Filip Lahm është i sigurt se finalja e tretë e Bajernit në katër vjet do të pasohet nga të tjera në të ardhmen e afërt. Kapiteni i Bajernit, i cili ka qenë në fushë në humbjet kundër Interit më 2010 dhe kundër Chelsea-t më 2012, thotë se skuadra është rritur këtë sezon. “Skuadra është zhvilluar në vitet e fundit. Është hera e tretë brenda katër viteve që jemi në finalen e Champions League dhe jam i sigurt se kjo skuadër do të ketë edhe raste të tjera të luajë të tilla ndeshje edhe në vitet që do të vijnë. Kam shumë besim për të ardhmen”, thotë kapiteni. “Te Bajerni ka gjithmonë presion. Jemi kampionë të Gjermanisë dhe javën tjetër luajmë në finalen e Kupës së Gjermanisë, megjithatë kemi përherë presionin për të fituar”. Lahm refuzoi ta quajë skuadrën e tij si favorite, por sheh të ardhme të shkëlqyer në drejtimin e Pep Guardiolës, i cili do të marrë drejtimin pas largimit të Jup Hajnkes. “Le të jetë e qartë se askush nuk e ka të garantuar fitimin e titullit, por nëse sheh në të kaluarën dhe në vitet e fundit, ky është një hap i madh përpara”, shtoi mbrojtësi i djathtë. “Jemi më të pjekur dhe jemi zhvilluar shumë. Tani kemi moshën e duhur, kështu që pse të mos fitojmë? “Wembley” ka traditë të madhe dhe është fantastike të luash në këtë stadium, megjithatë nuk ka rëndësi se ku fiton. Në vitet e fundit, Barcelona ka qenë skuadra më e mirë, e ka fituar disa herë Champions League dhe ajo ishte skuadra që na u desh të mundnim sivjet. Rritjen tonë në mbrojtje e në sulm e treguam kundër Barcelonës. Nuk e di nëse do të jemi në gjendje të marrim stafetën e tyre, por kjo është finalja jonë e tretë dhe tani duam të çojmë kupën në Munih”.