Ky nuk është një diktator

redaktor

Fotografi belg Frederik Buyckx e njeh mirë Shqipërinë. Kur ia sjell hera të vijë e të fotografojë aty, ai i shmang fare qytetet e mëdha, ku duket nuk gjen gjësendi interesante, dhe për këtë ka mirëkuptimin tonë të plotë.

Moda e një art deco-je të vonuar “murale” mbi pallatet e serta proletare të Tiranës kaloi shpejt. Në kushte të tilla, ai nuk zemërohet fare me shqiptarët, është i vendosur të mos i braktisë ata dhe madje shpreson t’u bëjë nder duke tërhequr vëmendjen publikut të tij me foto të Shqipërisë së thellë fshatare, ashtu siç ka bërë më parë me hijet anksiogjene që lëvvizin nëpër rrugët e favelave braziliane.

Në Flickr gjen një set të tillë të realizuar më 2007, ndërkohë që në sitet shqiptare në internet kohët e fundit u bë e njohur edhe një seri tjetër fotografish, Moving Albania, por pa asnjë informacion se kur janë realizuar. Autori i tyre nuk flet për ndonjë udhëtim të dytë në Shqipëri, por duke gjykuar nga stili, evoluimi i tij si fotograf, te vështrimi që ne shohim te ai, ndërkohë që ai na sheh ne, mund të thuhet se është fjala për dy sete fotografish të realizuara në kohë të ndryshme. Të paktën shpresoj të jetë kështu.

Ndërsa në udhëtimin e tij të parë (2007) ai është mrekulluar me pamjet e pashpresuara që i dalin përpara; shkrep aparatin mbi gjithçka që lëviz (një qen duke dalë nga kazani i plehrave), por edhe mbi gjithçka që nuk lëviz (një kokë bagëtie e sapotherur dhe e vendosur në një “sini” betoni). Ke përshtypjen se çdo gjë që i zë rrugën (në kuptimin figurativ por edhe blegtoral, se nuk mungon edhe klisheja e njohur e një tufe delesh që i zënë rrugën makinës ku udhëton një i huaj) është një zbulim i vërtetë për të, që ushtron ndikimin tundues-frikësues të një fenomeni paranormal . Mbase edhe është ashtu. Ne, kemi jetuar aq shumë midis një lloj arti të tillë, sa tani nuk e vëmë më re që jemi të rrethuar prej tij!

Në setin e dytë të fotografive kemi diçka tjetër. Ai është më reflektiv, seleksionon subjektin e tij dhe përpiqet të formulojë një mendim, para se të shkrepë aparatin. Kjo ka ulur pak dinamikën e fotove dhe në ndonjë rast me kujton stilin dhe punimet e H.C. Bresson-it, por mbase është fjala vetëm për një fazë kalimtare ose thjesht më duket mua ashtu. Megjithatë, nga kjo seri e fundit ne shkëputën njërën nga punët e tij që na tërhoqi më shumë vëmendjen. Është fotoja e një burri ende të ri, në intimitetin e dhomës së tij të gjumit. Ai është shtrirë në shtrat, me njërën dorë nën qafë dhe me tjetrën, mbase duke kruajtur gjenitalet.

Eshtë një fotografi e realizuar në standardin më klasik që mund të bëhet. Synimi duket ka qenë të sjellë sa më shumë informacion dhe jo ndonjë ndjesi të veçantë mbrëmësore, pra të na lërë të kuptojmë sadopak si e përjeton personazhi ynë kënaqësinë e gogësitjes pak para se të mbyllë sytë, pas një dite pune të rëndë. Në vështrim kompozicional gjithçka është mbështetur dhe favorizuar nga këndi i dhomës ku është vendosur shtrati dhe mbi të, si rrushi i thatë mbi kabuni, ndodhet portreti i diktatorit shqiptar. Pikërisht drejt tij, siç e kam shënjuar me vija të kuqe, konvergojnë e “çlirohen” të gjitha linjat e tensionet e kuadrit, ashtu sikundër jeta e një populli për gati gjysmë shekulli të tërë u var e tëra te një personazh i tillë që e mbylli vendin si një mizë e zënë brenda sepetit të gjyshes, mbi të cilën vuri edhe disa dyshekë të rëndë. Te ai pra, duhet kërkuar edhe qëllimi i ekzistencës së kësaj fotoje, ai portret është proteina e këtij “kompozimi me krevat”. E megjithatë, gjithçka aty duket mjaft e natyrëshme, intime e familjare, sa një shikues i huaj ka të drejtë të besojë se “ky nuk është një dikatator”. Se kudo në botë portretet të tilla zinin vend gjetiu, nëpër zyra, e shumta në një sallon pritjeje, por kurrë në dhomën e gjumit.

Përkundrazi, për ne fotografia është befasuese dhe na kthen në kohë. Hyjmë në një dhomë tipike fshati shqiptar, ku veç një qilimi sintetik të prodhuar mbase në Turqi, duket se asgjë nuk ka ndryshuar aty (natyrisht po të përjashtojmë edhe atë telin që varet në mur e që duhet të jetë i ushqyesit të telefonit, të cilin, për të qenë i qetë ai ka vendosur ta ruajë nën jorgan).

Fotoja e një artisteje lokale (besoj) me bukuri malësore, edhe pse në të njëjtën lartësi me atë të diktatorit, ka valencë mjaft të ulët për të na ndihmuar të dalim nga “kurthi” e të ruajmë sensin e kohës që jetojmë, të na mbajë larg një ndjenje sikleti që nis e të përfshin ngadalë.

Më bën përshtypje se synimi për të vënë në pah portretin e diktatorit, më saktë frika se mos humbet gjësendi nga lartësia e tij sugjestionuese, e ka shtyrë fotografin të mos luajë as edhe me një gamë minimale dritash më të buta. Dhoma ka një ndriçim pllakë, të theksuar e uniform, gjë jo fort e natyrshme në interiore të tillë, por duket se kështu ai është i sigurt se vizibiliteti i portretit në mur nuk do të bjerret nga ndonjë lojë e dyshimtë tonesh. Se është natë ose të paktën që dielli ka perënduar, këtë e kuptojmë vetëm nga mungesa e dritës përtej tylit që mbulon dritaren.

Dua të besoj sinqerisht se portreti qëndron aty që prej shumë vitesh dhe ka lëvizur herë pas here vetëm sa për t’i dhënë murit një dorë gëlqere. Asgjë nuk ndryshon edhe po qe se është zhvendosur nga shtëpia vjetër dhe ka zënë përsëri vend në banesën e re të ndërtuar në tokat e dikujt tjetër. Në fakt edhe mund të dyshohet për një gjë të tillë dhe portreti është aty për të kujtuar legjitimitetin që i jep ai shpronësimit të pronarve legjitimë.

Më tej, ka shumë të ngjarë që personi nën jorgan (duket ende i ri), të dijë vetëm fjalë të përgjithshme për të, histori të ngelura në kujtesë nga vitet e shkollës fillore, histori të deformuara nga propaganda e ditës (shtypi i Tiranës ka rolin e tij). Ka fort të ngjarë që ai vetë të ketë dashur të mbajë aty mbi kokë atë artisten apo këngëtaren dhe Hoxha të ishte diku tjetër, pak më larg, por i ati do të ketë këmbëngulur që ai të rrijë aty ku është se “nuk i dihet këtyre punëve”.

Gjithsesi, dua të besoj se edhe i ati ka patur mendimin e tij për E. Hoxhën, njeriun që i zbriti fshatarët në rang elementësh statistikorë të llojit “krah pune”, por pragmatizmi i njeriut të rraskapitur tokës, që shkon deri në kufijtë e hipokrizisë, ka rolin e tij që ai portret të ketë ende një vend në muret e shtëpisë së shqiptarve.

Problemi është se duke e patur për vite të tëra para syve një objekt të tillë, ata që e shohin kanë nisur ta harrojnë arsyen fillestare të pranisë së tij aty dhe heqja e tij tashmë prek një sferë irracionale, besëtyte, thua se shtëpia mbetet pa mbrojtësin e vet. Pra, tani është vetë portreti që krijon legjendën e tij.

Brezat e rinj e ruajnë atë ashtu sikundër të parët e të parëve mbanin mbi krye një medalion koranik që nuk ia dinte kush kuptimin a ndonjë ikonë me shpjegime në një gjuhë të panjohur. Moskuptimi i objektit e rrit më tepër dimensionin idhujtar. Gibbon-i më duket flet për adhurimin e fshehtë të disa romakëve për freskat e vjetra, që nuk i kuptonin më, ndërkohë që perandoria kishte përqafuar fe tjetër dhe idhujtarët ishin shndërruar në subjekte talljesh publike.

Tani të mos harrojmë se ajo foto nuk është realizuar nga ndonjëri prej nesh, por nga dikush tjetër që ka vizionin e tij për botën në tërësi e për ne në veçanti. Fotografët nuk njihen si njerëz të shquar të kulturës, ajo për të cilën kanë nevojë më shumë është instinkti i kapjes së çastit, por ajo pak histori që ai do të ketë mësuar për shqiptarët i ka bërë adhuruesit e atij portreti të marrin një dimension të menjëhershëm tragji-komik në sytë e tij. Në fakt më shumë komik se sa tragjik. Ka mjaftuar vetëm kjo që F. Buyckx të shkrepë aparatin dhe të realizojë një foto krejt të pazakonshme, tamam aty ku ne që e kemi atë çdo ditë nën hundë, shohim veçse diçka të bezdisshme, arkaike e pa interes.

Megjithatë edhe fotografi ynë belg, nuk del të jetë krejt pa një rol të caktuar dhe pa një farë “kontributi” të diskutueshëm në këtë realizim.

Kjo foto më solli ndërmend një artikull të famshëm i S. Sontagut, Bota e imazhit. Në faqen 237 të botimit frëngjisht (Œuvres complètes, vëllimi 1, meqë e kam këtu pranë) ajo për të ilustruar mendimin e saj se si e perceptonin kinezët fotografinë, përmend librin Hijet kineze të S. Leys, i cili flet për mënyrën se si ata synonin të rrënjosnin mendimin maoist nëpërmjet jetës së një rekruti të panjohur me emrin Lei Feng. Për këtë kinezët përdornin ekspozita shëtitëse me “dokumente fotografikë”, të cilat titulloheshin: “Lei Feng duke ndihmuar një grua të moshuar të kalojë në anën tjetër të rrugës”., “Lei Feng duke larë fshehurazi teshat e shokut të tij”, “ Lei Feng duke i dhënë bukën e tij shokut që e kishte harruar ta merrte me vete”.

Ne rregull, të gjitha këto për ne nuk janë fare të panjohura (falë portretit në fjalë nuk ishim larg një kulture të tillë politike. A nuk na tregonte S. Gradeci që sh. Enver vishte çorape të arnuara?), por i përmenda për të sjellë së fundi pyetjen që bën S. Sontag, e që lidhet drejtpërdrejtë me foton tonë: Si shpjegohet, thotë ajo, prania mbinatyrore e një fotografi në rrethana kaq intime të jetës së një njeriu? Kuptohet se edhe pyetja jonë është e njëjtë: Si shpjegohet prania e një fotografi belg (nga një “k” në fund të emrit të tij duhet të jetë me origjinë flamande), në çastet kaq intime të jetës së një fshatari shqiptar?

Është vërtet një problem i rëndësishëm që ka të bëjë me autenticitetin e fotos në fjalë dhe me të gjithë procesin e krijimit fotografik. Në vetvete, kemi të drejtë të dyshojmë se këtu është fjala për një “mise en scène”, se fotografi nuk ka hyrë në majë të gishtave në një dhomë gjumi në anë të rrugës dhe në çastin që ka shkrepur aparatin dikush që po flinte aty ka nxjerr kokën nga jorgani. Mund të hamendësohet se midis tyre ka patur një njohje paraprake dhe ai i ka kërkuar të zotit të shtëpisë, apo të birit të zotit të shtëpisë (se krevati është “single”) të shkojë e të futet në shtrat (për të treguar devocionin e tij, ky i fundit, ai ka hequr edhe pantallonat e, në nxitim e sipër, i ka hedhur mbi qilim), ndërkohë që autori i fotografisë rregullon objektivin e aparatit të tij dhe merr vendimin ta ndriçojë dhomën në mënyrë uniforme.

Gjithsesi, për të mos shkuar më tej, nuk kemi arsye të dyshojmë se në improvizim e sipër, F. Buyckx e ka gjetur portretin e Hoxhës nën shtrat apo në qilarin e shtëpisë dhe ka kërkuar ta ngjisin aty lart. Mënyra se si ai portret është fiksuar në pikën ku konvergojnë këndet e tre sipërfaqeve të dhomës, nuk të lë të besosh se është fjala për një mbërthim të improvizuar vetëm për nevojat e fotografisë në fjalë. Ai mbretëron aty si një relikt i një kohe tjetër, por i perligjur me arësye të pathëna sa pragmatike aq edhe idhujtariste. Dhe më shumë se sa një kureshti për të huajt, ajo fotografi drejton gishtin nga ne, për të na treguar se një udhëtar i largët edhe duke na hedhur një sy kalimthi, mund të zbulojë gjëra të fshehura tutje në pjesën më të errët të ndërgjegjes sonë, e mbase të zbulojë ndonjë arsye shtesë pse ka kombe që  nuk rriten.

F. Buyckx është një fotograf i vlerësuar dhe ka publikuar në disa nga mediet më të mëdha në botë. Ato pak punë që i njohim flasin për kërkesa të larta profesionale, me gjithë moshën e re që ka. Dhe pavarsisht nga ndonje “imperfection” ne sigurohemi në këtë bindje kur kujtojmë atë që thoshte H.C. Bresson: Dhjetë mijë fotografitë tuaja të para, janë ato më të këqijat.

*Lyss / Peizazhe të Fjalës

Share This Article
10 Comments
    • Me pelqeu shkrimi.
      Por ajo qe duhet te thuhej ,nuk osht thane.
      Enver Hoxha ishte Perenija e shqiptarve.
      Ai tash ka marre rrolin e PROFETIT te shqiptarise dhe osht ne udhen e Shanjterimit
      Ket rrol edhe pse jan mune me ja zhduk,por rilind ma fort se kurre.
      sepse sich e ka thon dhe ne shkrim arsyet e popujve qe nuk po rriten,qe dikur rriteshin.
      E pra Shqipnija u rrit kur Baca Enver ishte ulun ne krye te venit.
      Ai ishte Diktator i eger,ashtu siç e tha Papa Françesku,femijve jepuni nga nje shpull ne prapanic,por jo ne ftyr.
      Enveri lindi gati 500 vite mbas Skanderbegut.
      Ai ishte Mesia qi ndryshoj token arbnore.

  • Tani ka ardhur koha qè me bindje edhe ata te cilet janè dènuar nè atè periudhe po e kerkojnè dhe e falenderojnè pèr tè mirat qè ka bèrè,duke mos e falur edhe per tè kèqiat.”Demokracia” e adhuruar pèr shumè kohè èshtè sabotuar dhe kamfluar duke deformuar ligjet e aprovuara.Ligje nè fafor tè pakices qe udhèheq ,gjithashtu duke favorizuar korrrupsinin nè institucionet drejtuese.Kjo do tè thotè ta zhbèsh shtetin dhe jo ta bèsh e drejtosh.

  • Nuk e kuptoj fare qellimin e ketij shkrimi!
    Mire fotografi paska hyre ne dhomen e gjumit te nje fshatari dhe ka zbuluar se ai e ka idhull ENVER HOXHEN,por nuk e kuptoj autorin e ketij shkrimi shkrimi,qe tenton te HYJE PERDHUNISHT ne mendimet e prefgerencat tona,duke na detyruar se cfare te mendojme e cfare te preferojme!
    Ne se nje shtet i tere na imponoi me DHUNE vendosjen e shtatores se nje TRADHETARI SATRAP,si ai i Ahmet Zogollit ne mes te Tiranes,cfare te keqe ka qe gjithkush,ne shtepine e tij te mbaje per idhull fotografine e ENVER HOXHES apo Esat Pashe Toptanit???
    Ky eshte TERROR MEDIATIK qe behet ndaj lexuesve per te na imponuar se cfare e si te mendojme!!!
    Ne se gjykoni se jetojme ne nje sistem DEMOKRATIK,nuk kane vend te tilla paragjykime,ndryshe i thone FASHIZEM!!!
    Kemi 25 vjet,qe sa del fotografia e ENVERIT ulurijne HIENAT e djathta,kelyshet e kolaboracionisteve dhe kalemxhinjte e SUNDIMTARIT ne pushtet,sikur doli kucedra!!!
    Por keto 25 vjet A KA KUCEDER ME TE RREZIKESGHME SE Sali Berisha qe e perdorim si GOGOL per te vene femijet ne gjume???
    UJKU,UJKU-therriste fshatari,por CAKALLI bente kerdine!!!

    • Feniks
      po une sa here te kam thene lexo vetem Luftar Pajen ?
      se keshtu je dhe i qete .
      Fotografi nuk mund te “hyj perdhunisht ” as te ty dhe as te ndonje tjeter qe e mendon si ty .E di pse ? sepse ju jeni dhunuar heret ,shume heret
      qysh kur kendonit
      “Argjiro o djep palle ,linde djale per Shqiperi
      gezojme ne dhe gjithe njerzimi se e drejta eshte marksizmi ”

      “Dhe më shumë se sa një kureshti për të huajt, ajo fotografi drejton gishtin nga ne, për të na treguar se një udhëtar i largët edhe duke na hedhur një sy kalimthi, mund të zbulojë gjëra të fshehura tutje në pjesën më të errët të ndërgjegjes sonë, e mbase të zbulojë ndonjë arsye shtesë pse ka kombe që nuk rriten.”

      Bukur ,filozofik , bukur !

      • O derri rose!
        Po krric ngele e nuk u bere gomar akoma??
        Mire qe une e kam per nder te degjoj e shikoj Luftar Pajen,por ti cfare kkrici je qe lexon vetem Sali Berishen??
        Ty te takon te lexosh Osman Gazepin,qe te behesh me i zgjuar,se me kaq vetem samari te mungon!
        Sa per dhunen,qe me trtegon mua,ate e ke provuar ti vete ne kurriz,ne tru e ne gjak!
        Per 50 vjet SOCIALIZEM ke provuar BURGUN,INTERNIMET,PUSHKATIMET dhe perbuzjen e nje shteti e populli te tere!
        Ti je aq krric sa nuk po kupton se edhe keto 25 vjet je po aq i PERBUZUR si atehere,se je nje nga komentuesat me te URRYER ketu!!!
        Vazhdo zhgarravit sa te duash,po GOMAR nuk do behesh dot,se ta ka zene radhen Sali Berisha!!!

      • “Desert rose”.Nuk je ti i vetem qe e ke urryer dikur E.Hoxhen,kur nuk diheshin mire gjerat e urrenin edhe shume te tjere.Por nese kjo Shqiperi qe kemi sot te duket ty(ne total)me e mire nga ajo qe ndertoi ai, me e sigurte nga ajo qe ndertoi ai,me drejtesi me te mire nga ajo qe ndertoi ai,me rend me te sigurte nga ajo qe ndertoi ai,me e kulturuar nga ajo qe ndertoi ai,me respect si shtet me te madh nga ajo qe ndertoi ai,me me perspective ekonomike me te mire nga ajo qe ndertoi ai,me me dinjitet te shqiptarit ne bote me te larte nga ajo qe ndertoi ai,te siguroj se edhe une ashtu si ti, ende do ta urreja si ti E.Hoxhen dhe nuk do ta kujtoja me,ndryshe do te thoshja qe ty, te ka mbetur ora ne vitet 80-te.Kjo bote eshte relative “desert rose”.Le te behet Shqiperia dhe shqiptaret me mire se c’kane qene dhe vet-vetiu E.Hoxha ai do te harrohet,ne te kundert do te behet E.Hoxhen, jane keta qe e kane zevenduar sot qe po e bejne shenjt,dhe per kete faj kane keta.Dhe jane keta qe e kishin ne dore ta benin Shqiperine me te mire nga sa e beri ai,por nuk duan e nuk e bejne dot,prandaj hedhin balte mbi ate dhe gjene mendje te fiksuara si puna jote e i manipulojne.

  • Nuk e di por ky artikull me le nje shije te hidhur.Numri i komenteve dhe permbajtja e tyre le shume per te deshiruar.
    Keto europajanet le te bejne ndonje artikull per orgjite e Domenick Shtrausit ish sefit te FMN dhe kandidatit per president te Frances,per Qilvio Berluskonin qe nuk la 13 vjecare pa salduar,per Ronald Reganin qe kishte palluar 40 engjellushe ne Holliwood,per ate tjetrit qe i hypte te avjoni zhuishit me ato zogezat etj etj …dhe lereni corapet e grisura te Enverit se me shume ja rrisni lavdine.Gezuar festen e shen valentinit

  • nje shkrim vanitoz i nje autori medioker e snob; ka njerez si ky qe i mundon fakti qe ne kohen e komunizmit jetuan si servile e hipokrite dhe tani ,pas pilafit, perpiqen ta perfytyrojne e ta shpallin veten heronj ..
    Por si atehere edhe tani jane heronj butaforike, pa asnje ide e perpjekje reale per te miren e perbashket prandaj shkruajne pafund per te shkuaren se as e kuptojne as e perballojne dot te tashmen, kujtojne se duke shkruar per veten i bejne nder kombit. Jane te mjere, per tu ardhur keq.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *