Gjykata Administratie ka pranuar kërkesë-padinë e familjes Cali për të shfrytëzuar Lagunën e Patokut në Laç.
Në këtë mënyrë, Gjykata Administrative shfuqizon vendimin e dhënë nga Ministria e Bujqësisë për dhënien për shfrytëzim të lagunës vëllait të ish-deputetit socialist, Armando Prenga.
Sipas gjykatës, investimi i familjes Cali, tregon seriozitet dhe garanci, pasi ka investuar 30 milionë lekë të reja.
Gjithçka ka nisur 6 muaj më parë kur Ministria e Bujqësisë vendosi të mos e rinovojë lejen e shfrytëzimit të lagunës me pjesëtarët e familjes Cali, duke ia dhënë kontratën e re 10-vjeçare vëllait të deputetit të PS-së në Qarkun e Lezhës.
Pak ditë më vonë, në fillim të prillit, vetë peshkatarët, mes të cilëve, edhe Gjergj Cali, i plagosur gjatë përleshjes para Komisariatit të Policisë së Kurbinit, akuzuan qeverinë për favorizim në tender, me qëllim që ta përfitonte vëllai i Prengës.
Prenga, pasi fitoi tenderin nga Ministria e Bujqësisë për shfrytëzimin e Lagunës, ka tentuar t’ia shesë licencën kundrejt 500 mijë eurove peshkatarëve të familjes Cali, të cilët deri në mars 2015 e kishin atë në shfrytëzim.
Këta të fundit, e kishin kundërshtuar vendimin e MB-së, duke ankimuar vendimin e shpalljes së fituesit të tenderit në Gjykatën Administrative.
Ish-deputeti socialist Prenga, ndodhet në burg me akuzën e plagosjes me dashje së disa personave para komisariatit të policisë Laç dhe armëmbajtje pa leje.
