Kutia e zezë/ Fjalët e fundit të pilotëve: Helikopteri ka defekt në bisht

Elton Tafaruci

Dje u nxorr nga thellësia e liqenit të Shkodrës kutia e zezë e helikopterit “EC-145”, i cili u rrëzua disa ditë më parë, duke lënë të vdekur dy pilotët dhe plagosur një ushtar që ndodhej në bord.

Grupi hetimor, në përbërje të të cilit janë edhe ekspertë të firmës “Eurocopter” dhe amerikanë, do të bëjnë të mundur analizimin e kutisë së zezë, për të hedhur dritë mbi shkaqet e aksidentit ajror.

Kutia e zezë u nxorr dje në gjendje të dëmtuar për shkak të përplasjes së helikopterit me sipërfaqen e ujit. Megjithatë, deri tani mësohet se helikopteri i Forcave të Armatosura kishte problem në pjesën e bishtit.

Pikërisht në pjesën e bishtit mendohet se mjeti fluturues ka pasur defekt teknik, çka ka sjellë humbjen e drejtimit dhe të ekuilibrit (helika e bishtit është timoni i mjetit).

Nisur nga kjo gjë, dy pilotët u munduan ta ulnin helikopterin mbi liqen, duke menduar se do të hapeshin jastëkët që do ta mbanin mjetin fluturues mbi sipërfaqen e ujit.

Por, jastëkët nuk u hapën dhe regjistrimet e kutisë së zezë do të zbulojnë shkaqet se çfarë ndodhi në të vërtetë, si dhe bisedat e pilotëve. I gjithë helikopteri nuk është nxjerrë ende nga thellësia e liqenit, por vetëm disa pjesë të bishtit dhe motorit.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *