Kryetari i PD, Lulzim Basha ka mbledhur kryetarët e degëve në rrethe dhe po zhvillon një takim në selinë blu.
Takimi ka nisur në orën 17:00 dhe po diskutohet për organizimin e PD-së, proces i nisur pas mbledhjes së Kryesisë pak ditë më parë.
Në këtë mbledhje, Basha po u komunikon kryetarëve të degëve vendimet dhe atë që pritet të ndodhë në vazhdim.
Sipas Report Tv-së, Basha mësohet se u ka thënë drejtuesve të partisë në rrethe se: “Të gjithë të kenë hapësirë të bëjnë propozime. Procesi i riorganizimit, të mos zhvendos vëmendjen nga takimet me elektoratin. Rifreskoni anëtarësinë në secilën degë. Në mbledhjen e Kuvendit, në datat 28 dhe 29 prill, të jenë të pranishëm të gjithë që janë pjesë e Kuvendit”. Ndërkohë që kryetarët e degëve po raportojnë mbi rezultatin e analizës së humbjes së thellë të zgjedhjeve të 25 qershorit.
Pak ditë më parë Kryesia e PD vendosi që në fund të Prillit në datat 28 dhe 29 të mblidhet Kuvendi Kombëtar i partisë, ndërsa është ngritur një grup pune për kritikat dhe propozimet.
Disa përfaqësues të grupit të punës mësohet se kanë zhvilluar takime me disa nga kritikët e Bashës, Patozin dhe Boden, të cilët kanë hartuar platformën për ringritjen e PD.
l.h/ dita
