Laçi e Skënderbeu do të ndeshen sërish sot, këtë herë për Kupën e Shqipërisë, pas barazimit 2-2 të arritur të shtunën në kampionat. Çerekfinalet e Kupës ofrojnë edhe një çift tjetër skuadrash që u pa në kampionat fundjavën e kaluar, me Bylisin e Kukësin që tani e zhvendosin arenën e betejës në Ballsh. Për kampionët sot rikthehet kapiteni Blendi Shkëmbi, i cili mungoi në takimin e kampionatit. Në atë ndeshje, korçarët ishin me fat kur barazuan 2-2 në sekondat shtesë, një rezultat që në Kupë nuk do të ishte aspak i keq, madje edhe humbja 2-1 nuk do t’i prishte punë skuadrës së Mirel Josës, e cila do të luajë ndeshjen e kthimit në fushë e saj.
Në Ballsh, Kukësi do të luajë për herë të parë nën drejtimin e Sulejman Starovës. Drejtori teknik i skuadrës verilindore zëvendëson trajnerin Naxhi Shensoj, i cili dha dorëheqjen pas prishjes së marrëdhënieve me tifozët, të pakënaqur për barazimin me Bylisin. Sot do të jetë tjetër histori dhe përsëritja e shifrave të bardha do të ishte një rezultat i mirë për kuksianët. Në Shkodër do të jetë sfida midis Vllaznisë e Flamurtarit, të dyja skuadra fituese të Kupës më parë.
Takimi është nxehur paraprakisht nga deklaratat e trajnerit të kuqebluve, Agim Canaj, i cili hodhi dyshime për humbjen e Flamurtarit me Besën në kampionat. Në Lushnjë do të luhet pa tifozë, për shkak të dënimit të dhënë dje nga Komisioni i Disiplinës. Aty shkon për vizitë Teuta, favorite përballë vendasve që e kanë mendjen te mbijetesa. Midis çerekfinalistëve, vetëm Kukësi nuk ka provuar të dalë në finale. Katër prej tyre e kanë fituar atë, ndërkohë që Skënderbeu, dominues i kampionateve të fundit, ka si objektiv madhor suksesin e parë në Kupën e Shqipërisë.
Kupa e Shqipërisë
Çerekfinalet
Sot, ora 14:00
Bylis-Kukësi
Laçi-Skënderbeu
Lushnja-Teuta
Vllaznia-Flamurtari
Sot fitoi Skenderbeu 1:0. Laçi i lau duart me kupen. Kjo skuader agresore keshtu e meriton. U qerua Shkumbini tani ka mbetur per t’ u zhdukur edhe Laçi.