Laboratori i heroinës në Has, të arrestuarit dalin sot para gjykatës

Ornela

Do të dalin sot para gjykatës së Kukësit personat e arrestuar në lidhje me laboratorin e heroinës në Has.

Më 19 tetor në pranga ranë Xhavit Shuti, Mustaf Shuti, Anila Shuti, Flamur Bisho Çela dhe Vehbi Barushi ndërkohë gjatë ditës së djeshme u bë arrestimi i një biznesmeni turk në fushën e tekstileve.

Emri i turkut të arrestuar ende nuk bëhet i ditur, por burimet pranë grupit hetimor thonë se aktiviteti i tij përdorej si maskim për të sjellë në vendin tonë nga Turqia opium, që përdorej për përgatitjen e heroinës brenda laboratorit në Has.

Në laboratorin e Hasit, ajo përpunohej dhe me pas hidhej në treg me destinacion Gjermaninë dhe vende të tjera të BE-së.

Agjencitë ligjzbatuese tregohen të rezervuara në detaje për shkak të sekretit hetimor, por mësohet se në kërkim është personi që përgatiste heroinën, i njohur ndryshe si kimisti.

Laboratori ishte ngritur në një shtëpi në fshatin Brenogë, i cili lidhet me qytetin përmes një rruge të paasfaltuar.

Objekti mësohet se ishte në pronësi të Xhavit Shutit, i cili pas arrestimit ka dëshmuar se e kishte dhënë me qira ambientin e magazinës por nuk dinte se çfarë ndodhte brenda.

Në brendësi të laboratorit, policia gjeti të paktën 160 pako drogë me peshë 150 kg, të dyshuar si opium dhe heroine, e paketuar dhe e gatshme për transport.

o.j/dita

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *