Laçi në finalen e Kupës së Shqipërisë, Tirana eliminohet nga turneu duke humbur mundësinë për të mos e mbyllur sezonin pa asnjë trofe. Skuadra e Maganit u mund 1-0 në transfertën kurbinase ku bardhezinjtë u mjaftuan me një gol të James për të gjetur rrugën e suksesit në një ndeshje ku tifozët vendas kishin mbushur shkallët e stadiumit. Minutat e para kaluan të qeta deri në të 17-ën kur një vendim i arbitrit Bardhyl Pashaji që do të krijojë polemika, la me 10 lojtarë skuadrën e Tiranës.
Me fillimin e fraksionit të dytë, James kërcënoi sërish në minutën e 51, por e djathta e tij qethi tranversën e Bakajt. James mbeti rreziku kryesor në prapavijën bardheblu duke kërcënuar sërish 7 minuta më pas. Goli ishte në ajër për James dhe ishte pikërisht sulmuesi i Laçit që shfrytëzoi një top të ardhur nga goditja e këndit, duke korrigjuar shënjestër.
Minutat e mbetura Tirana u tregua e pafuqishme për të çarë mbrojtjen kurbinase që u rreshtua mirë në prapavijë në mbrojtje të rezultatit.
