Mbërrin në 19 numri i pacientëve të konfirmuar zyrtarisht me virusin e gripit të derrit Ah1N1. Laboratori i Virologjisë në Institutin e Shëndetit Publik, pas analizave të kryera në qindra raste, ka konfirmuar gjatë ditës së djeshme se nga mostrat e analizuara janë identifikuar rreth 19 raste të pacientëve të prekur nga ky grip në gjithë vendin. Po sipas këtyre burimeve, mbi 16500 është numri i pacientëve që në dy javët e fundit kanë marrë kujdesin e specializuar mjekësor, si pasojë e ndërlikimeve të shfaqura në shëndet nga virusi i gripit të zakonshëm sezonal. Sipas të dhënave të sistemit “ALERT”, rezulton se numri i përgjithshëm i infeksioneve të sipërme dhe të poshtme respiratore, ka pasur një trend në rritje gjatë dy javëve të fundit të shkurtit, ku konkretisht numri i rasteve është shtuar me 5 për qind më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Përballë kësaj situate, Ministria e Shëndetësisë ka mbledhur gjatë ditës së djeshme komitetin e Ad-Hoc për “Përgjigjen ndaj Gripit”, ku dhe janë përcaktuara masat e gatishmërisë që do të merren në parandalimin komplikacioneve që mund të vijnë nga shtimi i mëtejshëm i këtyre rasteve. Për t’u ardhur në ndihmë pacientëve që manifestojnë gjendje të rënduara shëndetësore ka nisur edhe furnizimi i spitaleve me medikamentin “tamiflu” që përdoret për trajtimin e rasteve të rënda të gripit. Duke qenë se simptomat e gripit gjatë këtij sezoni janë shfaqur në forma nga më të ndryshmet, nga stadet më të lehta deri tek ato më të rënduarat, mjekët apelojnë që të mos neglizhohet marrja e ndihmës mjekësore që në shfaqjen e simptomave të para në mënyrë që të shmangen ndërlikimet, kjo veçanërisht tek fëmijët e vegjël, të moshuarit apo të sëmurët kronikë, të cilët manifestojnë forma të rënda të gripit. Ne spitalin Infektiv çdo ditë paraqiten 40 raste, ku 14 prej tyre janë në gjendje më të rëndë.
Komiteti për gripin
Komiteti, bazuar në të dhënat e sistemit të survejancës epidemiologjike, në lidhje me situatën gripale në vend, arriti në përfundimin se në Shqipëri ekziston një gjendje me intensitet mesatar të qarkullimit të virusit të gripit, me prirje rritëse në 15 ditorin e fundit. Gjithashtu, komiteti mori në shqyrtim dhe analizoi paraqitjen në institucionet shëndetësore të rasteve të komplikuara të gripit. Sipas përfaqësuesve të komitetit, Shqipëria nuk bën përjashtim nga situata e përgjithshme në Evropë, në Itali dhe në Greqi, ku bashkë-qarkullojnë virusi sezonal i gripit dhe virusi pandemik i gripit. Ndërkohë që në Greqi, raportohet një qarkullim i shtuar me intensitet të lartë gripi. Ministri Ilir Beqaj vlerësoi përgjigjen e deritanishme të sistemit shëndetësor në lidhje me kontrollin dhe menaxhimin klinik të rasteve të paraqitura, që kanë të bëjnë me riaktivizimin e mekanizmit të koordinimit në lidhje me menaxhimin e rasteve që kanë nevojë për kujdes spitalor dhe përgatitjen e skemës së menaxhimit të rastit në të gjitha qendrat shëndetësore dhe spitalet e vendit duke u udhëhequr nga Klinika e Sëmundjeve Infektive QSUT në bashkëpunim me ISHP. Në gjendje gatishmërie tashmë janë edhe shërbimet e spitalit universitar “Shefqet Ndroqi”, ku do të ndiqen rastet me sëmundje të rëndë respiratore akute (SRRA) në mënyrë që pacientët të marrin kujdesin intensiv të menjëhershëm. Komiteti, i drejtuar nga Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, është i përbërë nga specialistë të shëndetit publik dhe shërbimeve universitare
Numri i rasteve të idenfitikuara laboratorikisht me infeksion nga virusi pandemik AH1 është 19 në të gjithë vendin, ndërkohë që nga 337 mostra të dyshuara për grip, vetëm në 46 prej tyre është izoluar virus i gripit. Duke filluar nga muaji tetor 2013 e deri më dje, janë raportuar 124 raste me sindromë të rëndë respiratore, prej të cilëve, vetëm 8 rezultojnë pozitivë për virusin e gripit.
Nis shpërndarja e tamiflu-së në spitale
Komiteti udhëzoi gatishmëri të plotë të shërbimeve të laboratorëve dhe reanimacionit, si dhe marrjen masave për shpërndarjen në sasi të mjaftueshme të barit antiviral “Tamiflu” nga Instituti i Shëndetit Publik në spitalet universitarë dhe rajonalë. Së fundi, komiteti udhëzoi informimin në vijimësi të publikut për masat parandaluese dhe mbrojtëse ndaj gripit sezonal, veçanërisht: të moshuarit, të sëmurët kronikë dhe fëmijët.
