Ilir Mborja
Gjithë ç’janë shprehur, përveç Edi Ramës, Sali Berishës e Lulzim Bashës, arsyen për krizën institucionale, ekonomike, morale etj, shkakun për situatën e rëndë ku gjendemi sot e shohin si pasojë e ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008. Pikërisht për këtë, para pak ditësh tek gazeta “Dita”, Moikom Zeqo me të drejtë u shpreh kategorik se duhet të zhbëhet 2008. Madje shtoi se edhe momenti që “opozita hodhi tutje titujt juridikë, mandatet, pra,.. rrjedh nga ndryshimet e kobshme të vitit 2008 kur kryetarët e partive kanë të drejtën prej monarku të bëjnë listat.”…
Ndërsa, në shkrimin më të fundit para dy ditësh po këtu tek “Dita”, analisti Bedri Islami duke i quajtur “ndryshime kobzeza”, shton e i lidh ato me gjithçka që sipas tij sot: “po kthehet në një shoqëri edhe më tej të polarizuar dhe shtet të oligarkëve.”… Koncensionet, PPP-të “vrastare” e të përfituara sipas Bedri Islamit, nga kompani që janë “të lidhura me oligarkë afër shefit të qeverisë”, d.m.th. gjithçka e keqe e ka zanafillën tek ato ndryshime kushtetuese më 2008-n. Edhe ligjin “e llahtarshëm… si oktapod oligark” për Krijimin e Korporatës Shqiptare për Investime që “detyruan 77 deputetë mjeranë, që janë lista e tij” (Edi Ramës) ta votojnë më 18 tetor, në mbrëmjen kur pritej plot ankth hapja e negociatave nga Këshilli i Europës, “ministrat e paaftë, Gërdeci e 21 janari të amnistuar, koncensionin e Butrintit, varfëria e shtresave të pambrojtura, mungesa e pages së 13” etj, etj, aty e kanë zanafillën: tek ndryshimet kushtetuese të 2008 – konkludon z. Islami…
Po. Pajtohem me të gjitha konkluzionet e të sipërpërmendurve, por mendoj se ka edhe diçka që është harruar të VLERËSOHET nga ndryshimet në KUSHTETUTËN e vitit 2008. Këtë e shkruaj pa thonjëza se e them pa asnjë dozë ironie. Aspak për të qenë kundër rrymës me të gjithë ata që kritikojnë atë, kam bindjen se nata e 21 prillit 2008, kur u votuan ato ndryshime në Kuvend, ishte një natë historike… Pa atë natë, nuk mund të kishte pastaj mesnatë të 22 -23 korrikut të 2016-s me 140 votat pro Reformës në Drejtësi. Nuk mund të kishte reformë në drejtësi, pa ndryshimet kushtetuese të 2008-s. Pikërisht këtë këndvështrim të veçantë po mundohem ta shpjegoj më hollësisht:
***
Vini re: Kushtetutë, hajdut, hashash, janë fjalët me dendësi më të lartë përdorimi në Shqipërinë e pluralizmit. Dhe këto tre fjalë nuk kanë qenë asnjëherë rrena në gojën e politikanëve rrenacakë shqiptarë në 28 vitet e pluralizmit. Gjithashtu, po aq e vërtetë është se këto tre fjalë (kushtetuta, hajdutët dhe hashashi) kanë krijuar një lidhje tek e cila mund të shpjegohet edhe tema që po flasim.
Po shpjegohem më shkoqur: Pranë Gjirokastrës është Lazarati. Ai fshat dikur ishte i varfër se kodrinave të tij i mungonte uji dhe të mbjellat thaheshin e vyshkeshin sapo mbinin. Varfëria filloi të largohej vetëm kur në fshat u shfaq fara e hashashit… Siç dihet, Kushtetuta e Shqipërisë e kishte shpallur të paligjshme dhe e ndalonte (siç e ndalon ende sot) rreptësisht kultivimin e trafikimin e asaj bime. Por, lazaratasit, në atë situatë antikushtetuese, u regjistruan të gjithë në partinë-shtet të kohës dhe krijuan në bindjen e vet “kushtetutën” e tyre që Lazaratin demokratikas e shpallte “fshat-shtet”. Për “qytet-shtete” në botë ishte dëgjuar edhe më parë, por për “fshat-shtet” gjer atëherë nuk kish dëgjuar kush ndonjëherë… “Kushtetuta” e pashkruar e Lazaratit bëri çudira. Hashashi i tij pushtoi botën. Hollandezët që e kultivonin atë, përpak i falimentoi… Por që gjethet të rriteshin e të zhvilloheshin si flamuj partie duhej edhe shumë ujë. Por… Sipas “Lazarat-kushtetutës”, ujin për vaditjen e hashashit “e kishin për detyrë” ta sillnin zjarrfikëset e Gjirokastrës dhe siç dihet, ata e kryen më së miri atë punë. Udhëheqësit vendorë ngritën post blloqe dhe për kufinjtë e “fshat-shtetit” të tyre vendosën ca djem “problematikë” që vigjëlonin 24 orë në 24 orë me kallash në dorë e antitanke mbi supe. “Kushtetuta” e tyre nuk lejonte cilindo të vizitonte “fshat-shtetin” Lazarat. Askush nuk mund të kalonte traun nëse nuk paraqiste garancinë e PD-së. Madje, as kandidati për deputet i ndonjë partie tjetër (veç PD) nuk kishte të drejtë të shkelte kufirin e Lazaratit. E provoi një herë në kohë fushate elektorale ta shkelte atë “kufi” nënkryetarja socialiste e Kuvendit Makbule Çeço, por ajo e di ç’vuajtje hoqi për t’u çliruar nga pengmarrja. “Kushtetuta” e “fshat-shtetit” Lazarat, ndryshe nga ajo e qytet-shteteve, parashikonte edhe mbrojtjen e hapësirës ajrore. Po, po. Le të guxonte kush ta shkelte atë, po e pësonte si avionët e “Guarda di Financia”-s italiane që u gënjeu mendja e provuan të fluturonin mbi arat me ashash. Hej o Lazarat! Në ’97-n Berisha e PD-ja ranë, Lazarati jo. E mbante të patundur “Hashash- kushtetuta”. Ç’të thuash më tepër? Edhe më vonë, kur u liberalizuan vizat, në Europë mund të shkoje. Ndërsa në Lazarat jo…Por ta lemë mënjanë për një çast hashashin e “kushtetutën” e pashkruar të lazaratësve e le të kujtojmë pak historinë e kushtetutave shqiptare dhe të pushtetarëve tanë hajdutë…
***
Qysh me pluralizmin më 1991-shin në Shqipëri lindi edhe nevoja për të pasur një kushtetutë tjetër, por, situata e re e pengoi atëherë PPSH fituese të shumicës qeverisëse që, me komisionin kushtetues të ngritur prej saj, të prodhonte një dokument të besuar dhe ndërkohë të merrte miratimin e opozitës. Meqë kushtetuta e vitit 1976 doli jasht funksioni, atëherë, parlamenti i ri i dalë nga zgjedhjet e 22 marsit të ‘92-shit miratoi me konsensus të plotë të të tre partive (PPSH-PD-Omonia) një paketë kushtetuese që rregullonte parimet bazë të funksionimit të sistemit të ri qeverisës. Me ndryshimin e pushteteve, këto dispozita plotësoheshin duke pësuar ndryshime herë konsensuale dhe herë të njëanshme, për shkak të mazhorancave solide të krijuara asokohe në parlament.
Këto dispozita kushtetuese nuk mund të pengonin qeverinë Meksi të demokratëve që qysh në mbledhjen e parë të Këshillit të Ministrave të nxirrte vendime (VKM) të llojit si: 1) Në mbledhjet e KM nuk mbahet proces verbal. 2) Të emetohen e të shpërndahen “Letra me vlerë” në bazë të kontributeve të atyre që kanë punuar në shtet… 3) Të privatizohen sektorë të ekonomisë shtetërore me anë të “letrave me vlerë” dhe dokumentat e privatizimit të asgjësohen brenda një viti. 4) Në bordet e privatizimit të ketë një anëtar të SHIK-ut… Pikërisht, mu tek këto lloj VKM-sh e ka “guackën” kushtetuese grabitja galopante që iu bë masivisht shqiptarëve nëpërmjet mashtrimit të shpërndarjes së “letrave me vlerë”. Sigurisht, nuk duhet mohuar edhe ndihma e shikasve të PD-së në përzgjedhjen dhe favorizimin e militantëve “blerës” të pasurisë së përbashkët. Ishin po këta shikas e blerës bashkë, të cilët për të çuar në minimum vlerën e mallit, bënë më parë edhe shkatërrimin total të makinerive e fabrikave dhe pastaj, të gjitha objektet e ndërtuara nga shqiptarët u “blenë” me këto “letra me vlerë”. Në momentin më të mirë, kuota më e lartë e këtyre “letrave me vlerë” në tregun e këmbimit me lekun, mbërriti në 25%… Pra, në rastin më të mirë, shqiptarët u vodhën me VKM në 75% dhe, në rastin më të keq, kur vlera e tyre në treg vajti deri në 2.5%, u vodhën në pasurinë e përbashkët në masën 97.5%. Kjo, me anë të “letrave me vlerë” ishte vjedhja më e madhe në histori e shqiptarëve dhe, ajo që bënë më pas Alimuça, Sudja, Xhaferri e co, ishte e pakrahasueshme me të…
***
Oreksi i bandës në pushtet për të plaçkitur nëpërmjet sundimit e anasjelltas, i shtiu ndërmend kryebanditit të PD-së të projektonte një kushtetutë të re. Për këtë iu desh që më 6 nëntor të ’94-s të zhvillonte të parin referendum në historinë e shtetit shqiptar, referendumin për kushtetutën e PD-së… Opozita ishte kundër. Në përfundim, me një vonesë të pashpjegueshme veç tentativës për puç kushtetues, në pamundësi të manipulimit, KQZ e PD-së deklaroi se në referendum morën pjesë 84,30% e zgjedhësve, nga të cilët 53% votuan kundër dhe 41% pro.
Kështu pra, drafti (Berisha ishte i pari që në vend të fjalës projekt përdori fjalën draft(?!)) humbi votbesimin dhe vendi mbeti pa kushtetutë. Bashkë me të ranë edhe një pjesë e paketës kushtetuese që ishte përfshirë në të…
Pas rotacionit të ‘97-s mazhoranca e re nisi punën për një kushtetutë tjetër… Në vjeshtën e vitit 1998 projekti ishte gati dhe vendi shkoi në referendum tjetër popullor. Megjithëse nën presionin ndërkombëtar, opozita (e djathta) deklaroi abstenimin dhe mospjesëmarrjen në zgjedhje, kurse mazhoranca, kuptohet, votoi pro projektit kushtetues. Për pasojë, Kushtetuta e Shqipërisë u miratua me votim direkt (me referendum) më 21 tetor 1998.
Projekti final i Kushtetutës u votua në parlament me rreth 80 vota. Gjithashtu, parlamenti bëri ndryshime në ligjin e vitit 1994 mbi referendumet duke hequr kufizimin e vlefshmërisë së tij për pjesëmarrje mbi 50% të votuesve. Presidenti Meidani e firmosi Kushtetutën e re ditën e festës kombëtare, më 28 Nëntor 1998. Vendimi për miratimin e Kushtetutës u përshëndet menjëherë nga shtete dhe institucione të ndryshme ndërkombëtare, përfshirë SHBA, BE, KE, si dhe shumë prej shteteve anëtarë të tyre. Duhet përmendur se, po në kohën që Rexhep Meidani ishte president, propozoi (?!) një amnisti fiskale të gjerë, por propozimi i tij nuk gjeti mirëkuptim…
Siç dihet, midis viteve 1998 dhe 2008 vendi u qeveris nga dy mazhoranca të ndryshme (1998-2005 nga e majta dhe 2005- 2008 nga e djathta). Të dy palët (PD, PS) filluan të legjitimojnë aktet e tyre politike duke iu referuar Kushtetutës, dhe kështu, gjithsesi, dokumenti themelor i shtetit filloi të marrë rëndësinë dhe rolin që i takon në sistemin politik dhe qeverisës në vend, por korrupsioni vazhdoi të njohë vetëm rritje… Secila palë, në raste të ndryshme të ngërçeve apo krizave politike, alibinë e kërkonte tek hapësirat apo vakumet kushtetuese, duke premtuar rishikimin e saj në të ardhmen. Pretendimet për ndërhyrje në Kushtetutë u bënë aq të mëdha dhe të shpeshta, sa më 2008 u duk se kishte një konsensus të gjerë politik për ndërhyrje në Kushtetutë.
…
Më 2008 PD e PS nisën me ngut një proces dypalësh. (Më saktë është të thuhet Sali Berisha e Edi Rama). Larg syve të publikut filluan të punojnë për ndryshimin e Kushtetutës në disa elementë thelbësorë të saj. Me këto ndryshime të reja u kalua nga sistemi i votimit miks në sistemin proporcional rajonal, u ndryshua mandati i qeverisjes vendore nga tre në katër vjet… Por, ndryshimi thelbësor i paketës kushtetuese të 2008-s kishte të bënte me dobësimin e Presidentit të Republikës dhe mbi pozitën e fuqizuar të Kryeministrit ndaj parlamentit. Nga modeli i zgjedhjes së Presidentit me shumicë të cilësuar u kalua me zgjedhje me shumicë të thjeshtë në dy raundet e fundit, duke e ulur ndjeshëm peshën dhe rolin e Presidentit në jetën politike dhe institucionale. Ndryshimi tjetër i dha mundësi kryeministrit të zgjerojë kontrollin mbi parlamentin përmes mocionit konstruktiv, sipas të cilit, kryeministri me mocion besimi mund të provokojë në çdo kohë zgjedhje të parakohshme dhe se shkarkimi me mocion mosbesimi bëhet teknikisht thuajse i pamundur. Procesi u mbyll me votim konsensual midis dy partive kryesore politike në prill 2008, por me një qendrim ektremisht të kundërt të LSI-së me në krye Ilir Metën. Nervozizmi i tij dhe reagimi gati skandaloz për të përdorur forcën fizike ndaj Kryetares së Kuvendit z. Topalli dhe greva e urisë së tij bashkë me shokë, i sfumoi dhe i bëri të pazëshme kritikat e shumta të disa institucioneve kushtetuese dhe të shoqërisë civile.
Siç pritej, ndryshimet kushtetuese sollën ndryshime edhe në jetën politike dhe institucionale, duke krijuar interpretime mbi shanset reale për garantimin e parimeve kushtetuese të transparencës, ndarjes dhe balancës së pushteteve. Më 2012 palët kryesore politike, përsëri nën presion ndërkombëtar, pas muaj debatesh arritën një konsensus tjetër për ndërhyrje në Kushtetutë – kufizimin e imunitetit për deputetët dhe zyrtarët e tjerë të lartë.
Ndryshimet u bënë në shtator 2012 dhe që premtonin të jepnin rezultate të rëndësishme në luftën kundër korrupsionit të lartë, rezultuan të ishin të gjitha pallavra. Pas tri vitesh, asnjë zyrtar i lartë nuk u pa të gjykohet, e lëre pastaj të dënohet… Më 2008-n, për ndryshimet në kodin elektoral e kthimin në një sistem proporcional zonal dhe me lista të mbyllura, u dha justifikimi se ky ndryshim po bëhej me qëllim për të shmangur të inkriminuarit nga listat e partive, ku sipas tyre, po të lihej në dorë të anëtarësisë dhe drejtuesve të zonave, ekzistonte rreziku i shitjes së votave të këtyre të fundit dhe blerjes nga të inkriminuarit e pasur. Madje, kjo logjikë (nën zë) iu faturua ndërkombëtarëve dhe,.. Nuk dukej e pabesueshme që rekomandimi të kishte ardhur vërtetë prej tyre. Pse e them këtë? Sepse pikërisht ndërkombëtarët, sidomos iniciuesit e reformave, gjithmonë kanë synuar të krijojnë mazhoranca sa më të mëdha dhe sa më solide në Kuvend. Mundësisht me mbi 94 vota… Përmenda fjalën vota dhe jo deputetë. Kush më mirë se kryetari i partisë me listat e hartuara e të mbyllura prej tij i kthen nga deputetë në votues të bindur? Nuk them se kryetarët e partive ishin të prirur tek objektivi njësoj si Ai që ua shtiu në vesh propozimin në fjalë, por karremin e hëngrën ama, se për tjetër gjë u pëlqeu, edhe Ramës, edhe Berishës. Hiç nuk e kuptuan strategjinë e Atij që ua propozoi më 2008-n ndryshimin e Kushtetutës. Edhe Ilir Meta vështirë të besohet se e kuptoi qysh atëherë arsyen e vërtetë të atij ndryshimi dhe mbeti qefprishur për atë shkak… Gjithçka u finalizua natën e 21 prillit të 2008-s ishte për të arritur tek mesnata e 22 – 23 korrikut të 2016. Gjithçka ndodhi më pas me heshtjen e shumëkujt për “lazaratizimin”e Shqipërisë dhe që filluan të duken hapur me “ngjalat e Lalzit”, me aksionin “Qelbësira bashkohuni!”, “aleancën e detyruar PS – LSI” që më 1 prill 2013 e deri kur u mbyll Çadra më 2017, bëri që kryetarët e partive të shkonin veti i 140 (me “deputetët prej kartoni”) në Kuvend për të votuar Kushtetutën, atë, që një pjesë jo të vogël të tyre i rrezikon seriozisht me pranga…
Gjithçka shpreha më sipër mbase dikujt mund t’i tingëllojë si konspiracion, por unë nuk besoj se kjo logjikë është e tillë. Duke besuar se sot nuk përbën më konspiracion, mund t’ju dëshmoj se pse nuk përbën më asnjë gjë të tillë përkthimi i saktë i deklaratës së ambasadorit amerikan Arvizu për Berishën pas 21 janarit të 2011-s. Kur tha: “Sali Berisha është një burrë shteti”, Shkëlqesia e Tij nuk kishte aspak ndërmend atë kumt, por u soll mu si një psikolog me një të “marrë që ka një bombë të pa plasur e që i duhej hequr nga duart me të mirë”… Karrem pra ishte edhe ajo që dëgjuam më 2011-n, siç ishte karrem më parë edhe 2008-a. Ndryshe nuk kapen hajdutët tanë…
Tani po. Kushtetuta “karrem” e 2008-s patjetër duhet zhbërë, pasi “peshqit e mëdhenj” e kanë kullufitur prej kohësh “karremin me gjithë grep”… Por, gjithsesi, mendoj se nuk është e tepërt nga ne shqiptarët edhe një mirënjohje për “peshkatarin e mençur” të 2008-s…

Analize e bukur, interesante shume.
Analizë kurajoze nga njëpenë e mprehtë
A i lexojnë këto të vërteta politikanët dhe diplomatët?