Laçi “bie” në shtëpi para Zoryas, Flamurtari shpërbëhet në fund  

anazapta

Shpresat Europiane të Laçit marrin një goditje të rëndë në sfidën e parë të turit të dytë paraeliminator të Europa League. Ukrainasit e Zorya Luhansk rezultuan një kafshatë e pamundur për t’u kapërdirë nga kurbinasit duke e mposhtur 0-3 formacionin e Stavri Nicës brenda në Laç, rezultat që nëse nuk i shumëzon me zero, edhe kjo thjesht për respekt të matematikës i minimalizon në mënyrën më absolute shanset e Laçit për të siguruar kualifikimin një javë më pas në Ukrainë, ku Zoryas që u shfaq dukshëm superiore i mjafton thjeshtë të menaxhojë avantazhin e konsiderueshëm.

Stavri Nica në ndryshim nga ndeshja e një jave më parë me sllovenët e Rudar Velenje e niste me disa ndryshime në formacion ku spikaste prania në fushë si titullar e Morinës i ardhur në huazim nga Tirona për dy përballjet me Zoryan, ndërkohë që Jetmir Sefa e niste nga stoli.

Sfida nisi e ekuilibruar me dy skuadrat që përpiqeshin të ishin të kujdesshme megjithatë rastet për gol nuk munguan që në fillim. Në minutën e 7-të provoi Carls Ofoyen me një goditje nga distanca por nigeriani i Laçit ishte i pafat pasi tentativa e tij potente përfundoi pak centimetra jashtë kuadratit të portës. 3 minuta më pas erdhi dhe përgjigjja e ukrainasve me Ljubenivoc. Diagonalja e serbit edhe pse la të shtangur Vujadonivic përfundoi ngjitur me shtyllën duke mos ndryshuar asgjë në rezultat. Në të 22-n ishin sërish kurbinasit që iu afruan golit. Një kombinim i bukur mes kapitenit Vucaj dhe Mario Morinës, u konkludua me goditjen fluturimthi të sulmuesit, megjithatë ndërhyrja e Shevcenkos nuk lejoi që të prekej rrjeta.

Vetëm një minutë pas këtij rasti të shpërdoruar, Laçi u ndëshkua nga ukrainasit. Një top pa pretendime i hedhur në zonë nga Karavaev u dërgua në rrjetën e tij nga Arjan Sheta. I pafat qendërmbrojtësi në këtë rast ndërsa Laçi duhet niste gjithçka nga disavantazhi. Edhe pse kurbinasit me kalimin e minutave e rritën ndjeshëm ritmin rastet më të rrezikshme vazhdonte t’i krijonte skuadra nga Luhansku. Në minutën e 37-të Yanicck Boli për pak sa nuk befasoi Vujadinovic, por goditja e sulmuesit të Zoryas edhe pse krijoi imazhin e golit përfundoi mbi traversë. Në të 41-n Shevcenko bëri një tjetër ndërhyrje të shkëlqyer pas tentativës së Vucaj nga goditja e dënimit. Në pushim u shkua me avantazhin 1-0 të ukrainasve, ndërkohë që pjesa e dytë nisi me gol për Zoryan. Ishte serbi Ljubenovic që me një goditje fluturimthi brenda zone mposhti për herë të dytë portierin Vujadinovic. Laçi u përpoq të reagonte edhe njëherë tjetër pas golit të pësuar dhe në të 58-n provoi me Adenij që edhe pse i vetëm përballë Shevcenkos nuk arriti ta mposhte këtë të fundit. 5 minuta më pas ishte radha Jetmir Sefës i futur në lojë në fundin e pjesës së parë të vinte në provë portierin mik por edhe këtë herë ai ishte i pakalueshëm. Në të 65-n Boli kishte në këmbët e tij topin e 0-3, por sulmuesi nga Bregu i Fildishtë u tregua i pasaktë i vetëm përballë Vujadinovic. Megjithatë Boli atë që nuk e bëri në të 65-n e bëri 10 minuta më pas duke shënuar edhe të tretin, gol i cili ngjason me goditjen e knock out-it për Laçin që i duhet një mrekulli e vërtetë për t’u kualifikuar në raundin e tretë, por dihet se në futboll ashtu si dhe në jetë mrekullitë nuk ndodhin shpesh.

 

Petrolul Ploieshti – Flamurtari 2-0

Vlonjatët gabojnë që në ndeshjen e parë të Turit të II-të të Europa Ligës. Në formë të mirë, por pa arritur dot të konkretizojnë diçka që do të ishte mbresëlënëse në këtë takim. Rezultati 2-0 praktikisht e çon Flamurtarin në disfavor, ndërsa teorikisht e mban ende në garë. Sfida e kthimit do të luhet në Vlorë, ku pritet që të besuarit e Gjokës të gjejnë rrugën e rrjetës, ndoshta për të rritur më tepër shpresën për kualifikimin.

Pjesa e parë – Relativisht të pozicionuar mirë duke u mbrojtur dhe sulmuar gjatë gjithë minutëshit të parë. Vlonjatët e Ernest Gjokës po tregojnë karakter dhe dëshirë për të marrë rezultat pozitiv në Ploieshti. Përsa u përket vendasve, Albin dhe Mutu shfaqen rrezikshëm përpara portës së Ilion Likës, por pa mundur dot të realizojnë edhe pse shanset i kanë më të mëdha se Flamurtari.

Pjesa e dytë – Flamurtari zhgënjen duke mos ruajtur rezultatin e pjesës së parë. Relativisht një nisje e mirë e fraksionit të dytë të këtij takimi, por pa ruajtur dot rrjetën të paprekur. Ndërkaq, mundësitë për të shëenuar nuk munguan, por shthurja pas pësimit të golit të parë solli dhe pësimin e një tjetër goli, i cili i mban larg kualifkimit, i cili pritet të vendoset në Vlorë pas një jave. Edhe pse tekniku Gjoka kryen disa zëvendësime për të ndryshuar rrjedhën e lojës, sërish nuk ia del përball rumunëve.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *