Humbja në Ballsh ka kompromentuar seriozisht sezonin e Laçit, që në mënyrë paradoksale në kampionat lufton për të mbijetuar, ndërsa është në garë për të fituar Kupën e Shqipërisë, duke qenë në finale me Kukësin.
Një rastësi apo jo, ky është një skenar i përsëritur, pasi dy vite më parë një situatë të tillë e përjetoi Flamurtari. Vlonjatët rrezikuan deri në javën e fundit mbijetesën por sezonin e mbyllën me trofeun e Kupës së fituar në Qemal Stafa.
Këmbanat e alarmit për kurbinasit kishin rënë prej disa javësh, por tashmë klasifikimi kërcënon bardhezinjtë të cilët kanë dorëzuar edhe vendin e 6 në renditje.
Qetësia e të qënit në një zonë të sigurtë është prishur nga humbja në Ballsh, me Bylisin që tashmë është vetëm 3 pikë larg Laçit.
Mungesa e golave në javët e fundit është ndjerë shumë në skuadrën e Ndreut dhe objektivat sezonale tashmë janë vënë në diskutim.
Kjo sepse në garën për mbijetesë nuk janë skuadra të cfarëdoshme, por Flamurtari, Bylsi dhe Vllaznia. Pikërisht ndaj shkodranëve do të jetë finalja e radhës në shtëpi për Laçin, që do të synojë të rimarë vendin e 6.
Për të bërë dicka të tillë nevoitet vetëm fitorja, një rezultat që i mungon bardhezinjve prej 11 javësh, kur thyenin në transfertë Flamurtarin.
Që nga ajo fitore janë regjistruar 3 barazime dhe 7 humbje, një ecuri rekord në sensin negativ, për një skuadër që vitet e fundit vendoste fatet e kampionatit.
