“I meritojmë kritikat, sepse luajtëm dobët, megjithatë pa e ekzagjeruar”
Lacio zhvilloi një ndeshje për t’u harruar në Katania, ku u shpartallua nga skuadra vendase me rezultatin 5-0. Një humbje e hidhur edhe për drejtorin sportiv të klubit roman, Igli Tare, i cili nuk kërkon alibi. “Nuk bëmë asgjë nga ato që duhej të bënim dhe Katania fitoi me meritë”, tha ish-kapiteni i Shqipërisë, i cili u vihet kundër kritikave të tepruara. “Është e lehtë të shkatërrohet gjithçka që kemi bërë mirë. Këta lojtarë janë profesionistë seriozë, duhen mbrojtur në momentet e vështira, tani duhet të kuptojmë se cilat ishin gabimet dhe të ecim në rrugën e duhur”. Tare ka ndarë përgjegjësinë për të gjithë, duke mos pranuar që ishte faji i taktikës së zgjedhur nga trajneri Petkoviç.
“Deri në 1-0, ishim ne që patëm rast për të kaluar në epërsi me Rokin. Pastaj pësuam dy gola që nuk duhej t’i pësonim. I dhuruam ata dy gola dhe skuadra e humbi ekuilibrin”. Lacio ndeshet me Romën javën e ardhshme, por Tare nuk mendon se derbi ndikoi te ndeshja e Katanias. “Janë lojtarë me përvojë, nuk i besoj kësaj teorie. Derbi është i rëndësishëm, por edhe renditja është e tillë, por në Katania gabuam gjithçka dhe i meritojmë kritikat”. Në ndeshjen me skuadrën siciliane mungoi Miroslav Klose, por Tare nuk e sheh këtu shkakun e humbjes. “Kemi dy sulmues mjaft të mirë, si Roki e Flokari. Patëm rënie fizike dhe sidomos psikologjike, sepse e humbëm toruan menjëherë pas pësimit të golit të dytë”.