Lame: Berisha nuk i mbajti premtimet e 100-vjetorit. Festa, marrëzi protokollare

anazapta

Socialistët kanë shpalosur sot listën e gjatë të premtimeve të pambajtura të qeverisë me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë. Gjatë takimit të deputetëve të Partisë Socialiste për buxhetin e vitit 2013, Artan Lame, ka komentuar protokollin e Festës së Flamurit, duke bërë më pas edhe një përmbledhje të asaj çka ishte parashikuar nga qeveria të bëhej para përvjetorit të njëqindtë të pavarësisë, por mbeti thjesht një premtim i pambajtur.

“Berisha premtoi të ndërtonte Bibliotekën Kombëtare, nuk e bëri. Tha se nuk ka dhuratë më të bukur se Parlamenti i ri për 100-vjetor, nuk e bëri. Premtoi obeliskun e të përndjekurve dhe muzeun e të burgosurve të Spaçit, nuk e bëri. Premtoi se do të ndërtonte mauzoleun e Nënë Terezës, nuk e bëri. Premtoi stadiumin e ri kombëtar, nuk e bëri. Premtoi se t’i jepte portin e Shëngjinit Kosovës, nuk e bëri. Premtoi të sillte eshtrat e Ismail Qemalit në Vlorë, këtë nuk kishte si ta bënte, e kishin bërë të tjerë para tij. Berisha tha se 200-vjetori do ta gjejë Vlorën me shtëpinë e pavarësisë të rindërtuar. Ai që nuk vuri një gur për 100-vjetor nuk ka gojë të flasë për përvjetorin e dyqindtë”, tha Lame.

Gjithashtu, Lame i cilësoi marrëzi protokollare shumë momente të ceremonisë festive të 100-vjetorit.  “U thye protokolli i festës. Presidenti i vendit ia la fjalën e hapjes një të huaji. Diplomatët e huaj bojkotuan festën. Të gjithë e pamë shqiponjën tonë të përçudnuar, dhe simbolin e shtetit të prishur, ndërsa për dreka të programuara që nuk hëngrën dhe për ato të paprogramuara që u hëngrën, ende nuk dihet kush ishte i ftuar kush jo”, theksoi Lame.

 

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *