Laçi dhe Teuta do të ndeshen në një duel direkt midis skuadrave që synojnë të luajnë në Europa League sezonin e ardhshëm. Ky mund të jetë çifti më i fortë i ditës së sotme, kur luhen katër ndeshje të javës së njëzetë të kampionatit. Të dyja skuadrat i ndan vetëm një pikë, me durrsakët në vendin e tretë dhe laçianët një pozicion më poshtë. Për të njëjtin synim luftojnë edhe Kukësi me Flamurtarin, por të dyja kanë rënë ndjeshëm në renditje. Vendasit do të kërkojnë fitoren e parë në kampionat nën drejtimin e Sulejman Starovës, pasi u mundën nga Besa javën e kaluar. Në Lushnjë do të jetë një duel midis skuadrave që luftojnë për mbijetesë, ku vendasit presin Bylisin. Lushnjarët janë të fortë në fushën e tyre dhe të paktën aty duhet t’i marrin të gjitha pikët, sidomos përballë rivalëve direkt. Ndeshjet e sotme mbyllet me atë midis Skënderbeut dhe Kastriotit, pasdite vonë. Kampionët do të presin krutanët që kanë marrë zemër nga fitorja me Vllazninë, ndërkohë që në stol debuton trajneri Nevil Dede. Ndeshje tërheqëse do të zhvillohen edhe nesër, ku veçohet ajo midis Vllaznisë e Partizanit në “Loro Boriçi”. Në mbrëmje, në “Qemal Stafa” do të takohen dy skuadra që po gëzojnë momente të mira, Tirana e Besa.
KATEGORIA SUPERIORE
Java e 20-të
Sot
Laçi-Teuta 14:00
Lushnja-Bylis 14:00
Kukësi-Flamurtari 14:00
Skënderbeu-Kastrioti 17:00
Nesër
Vllaznia-Partizani 13:00
Tirana-Besa 18:00
Renditja
N Skuadra P Gol F B H
1 Skënderbeu 38 28:15 11 5 3
2 Partizani 30 18:14 9 3 7
3 Teuta 29 28:24 7 8 4
4 Laçi 28 22:19 8 4 7
5 Besa 28 22:20 8 4 6
6 Kukësi 27 17:18 7 6 6
7 Flamurtari* 26 22:21 8 5 6
8 Bylis 23 19:17 5 8 6
9 Vllaznia 22 25:26 6 4 9
10 Kastrioti 21 13:19 6 3 10
11 Tirana 19 8:17 5 4 10
12 Lushnja 19 16:28 5 4 10
* Flamurtari -3 pikë
