Ajo që ka ndodhur në Qarkun e Fierit është, as më shumë dhe as më pak, por një puç politik, një grabitje e organizuar prej pushtetit qendror e pushtetit lokal të fituar me votë nga opozita. Kutia e votimit e qytetarëve ka nxjerrë një rezultat. “Kutia” tjetër, ajo e Berishës, ka prodhuar një rezultat të dytë që ia ka mbivendosur me dhunë të parit dhe megjithëse ua ka rrëzuar edhe gjykata, Berisha tani kërkon “kompromis”. Kompromis mbi atë që ka vjedhur.
Në përfundim të zgjedhjeve të vitit 2009 dhe 2011 ishte Berisha që ngrinte në qiell vendimet e Kolegjit Zgjedhor apo KQZ me anë të të cilave paraqiti të ligjshme grabitjen e votave opozitës. Sot bën të kundërtën, injoron vendimet e gjykatave që nuk i japin të drejtë për Fierin. Ben një ofertë. Që nuk ka të bëjë me drejtësinë dhe shtetin ligjor. Intervistuam deputetin Armand Subashi lidhur me atë që po ndodh në Fier. – Erion Habilaj
Zoti Subashi, cila është e vërteta e Këshillit të Qarkut Fier? Kemi dëgjuar akuza dhe kundër-akuza nga palët por ende nuk është e qartë se çfarë ka ndodhur atje realisht, mund të na thoni ku qëndron problemi?
Saliu thotë që eja të bëjmë votëbesim për qarkun e Fierit. Pra të shkojmë prapë në çdo komunë e bashki të qarkut dhe të themi kë doni ju për në qarkun e Fierit. Do futen në votim dhe do nxjerrin sipas rastit një, dy, tre, sipas rastit përfaqësuesit e tyre. Pikërisht këtë që propozon Saliu si zgjidhje politike, gjykatat e kanë quajtur të jashtëligjshme. Kjo që Saliu kërkon ta bëj në të gjitha bashkitë e komunat. Kjo është bërë në disa prej tyre mbas datës 21 shtator të vitit që shkoi. Mbasi u bën konflikte gjyqësore të gjitha këto vendimmarrje, gjykata të gjitha rastet i ka hedhur poshtë. Gjykata ka dhënë vendimin, madje i ka deklaruar si të pavlefshme, vendimet që është shkarkuar A-ja dhe është emëruar B-ja si anëtar i Qarkut. Arsyetimi bazë i gjykatës është ky; Këshilli i bashkisë ose i komunës, mbasi e zgjedh përfaqësuesin e vetë për në këshillin e qarkut dhe e mandaton atë, në mbledhjen e parë kur bëhet konstituimi i atij këshilli, nuk ka më të drejtë të ndryshoj deri në zgjedhjet e tjera. Kjo do të thotë që mandati i këshilltarit që zgjidhet në mandatin e parë është një mandat kushtetues, katër vjeçar, që nuk preket as me votëbesim, as me ndryshimin e balancave politike, apo dhe për arsye të tjera. Pra, propozimi që bën sot Saliu nuk është gjë tjetër, veçse një propozim që po të realizohet godet m’u në zemër gjithë vendimet e gjykatave që ne kërkojmë të zbatohen. Opozita kërkon zbatimin e vendimeve të gjykatave, Jo!, thotë ai, por eja të bëjmë një marrëveshje në kundërshtim me gjykatat. E vetmja mënyrë që të zgjidhet kjo gjë është që të zbatohen vendimet gjyqësore, 11 këshilltarët e ndryshuar që kanë fituar gjyqet të rikthehen në vendet e tyre, të fillojnë të ushtrojnë mandatin e tyre kushtetues të këshilltarit të qarkut, dhe më pas se çfarë ndodh me kryetarin kjo është histori tjetër. Kryetari zgjidhet nga shumica e 96 anëtarëve të këshillit. Ligji e lejon që për kryetarin në çdo mbledhje mund të ketë mocion dhe fiton me shumicën e votave. Por 96 këshilltarët nuk ndryshojnë.
Pra ju po thoni se janë ndryshuar këshilltarët dhe nuk kemi kalim të tyre nga një krah në krahun tjetër?
Absolutisht jo. Nuk kemi të bëjmë me ndryshim mendimi apo dhe shitje të këshilltarëve. Në zgjedhjen finale nga zgjedhjet e tetë majit të vitit 2011 na rezulton që në këshillin e qarkut kemi 56 këshilltarë të majtë dhe 40 që i përkisnin të djathtës. Për të prish këtë raport i cili ishte me rezultat të thellë mazhoranca shkoi në bashki e komuna dhe me presion për largim nga puna, me joshje e me kërcënime, zgjodhi këshilltarë të rinj. Fjala vjen shkarkuan Armandon si këshilltarë i majtë dhe zgjodhën dikë që vinte nga e djathta. Me këtë metodë ata bën 14 zgjedhje të tilla. Të gjithë këshilltarët e majtë që u shkarkuan iu drejtuan me padi gjykatës. Gjykata deri sot që po flasim ka dhënë 11 vendime të formës së prerë se shkarkimi është i paligjshëm dhe duhen të rikthehen këshilltarët e majtë.
Pse nuk zbatohet vendimi?
Këtë duhet ta thotë Saliu. Ne këtë po kërkojmë, thjesht zbatimin e vendimit të gjykatave. Të njihen këta këshilltarë që kanë fituar gjyqin, të njihen dhe të nis puna normalisht. Më pas ne nuk kemi punë me kryetarin. Kryetarin e zgjedh vetë këshilli me shumicë. Të jetë ose i majtë ose i djathtë këtë e vendosin vetë këshilltarët e qarkut.
Por tani Berisha flet për ofertë…
Ne nuk mund të bëjmë një marrëveshje politike që del mbi vendimet e gjykatave. Çfarë mund t’i themi një këshilltari që ka fituar gjyqin. A mund ti themi që “ti vërtet e fitove gjyqin por u ul Sali me Ramën dhe vendosën që ti të mos jesh më këshilltar”?! Kjo është në kundërshtim me vendimin e gjykatës. Ne nuk po luftojmë për një kryetar këshilli, ne e kemi parimor këtë debat dhe mbi të gjitha është ligjor që nuk është në dorën as tonën as të Saliut.
Deri në cilën shkallë të gjykimit ka arritur problemi i këshilltarëve?
Ka arritur deri në Gjykatën e Lartë. Por dhe për ato që s’ka arritur në Gjykatën e Lartë janë vendime të formës së prerë që duhet të zbatohen menjëherë. Pavarësisht nga shkalla e gjykimit në të gjitha rastet thelbi është i njëjtë, këshilltari i qarkut nuk mund të shkarkohet dhe zëvendësohet sipas dëshirave. Ai zgjidhet një herë dhe ka mandat kushtetues. Këshilli i qarkut ka pavarësi nga komunat dhe bashkitë për të mos pasur marrëdhënie varësie. Pra është e parashikuar dhe nga konventa për autonominë vendore. Këshilltari s’ka pse të jetë me frikën se e shkarkon bashkia ose komuna sipas dëshirës. Me këtë parim është nisur dhe gjykata.
Po si u shkon ne mend se mund te zbatohen vendimet duke ju lutur Berishes ngrini popullin e Fierit ne protesta,se vetem me presion mund te arrihet te zbatohen vendimet.