KVV: Fushata e personalizuar nga 2 liderët. KQZ e limituar, nuk mund të funksionojë

redaktor

Tre ditë përpara mbylljes zyrtare të fushatës elektorale, Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë publikoi raportin e tretë paraprak rreth situatës parazgjedhore, duke e vënë theksin tek ngërçi në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, që sipas KVV-së nuk mund të funksionojë vetëm me 4 anëtarë.

“Ngërçi i krijuar në KQZ ende nuk u zgjidh dhe KQZ vijon të funksionojë vetëm me 4 anëtarë, ç’ka e limiton aftësinë për vendimmarrje. KQZ, gjatë gjithë kësaj periudhe është përpjekur të funksionojë normalisht, por ka shmangur vendimet që kërkojnë shumicë të cilësuar. Ka shumë akte që kërkojnë domosdoshmërisht pjesëmarrjen e të paktën 5 anëtarëve të KQZ-së”,- thuhet në raportin e KVV-së.

Sipas Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë, fushata elektorale është dominuar kryesisht nga figurat e dy liderëve të partive kryesore, duke anashkaluar programet politike.

“Fushata është dominuar nga figurat e dy liderëve kryesorë dhe pak u është lënë vend kryetarëve të partive lokale. Është personalizuar dhe është sjellë e gjithë fushata rreth dy liderëve të partive kryesore politike. Ndoshta edhe për këtë arsye edhe tonet në distancë ndaj këtyre dy liderëve janë ashpërsuar. Fushata është drejtuar shpesh në sulme personale dhe jo se çfarë kanë ndërmend të bëjnë për qytetarin”,- theksohet në raport.

Në raportin e KVV-së theksohet se gjatë fushatës zgjedhore nuk kanë munguar as incidentet elektorale, si sulme ndaj zyrave zgjedhore, kërcënime apo sulme fizike ndaj kandidatëve të partive të caktuara. KVV bën të ditur se ka evidentuar raste të përdorimit të administratës në fushatën zgjedhore.

“Ajo ç’ka është shqetësuese është se ka pasur shumë pak reagim nga zyrtarët që akuzoheshin nga mediat se po abuzonin me fushatën. Reagimi i institucioneve të drejtësisë ka qenë pothuajse inekzistent”,- thekson KVV.

Më tej, Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë e konsideron një problem serioz për pavarësinë e mediave, udhëzimin e KQZ-së për transmetimin e kasetave të vëna në dispozicion nga partitë politike.

“Udhëzimi për kasetat e partive në media është një udhëzim që ndikon në profesionalizmin dhe paanshmërinë e mediave, sidomos të atyre që kanë pamundësi për të ndjekur fushatën”,- thuhet në raport.

Rekomandimet
Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë u rekomandon partive politike që të zgjidhin ngërçin në KQZ, duke e plotësuar institucionin zgjedhor me 7 anëtarë.

“Partitë të nxitin dhe të zgjidhin ngërcin në KQZ duke e plotësuar atë me 7 anëtarë të domosdoshëm, organizimi i drejtë i zgjedhjeve qëndron përtej dhe jashtë lojës politike. Garantim për votim të qetë e të sigurt, të ruhen standardet”,- thekson KVV.

Rekomandime të tjera të KVV-së lidhen me funksionimin e komisioneve zonale dhe profesionalizmin e vëzhguesve.

“Komisionet e zonave dhe të qendrave të votimit, kujtojmë që detyrimi i tyre i vetëm është përballë ligjit dhe jo subjekteve që i kanë zgjedhur, duhet tu binden vetëm kodit dhe për këtë do të mbajnë përgjegjësi. Të tregohen objektivë dhe të nxisin tolerancë ditën e zgjedhjeve, janë reflektues të ligjit. Vëzhguesit dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile të jenë të vëmendshëm në vëzhgimin e të gjitha etapave deri në ditën e shpalljes së rezultatit përfundimtar”,- rekomandon KVV.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *