Komisioni i Ekonomisë dhe Financave votoi sot unanimisht pro projektligjit për reformën e pensioneve, duke ia kaluar për miratim Parlamentit në sancën plenare të javës së ardhshme. Projektligji, i njohur edhe si reforma “Veliaj” e pensioneve, u hartua nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, ndihmuar edhe nga Banka Botërore, dhe në thelb të tij ka rritjen e pensioneve nga 1 janari 2015.
Ministri Veliaj e ka cilësuar reformën e pensioneve si fytyrën njerëzore të qeverisë, duke qenë se ajo së pari, sjell siguri për të moshuarit e nesërm, duke funksionuar sipas formulës: Kush kontribuon shumë, përfiton shumë! Skema e re nxit deklarimin e plotë të pagave, ul punën në të zezë dhe sjell përfitim më të madh në pleqëri.
Nga ana tjetër, për herë të parë reforma “Veliaj” fut konceptin e pensionit social, të cilin nga janari 2015 do ta përfitojnë rreth 5000 të moshuar, mbi 70 vjeç, që sot nuk kanë asnjë të ardhur për arsye të ndryshme.
Një nga objektivat kryesore të reformës është edhe reduktimi i defiçitit të lartë, garantimi i përfitimeve të larta e të pranueshëm për qytetarët, bërja e skemës më tërheqëse në mënyrë që qytetarët të jenë të interesuar për të kontribuar e për të deklaruar pagën e tyre reale, si edhe rritja e shkallës së mbulimit të skemës aktuale.
Kjo reformë ka një rëndësi vendimtare për përmirësimin e financave të shtetit, duke qenë se skema aktuale, që financohet me 430 mln USD çdo vit nga buxheti i shtetit, ishte drejt falimentimit dhe nuk garantonte pensione të denja për qytetarët shqiptarë.

Dmth do ulni pensionet