe personat, të cilët nuk janë personel akademik pranë ndonjë institucioni, por përmbushin standardet për fitimin e titujve, paraqesin kërkesën pranë një institucioni i cili përmbush kriteret për dhënien e titujve. Sipas procedurës së përcaktuar kandidati për titullin “Profesor i asociuar” ose “Profesor” paraqet dosjen pranë drejtuesit të njësisë kryesore. Dosja e kandidatit i përcillet senatit akademik, pas vlerësimit paraprak të njësisë bazë. Senati i kalon dosjen komisionit të përhershëm për Promovimin e Personelit akademik, i cili merr vendimin përfundimtar pas vendimit të jurisë teknike mbi përmbushjen e standardeve. Titulli regjistrohet në regjistrin shtetëror të gradave shkencore dhe titujve akademikë pranë MAS. Në rast vlerësimi negativ të kërkesës për fitimin e titullit “Profesor i asociuar” ose “Profesor”, kandidatit i lind e drejta të ripërsërisë kërkesën pas një periudhe kohore jo më të shkurtër se dy vjet. Personelit akademik që mban titullin “Profesor” pas daljes në pension, në vlerësim të veprimtarisë së spikatur akademike, me propozim të njësisë bazë ku ka zhvilluar karrierën e tij dhe me vendim të senatit akademik, i akordohet titulli “Profesor Emeritus”.

U be 3 muaj qe KVTAJa pushoise funksionuari dhe ende asgje nga MASh se si do te veprohet per titujt akademik.
Kjo trego se ligji per arsimin e larte nun po zbatohet Ajo demagigji e madhe pet ligj miderrn eshre sfumuar.
Kjo ministri duket se eshte e paafte per ta cyar reformen e arsimit te larte perpara.