Laçi ka festuar triumfin në Kupën e Shqipërisë, por për skuadrën bardhezi pushimet nuk kanë ardhur ende. Lojtarët do të bëjnë edhe disa ditë stërvitje, para marrjes së pushimeve të shkurtra, për shkak të pjesëmarrjes në Europa League. Fitorja në Kupë i ka hapur dyert e Evropës skuadrës së Stavri Nicës dhe synohet që hera e dytë të jetë më e suksesshme se e para. Për këtë arsye, shumë shpejt do të nisë rinovimi i kontratave me ata futbollistë që janë në përfundim të tyre, ndërkohë që mjaft të tjerë kanë ende marrëveshje të vlefshme me presidentin Pashk Laskaj. Veç konfirmimit të grupit fitues të Kupës, presidenti dhe trajneri kanë si synim forcimin e repartit të sulmit. Nuk dihet ende nëse kanë gjetur tashmë ndonjë sulmues, por e sigurt është që ky repart do të ketë përparësi në prag të pjesëmarrjes në Evropë, ku shpresohet edhe ndonjë short i mirë.
Shpërblimet e premtuara
E shtuna ka qenë pushim për ekipin, i lodhur nga finalja 120-minutëshe me Bylisin, por edhe nga festa. Sot skuadra do të mblidhet, për të marrë shpërblimet e premtuara nga presidenti Laska për fitimin e Kupës. Premtimi i bërë ka qenë për katër milionë lekë, por shifra mund të rritet, deri në dyfish, pasi mund të japin shpërblime edhe sponsorët e tjerë të skuadrës.
Audi për Vucajn
Erjon Vucaj pritet të marrë një dhuratë ekstra sot, nga një prej admiruesve të tij, ish-presidenti Agim Myrtaj. Ky i fundit e pëlqen jashtë mase shkodranin dhe i ka premtuar një makinë Audi në rast se skuadra do të fitonte Kupën. Suksesi është arritur dhe tani lojtari favorit i tifozerisë laçiane merr si shpërblim edhe një makinë të re.
Shqiptaret luajnë në korrik
Shorti i kupave të Evropës për sezonin 2013-14 do të hidhet më 24 qershor në Zvicër, ku katër skuadrat shqiptare do të mësojnë kundërshtarët. Skënderbeu do ta nisë nga raundi i dytë kualifikues në Champions League, ndeshjet e para të të cilit luhen më 16 e 17 korrik, ndërsa kthimi më 23 e 24. Më herët do të luajnë tri skuadrat pjesëmarrëse në Europa League, Laçi, Kukësi e Teuta. Ato marrin pjesë në raundin e parë, ndeshjet e të cilit luhen më 4 dhe 11 korrik. Kundërshtarët e mundshëm të skuadrave shqiptare ende nuk dihen, pasi një pjesë e kampionateve nuk ka përfunduar.
urimet me te mira ekipit Lacian per fitoren historike te Kupes !