Rimëkëmbja ekonomike botërore mbetet shumë e ngadaltë dhe shumë dobët përballë rrezikut në rritje për shkak të ngadalësimit të ekonomisë kineze dhe të vendeve në zhvillim, vlerësoi sot drejtoresha e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Christine Lagarde.
“Lajmi i mirë është që rimëkëmbja ekonomike vazhdon, ne kemi rritje, nuk jemi në krizë. Lajmi më pak i mirë, është që rimëkëmbja mbetet shumë e avashtë, shumë e dobët dhe rreziqet që peshojnë mbi vazhdimësinë e saj rriten”, deklaroi Lagarde, në Frankfurt.
Për një javë, FMN-ja do të paraqesë parashikimet e saj të reja mbi rritjen ekonomike botërore gjatë asamblesë së pranverës në Uashington dhe ka lënë të kuptohet se vlerësimet e janarit (3,4% në vitin 2016) do të rishikohen në rënie.
