Partia Socialiste ka reaguar sërish sot në lidhje me miratimin e planit urbanistik të Tiranës.
Artan Lame theksoi në një konferencë për shtyp se, megjithëse ditët kalojnë, PS-ja nuk ka marrë asnjë pëgjigje për pyetjet e bëra për miratimin e planit të ri Urbanistik të Tiranës, hartuar nga “ekipi Basha-Malltezi”.
“Çfarë do të ndodhë me atë pjesë të Parkut të liqenit artificial ndërmjet korpusit universitar dhe gardës së Republikës, që është përcaktuar si “zonë zhvillimi”. Siç duket, nuk kanë pasur kohë të bëjnë pazarin ndaj e kanë lënë zonë zhvillimi për ta riparë në vijim se çfarë do të bëjnë me të” tha Lame.
Ai gjithashtu theksoi se zona e gjelbër poshtë Varrezave të Dëshmorëve është kthyer në zonë banimi, madje toka sipas tij, është blerë nga disa përfaqësi diplomatike e njëra prej tyre ka ngritur edhe flamurin, sepse siç janë shprehur edhe ata vetë, në qytet nuk rrihet më”.
Lame gjithashtu iu referua edhe zgjerimit të rrugës së Elbasanit, ku sipas tj, pasi u shkatërrua parku, punimet u braktisën dhe tani ajo është kthyer në burim aksidentesh.
“Për këto tre çështje të reja dhe ato të paraqitura më pare ne përsërimin ftesën tonë për të debatuar me ekipin Basha-Malltezi në cilindo tryezë dhe në cilindo televizion” shtoi sërish Lame.
