Pranvera Kola
Për të siguruar pension të plotë invaliditeti, përfituesi që plotëson kushtet e diktuara nga ligji i sigurimeve shoqërore, duhet të paraqitet vetë, ose të autorizojë një person të afërt për të nisur procedurat e lidhjes së pensionit, të cilat kryhen pranë Agjencisë Lokale të Sigurimeve Shoqërore të vendbanimit, sipas regjistrimit në gjendjen civile.
Të drejtën për të përfituar pension të plotë invaliditeti e gëzojnë të gjithë personat që bëhen të paaftë për kryerjen e çdo lloj pune, e konfirmuar kjo nga vlerësimet përkatëse mjekësore.
Bashkë me kërkesën për lidhjen e pensionit të plotë të invaliditetit, duhet të paraqisni edhe dosjen e dokumenteve që vërtetojnë moshën dhe identitetin, dokumentet që vërtetojnë periudhat e sigurimit dhe llojin e punës, si dhe dokumentet që vërtetojnë të ardhurat e realizuara.
Për secilin rast, në vijim të shkrimit gjeni të detajuar dokumentet konkrete që duhet t’i bashkëngjisni kërkesës. Në rastet kur krahas pensionit të invaliditetit përfituesi plotëson kushtet edhe për përfitimet suplementare shtetërore, si dhe ish-ushtarakët, duhet të shtoni edhe disa dokumente të tjera në dosje.
Vlerësimi i invaliditetit
Sa i takon vijimit të procedurave, dokumentacioni i përcaktuar i dorëzohet mjekut të ekspertizës, i cili pas verifikimit të nevojshëm njofton datën për të kaluar në Komisionin e Vlerësimit të Aftësisë për punë (KMCAP). Mjeku ka të drejtë që të kthejë mbrapsht dosjen në rast se konstaton pasaktësi në të.
Komisioni, në mbledhjen e tij më të afërt, shqyrton paraprakisht dokumentet, njofton dhe ekzaminon të sëmurin, merr vendimin përkatës nëse ka të drejtë të përfitojë apo jo. Ky vendim nuk merret në prani të përfituesit. Do të jetë kryetari i komisionit që ia komunikon zyrtarisht të sëmurit gojarisht dhe nëpërmjet vërtetimit tip, vendimin. Kundër këtij vendimi i sëmuri ose invalidi mund të ankohet tek komisioni epror.
Ankesa bëhet me shkrim dhe dorëzohet në drejtorisë rajonale të sigurimeve shoqërore të vendbanimit të tij. Këto lloje pensionesh sigurojnë edhe shtesën dhe kompensimet sipas kushteve të përcaktuara në ligjin përkatës të sigurimeve shoqërore.
Kushtet e përfitimit
Lidhur me kushtet e përfitimit të pensionit të plotë të invaliditetit, saktësohet se periudha minimale e sigurimit për pension invaliditeti duhet të jetë sa 3/4 e diferencës së moshës së personit të siguruar në kohën që bëhet i paaftë dhe moshës 20 vjeç dhe në 5 vitet e fundit para lindjes së të drejtës të ketë së paku 12 muaj sigurim shoqëror.
Personi, që është në kushtet e invaliditetit të plotë, por që nuk plotëson periudhën minimale të sigurimit, ka të drejtë për pension invaliditeti të reduktuar, në masën që rezulton nga raporti i periudhës së tij të sigurimit me periudhën e duhur për pension të plotë invaliditeti.
Ndërkohë që ligji lejon ndërrimin e pensionit në rastet kur përfituesi arrin moshën e përcaktuar për pension pleqërie. Çka do të thotë se personi që përfiton pension për invaliditet, kur plotëson moshën ka të drejtë të kërkojë pension pleqërie, nëse ky do të jetë më i favorshëm për të sa i takon masës së përfitimit.
Si llogaritet pensioni i plotë i invaliditetit
Pensioni i plotë i invaliditetit llogaritet në të njëjtën mënyrë si pensioni i pleqërisë. Ekspertët e sigurimeve shoqërore vënë në dukje se shuma e përgjithshme e pensionit të plotë nuk mund të jetë më e vogël se 75 për qind e pagës minimale neto në shkallë vendi.
Kur përfituesi i një pensioni të plotë të invaliditetit bëhet i paaftë dhe ka nevojë për një kujdesje të vazhdueshme nga një person tjetër, sipas përcaktimit të KMCAP-it, atij i jepet një pagesë shtesë prej 15 për qind të bazës së vlerësueshme.
Ndërsa një person i siguruar i paaftë, që merr pension invaliditeti të plotë, sipas nenit 35, të Ligjit nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe ka fëmijë në ngarkim deri në moshën 18 vjeç, ose deri në moshën 25 vjeç kur vazhdon studimet e larta me shkëputje nga puna, do të marrë një të ardhur shtesë familjare për çdo fëmijë në masën 5 për qind të pensionit bazë, por jo më shumë së 30 për qind e tij.
Pagesat e pjesshme dhe të reduktuara
Po sipas kushteve të përcaktuara në ligj, i siguruari merr pension për invaliditet të pjesshëm, kur ka plotësuar periudhën minimale të sigurimit, sipas nenit 35, dhe kur për çdo arsye, përveç aksidentit në punë dhe sëmundjes profesionale, bëhet i paaftë të kryejë punën e fundit, por mund të punojë në kushte të veçanta pune. Shkalla e invaliditetit dhe puna që do të kryejë i siguruari, përcaktohet nga Komisioni Mjekësor i Caktimit të Aftësisë për Punë (KMCAP).
Pensioni i invaliditetit të pjesshëm është sa 50 për qind e pensionit të plotë të invaliditetit. Ai llogaritet në të njëjtën mënyrë si pensioni i plotë i invaliditetit. Për rastet kur personi ka humbur plotësisht aftësinë për punë, jo për shkak të një aksidenti në punë apo sëmundjes profesionale, apo kur personi nuk ka plotësuar periudhën minimale të sigurimit, e cila është në varësi të raportit të periudhës të sigurimit faktike me periudhën e sigurimit që i duhet, përfituesi mund të sigurojë pension të reduktuar invaliditeti.
E drejta për të përfituar pension të reduktuar invaliditeti fillon pas mbarimit të periudhës 6-mujore të trajtimit me raport mjekësor për paaftësi të përkohshme në punë. Vlerësimi nga KMCAP duhet të bëhet në muajin e pestë ose të gjashtë, para përfundimit të kësaj periudhe.
Dosja që duhet t’i bashkëngjisni kërkesës për pension invaliditeti!
- Kartë identiteti.
- Certifikatë familjare.
- Librezë pune.
- Vërtetim page, sipas së cilës është derdhur kontribut që nga viti 1994 deri në momentin e lënies së punës.
- Mandat-pagesat për derdhjen e kontributeve.
- Librezë kontributesh.
- Vërtetim për periudhën e Shërbimit të Detyrueshëm Ushtarak.
- Certifikatë martese (e detyrueshme vetëm për femrat).
- Vërtetim i pagesës së papunësisë (asistencë).
- Diploma e shkollës së lartë.
- Vendim gjykate për njohje vjetërsie në punë
- Vërtetim për faktin e dënimit për motive politike dhe kohën e vuajtjes së tij.
- Dëshmi penaliteti, vërtetim i gjendjes gjyqësore.
- Vërtetim për Pagesën kalimtare (si ushtarak).
- Vërtetim për ushtrim të aktivitetit privat.
- Vërtetim për pagesën e energjisë elektrike.
- Deklaratë për kompensimin e energjisë.
- Vërtetim nga qendra e fundit e punës.
- Vërtetim nga gjendja civile, në rastet e ndryshimit të gjeneraliteteve.
- Deklaratë për vitet e punës.
- Fletë Drejtimi për KMCAP.
- Fletë Dalje Spitali.
- Ekzaminime të veçanta.
- Analiza mjekësore.
- Proces Verbal i Aksidentit në Punë.
- Vërtetim për pagesën e paaftësisë së përkohshme.
- Vërtetim nga Prokuroria (për fillim procedimi penal në rast të një aksidenti në punë për shkak të detyrës).
- Vërtetim për llojin e punës (për invaliditetin e pjesshëm).
Dosja shtesë kur personi aplikon edhe për pension suplementar shtetëor, krahas atij të invaliditetit
- Kartë Identiteti.
- Certifikatë familjare.
- Vërtetim i vjetërsisë në shërbim/detyrë/funksion.
- Vërtetim i pagës referuese të detyrës/funksionit.
- Fotokopje e Librezës së punës.
- Dëshmi penaliteti.
Dokumentet shtesë për pension suplementar si ish-ushtarak
- Kartë Identiteti.
- Certifikatë familjare.
