Kuvendi i Shqipërisë nisi të marten procedurat për zgjedhjen e kryetarit të ri të KQZ-së, me shpalljen zyrtarisht të kritereve që duhet të përmbushin kandidatët për këtë post, të parashikura në Kodin Zgjedhor.
Në njoftimin për shtyp të Kuvendit, thuhet se pasi u shqyrtuan afatet e përfundimit të mandateve të anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, rezulton se më 11 tetor përfundon afati i emërimit në detyrë të Kryetares së KQZ-së, Lefterije Luzi.
Në këto kushte, Kuvendit i lind detyrimi ligjor për të bërë plotësimin e vendit që rezulton vakant pas kësaj date.
Në lidhje me procesin e prezantimit të kandidaturave dhe për të vijuar më pas me procedurat e parashikuara nga Kodi Zgjedhor për përzgjedhjen e Kryetarit të ri të KQZ-së, Kuvendi njofton të gjithë personat e interesuar, se kriteret ligjore, që duhet të plotësojnë kandidaturat për anëtar të KQZ-së, janë ato të parashikuara në nenin 12, pika 2 e Kodit Zgjedhor.
Anëtar i KQZ -së mund të emërohet çdo shtetas shqiptar me të drejtë vote, i cili përmbush këto kritere:
a) të jetë me moshë mbi 35 vjeç;
b) të jetë me arsim të lartë;
c) të ketë përvojë profesionale prej jo më pak se 10 vjet punë, të paktën në një nga fushat e mëposhtme:
i) në fushën e së drejtës;
ii) në administratën publike;
iii) në administrimin e zgjedhjeve;
iv) si drejtues i organizatave jofitimprurëse, të cilat kanë objekt të veprimtarisë së tyre mbrojtjen dhe zhvillimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, zhvillimin e zgjedhjeve demokratike apo politikat publike;
ç) të mos jetë i dënuar penalisht;
d) të mos ketë qenë anëtar i ndonjë partie politike në 5 vitet e fundit;
dh) të mos ketë qenë i zgjedhur deputet i Kuvendit në 5 vitet e fundit;
e) të mos ketë qenë pjesëtar në 5 vitet e fundit në Policinë e Shtetit, në Forcat të Armatosura dhe në Shërbimin Informativ Shtetëror;
ë) të mos jetë larguar nga administrata publike apo çdo funksion publik për shkelje të detyrës.
Në mbështetje të Kodit Zgjedhor, çdo shtetas që beson se plotëson kriteret, mund të paraqitet si kandidat për t’u emëruar Kryetar i KQZ-së.
Kërkesa paraqitet e shoqëruar me dokumentacionin përkatës, që provon përmbushjen e kritereve ligjore për anëtar të KQZ-së.
Kandidatët, bashkë me dokumentacionin që provon përmbushjen e kritereve ligjore, duhet të dorëzojnë të plotësuar dhe të nënshkruar edhe formularin e vetëdeklarimit, sipas përcaktimeve të Ligjit nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”.
Afati i dorëzimit të dokumentacionit nga kandidatët është data 30 Shtator.
Pas kësaj date të gjitha aplikimet i përcillen Komisioni të Ligjeve, në cilësinë e komisionit përgjegjës, që brenda afateve të përcaktuara dhe duke ju referuar CV-së dhe dokumentacionit shoqërues, merr në shqyrtim përmbushjen e kritereve ligjore dhe meritën e çdo kandidature.
Kryetarja aktuale e KQZ-s, Lefterije Luzi është zgjedhur në këtë post në tetor të vitit 2012.

Mos e coni kot aplikimin dhe perdoreni kohen tuaj pr pune te tjera se partia e ka vendosur qe do te jete Denar Biba kryetari i ardhshem