Kuvendi i Kosovës në tentativën e radhës

Ornela

Kuvendi i Kosovës pritet të mblidhet sërish sot në përpjekjen e radhës për të zgjedhur drejtuesin e tij.

Në mungesë të një marrëveshjeje me ndonjë subjekt politik, subjekti fitues i zgjedhjeve parlamentare të 11 qershorit, koalicioni PAN, ku bëjnë pjesë Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma, ka paralajmëruar sërish se mund të mungojë në seancë. Njësoj kishte vepruar edhe gjatë seancave të thirrura javët e fundit, për shkak se nuk arriti të sigurojë të paktën 61 vota për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

Kryesuesi i seancës konstituive, deputeti Adem Mikullovci, pas një takimi konsultativ me shumicën e partive politike, me kërkesën e vetë koalicionit PAN, caktoi datën 24 gusht për vazhdimin e seancës. Por, Ramush Haradinaj, kandidat për kryeministër nga koalicioni i Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën, ka thënë se ende janë në konsultime me partitë politike dhe se nuk ka një marrëveshje konkrete me Aleancën Kosova e Re apo ndonjë subjekt tjetër politik rreth zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë së re.

Sipas tij, edhe të enjten mund të ndodhë që deputetët nga koalicioni PAN (PDK, AAK dhe Nisma) të mos jenë të pranishëm. Ai tha po ashtu se kjo vonesë nuk po ndodh vetëm për shkak të një mosmarrëveshjeje me AKR-në, por, siç tha ai, po synohet në një Qeveri më gjithëpërfshirëse, e cila mund t’i çonte përpara çështjet dhe temat e rëndësishme për vendin.

Aleanca Kosova e Re, e cila drejtohet nga afaristi i njohur Behgjet Pacolli, ka konfirmuar tashmë se nuk ka arritur ndonjë marrëveshje me koalicionin PAN. Më herët gjatë këtyre ditëve, u tha se Haradinaj dhe Pacolli kishin arritur në parim një marrëveshje që të zgjidhet problemi për krijimin e institucioneve të reja. Mirëpo, zëvendëspresidenti dhe Sekretari i Përgjithshëm i Aleanca Kosova e Re, Vesel Makolli tha një ditë më parë se AKR-ja nuk ka deri më tani asnjë marrëveshje me koalicionin e Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismën për Kosovën, i njohur si koalicioni PAN.

AKR ka garuar në zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit në kuadër të koalicionit me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe subjektin Alternativa.

Ndërkohë, Albin Kurti, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, ka propozuar me anë të një letre publike që, nëse PAN e bojkoton seancën apo nëse refuzon të paraqesë kandidatin e saj për kryetar të Kuvendit më 24 gusht, atëherë të propozohet një kandidat tjetër nga parti politike që do të marrin pjesë në seancë dhe ta votojnë atë.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *