Kyçet materniteti në Mat, prej 1 muaji pa gjinekolog

Elton Tafaruci

Prej një muaji Spitali i Matit ka mbetur pa mjek gjinekolog. Mungesa e mjekëve specialistë ka krijuar probleme serioze për jetën dhe shëndetin e grave shtatzëna.

Ky shqetësim është ngritur dhe më herët, por tashmë ka kaluar një muaj që kur materniteti i spitalit “Xhavit Mara” nuk ka mjek obstetër gjinekolog. Largimi i mjekut Pjetër Meci ka lënë vakant vendin e një specialisti të tillë.

Ndërkohë, drejtori i spitalit Burrel, Dritan Neli, theksoi për mediat se të paktën tri shkresa ia ka adresuar institucionit të shëndetësisë dhe ka kërkuar emërimin e një mjeku obstetër gjinekolog në Maternitetin e Burrelit, raporton Panorama.

Nëse para një muaji kishte mesatarisht 13-15 gra të shtruara në këtë repart, aktualisht të gjithë shtretërit janë të boshatisur. Personeli i mesëm nuk guxon të marrë përsipër shtrimin e shtatzënave në spital, pasi nuk mund të kryhen lindje.

“Ne, – thanë bluzat e bardha të Maternitetit Burrel, – aktualisht nuk mund të kryejmë vizita për gratë shtatzëna. Aparaturat përdoren vetëm nga mjekët gjinekologë. Në rastet kur vijnë urgjenca, ne bashkëpunojmë me drejtorinë e spitalit dhe pacientja niset drejt spitaleve të Tiranës ose Lezhës, me autoambulancë ose me helikopter”.

Kur flasin për problemet e krijuara muajin e fundit, ato kujtojnë se për lindjen e shtatzënës në Milot në mjetin e transportit, dikush duhet të mbajë përgjegjësi. Infermieret dhe mamitë e Burrelit shprehen se u duket i tepërt qëndrimi në punë, kur ato nuk kanë mundësi t’u afrojnë ndonjë shërbim pacienteve që mbërrijnë në maternitet.

“Është e pafalshme që të mos ketë maternitet për rrethin e Matit me 60 mijë banorë, kur dihet se nevojat janë të shumta.

Vijnë gra shtatzëna nga zonat e thella të Xibrit, Macukullit, Derjanit etj., por atyre nuk u jepet asnjë ndihmë e profilizuar për shqetë- simin që ato kanë. Nuk është zgjidhje dërgimi i tyre në Tiranë e Lezhë. Gratë në lindje kanë nevojë për ndihmë urgjente. Ngjarja e ndodhur në kryeqytet duhet të alarmojë drejtuesit e shëndetësisë”, shtuan infermieret e Burrelit.

Drejtori i spitalit “Xhavit Mara” Burrel, Dritan Neli, tha për mediat se shqetësimi i ngritur është shumë i drejtë. Ai shtoi se të paktën tri herë i është drejtuar me shkresa zyrtare Ministrisë së Shëndetësisë, duke i kërkuar emërimin e një mjeku obstetër gjinekolog në Maternitetin e Burrelit.

“Kemi dërguar shkresa të vazhdueshme në dikaster dhe kemi kërkuar zgjidhje të këtij shqetësimi. Aktualisht nuk kemi asnjë mundësi për t’u ardhur në ndihmë grave shtatzëna. Urgjencat i kemi dërguar me ambulanca ose helikopter në Tiranë dhe Lezhë. Kjo nuk është zgjidhje”, theksoi Neli. Edhe më kritike paraqitet gjendja në Maternitetin e Bulqizës.

Prej më shumë se një viti në rrethin verilindor me më shumë se 40 mijë banorë mungon mjeku gjinekolog. Urgjencat dërgohen kryesisht në Peshkopi, mbi 60 km larg.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *