Gjykata Kushtetuese rrëzon kërkesën e PD për të pezulluar reformën territoriale, por ndërkohë pritet që Gjykata Kushtetuese ta vlerësojë në tërësi kërkesën e PD për reformën territoriale.
Deputetët dhe përfaqësuesit demokratë kërkuan kohë për të argumentuar se pse reforma më madhore e mazhorancës është bërë në kundërshtim me ligjin themeltar të shtetit.
Demokratët kërkuan fillimisht pezullimin e ligjit për ndarjen administrative-territoriale më pas rrëzimin e tij. Opozita kundërshton me forcë hartën e re të territorit duke e konsideruar si një akt të pastër korruptiv që ishte bërë për interesa politike nga ana e së majtës.
Oerd Bylykbashi ka deklaruar se janë të prerë në lidhje me mendimin se ndarja territoriale ka vetëm qëllim deformimin e vullnetit të zgjedhësve.
“Ne jemi të prerë në mendimin tonë se kjo ndarje territoriale ka vetëm në qëllimin, deformimin e vullnetit të zgjedhësve nëpërmjet hartës së pikturuar nga kryeministri. Ligji është anti-kushtetues për të paktën 5 arsye.
Në hartimin dhe miratimin e këtij ligji u shkelën procedurat parlamentare, një ligj kaq i rëndësishëm nuk mund të miratohet me procedura të përshpejtuara. De facto ky ligj është miratuar në procedure të përshpejtuar, çka kushtetuta e ndalon kategorikisht këtë procedure për ligje me shumicë të cilësuar.
Ligji i ri shkel nenin 108, të kushtetutës që përcakton komunën dhe bashkinë si ndarjen bazës territoriale. Kushtetuta thotë se kufijtë nuk mund të ndryshojnë pa u marrë më parë mendimi i banorëve që jetojnë në to”, tha Bylykbashi.
Nga ana tjetër, përfaqësues të parlamentit dhe të qeverisë do të japin argumentet pro ligjit. Nëse ligji nuk rrëzohet atëherë zgjedhjet e ardhshme do të zhvillohen në bazë të hartës së re, që e ndan vendin në 61 njësi vendore.
Ndërkohë edhe shoqatat e Komunave dhe Bashkive e kanë kundërshtuar reformën dhe kanë nisur në KQZ kërkesat për referendum lokale-raporton Ora.
Edhe presidenti Nishani nuk e vendosi ligjin e ri për ndarjen territoriale, duke e konsideruar si antikushtetues dhe të pakonsultuar me grupet e interesit.
Ok! Tani Perpara me reformat kunder sistemit te korrupsionit te vendosur nga palacot e PD!