Dërguar me email në
Lidhur me lirimin e Arben Frrokut nga burgu kanë të drejtë ata që thonë “nëse nuk ka prova evidente, askund nuk mund të dënohet njeriu”, sepse nuk jemi në kohën e Enverit, ndonëse, duke mos e njohur në themel dinamikën e hetimit dhe gjykimit, nuk mund të japim një gjykim të plotë se kush ka gabuar. Pavarësisht kësaj, ky gjyq më la shije të hidhur qysh kur gjyqtari kërkoi të provohej koha për të cilin përshkohet rruga nga vendi i vrasjes deri në Kapshticë. Që këtu u dhanë shenjat e para se gjykata nuk ishte e “bindur” me provat se Frroku ndodhej në Tiranë dhe kërkoi këtë provë absurde, pas së cilës avokatët paraqitën një vërtetim nga policia se Arben Frroku s’kishte marrë asnjë gjobë në datën e vrasjes për tejkalim shpejtësie, a thua se nuk ka bërë vaki asnjëherë të ecësh me shpejtësi e të mos ndëshkohesh apo të vrasësh dhe të mos kapesh, siç në këtë rast gjykata vendosi se personi që ka bërë vrasjen s’është kapur ende. Megjithatë, jo vetëm për këtë rast, por për të gjithë, më mirë të mos dënohet një kriminel, sesa një i pafajshëm në qeli. Mbase prokurorët kanë qenë të paaftë, siç janë në gjithë botën. Në Itali, në fakultetet juridike kanë një shprehje që ua thonë studentëve: “Mëso mirë, se ndryshe do bëhesh prokuror”!
