Kapiteni i Bajernit, Filip Lahm, shpreson që Leo Mesi të mungojë sot në “Allianz Arena” dhe shton se Barcelona është favorite, nisur nga rezultatet në Evropë gjatë viteve të fundit. Bavarezët kanë dalë dy herë në finale në tre sezonet e fundit, por Barcelona e ka fituar tri herë trofeun që më 2005-2006. “Pa diskutim që janë më të dobët pa Mesin, këtë e pamë në ndeshjen kundër Parisit. Shpresojmë që ai të mos luajë”, tha Lahm në konferencën e djeshme. “Barcelona ka qenë skuadra që duhej mundur në vitet e fundit dhe këtë duhet ta pranojmë”, tha Lahm. Mbrojtësi i djathtë shpreson megjithatë që Bajerni të marrë një rezultat pozitiv në ndeshjen e parë. “Mendoj se kemi shanse të mira për të fituar dhe ky është synimi ynë. Kemi një grup të mrekullueshëm lojtarësh, të cilët e dinë se çfarë duhet për të fituar. Rezultati pozitiv në shtëpi është i rëndësishëm. Jam i kënaqur që jemi në gjysmëfinale. Tani e kemi ne në dorë për të ecur edhe një hap më tej e të dalim në finale. Nuk ka rëndësi se kë kemi përballë”.
