Lami: Unë organizova arratisjen e Drenovës

redaktor

Ka marrë një kthesë të papritur gjyqi ndaj 5 të dyshuarve si autorë të ndihmës nga jashtë për arratisjen e 7 të dënuarve nga Burgu i Drenovës 23 nëntorin e vitit të kaluar. Një prej tyre, Elvis Lami, ka marrë dje përsipër gjithçka, duke u rrëfyer në sallën e gjyqit para treshes gjykuese dhe prokurorit. Në procesin për arratisje dhe bashkëpunim janë përveç 7 të pandehurve të dënuar, edhe 4 të arrestuarit që sulmuan komisariatin dhe më pas qëlluan me armë kullat e rojës së burgut për të lehtësuar arratisjen.

“Unë jam organizatori kryesor i arratisjes nga Burgu i Drenovës. Edhe armët në burg i kam futur unë. Madje edhe tritolin në komisariat dhe në murin rrethues të burgut i kam vendosur unë. Shokët e mi nuk kanë faj, ata s’dinin gjë, i mora thjesht për transportin me makinë të të arratisurve”, ka rrëfyer i pandehuri Elvis Lami, bashkëpunëtori i 7 të dënuarve të cilët u arratisën nga Burgu i Drenovës.

Në seancën e djeshme mungonin të pandehurit Admir Tafili, Fran Marashi dhe Gëzim Guri, ndërsa i pranishëm ishte vetëm Flamur Gora dhe 3 nga bashkëpunëtorët Olsian Maçi, Albi Maçini dhe Elvis Lami. Ndërkohë mungonin 2 bashkëpunëtorë të tjerë Alfred Qefalia dhe Bledian Deda. Gjatë zhvillimit të seancës, Lami ka pranuar autorësinë e organizimit të arratisjes, por edhe futjen e armëve në burg, duke shfajësuar shokët e tij.

“Plani i arratisjes është bërë që në Burgun 313 në Tiranë nga unë dhe Admir Tafili. Unë jam njeriu kryesor i planit të arratisjes nga burgu i Drenovës, edhe armët në burg i kam futur unë. Edhe tritolin në komisariat e kam vënë unë, shokët e mi, që i quani bashkëpunëtorë, nuk kanë gisht në arratisje”, tha Lami. Ai pohoi se prej shumë muajsh kishin përgatitur një skenar arratisje se si do e realizonin, që mbeti në fuqi edhe pas transferimit të Tafilit në Drenovë. Elvis Lami ka thënë para trupit gjykues se shokët e tij janë të pafajshëm dhe se nuk kanë gisht në arratisje. Ai ka deklaruar se ata vetëm më kanë ndihmuar me makinë vetëm për t’i transportuar të arratisurit.

“Shokët e mi, që i quani bashkëpunëtorë, nuk kanë gisht në arratisje thjesht më kanë ndihmuar me makinat për t’i çuar të arratisurit deri në Qafë-Thanë. Frigoriferët me armët i kam prodhuar në Shkodër dhe isha unë personalisht që i futa në burgun e Drenovës”, u shpreh Lami. Ai është shprehur se Admir Tafilin e ka njohur në Burgun 313 në Tiranë. Ndërkohë një prej të arratisurve Flamur Gora ka pranuar  akuzën e largimit nga burgu, por që sipas tij është dënuar padrejtësisht me burgim të përjetshëm.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *