Në Britaninë e Madhe hidhen hapat e parë për të “vrarë” Championsin. Sic bëjnë të ditur tabloidët britanikë, drejtuesit e Mançester Sitit, Mançester Junajtid, Arsenalit dhe Çelsit, 5 klubet më të mëdha të Premier League, kanë pasur një takim sekrete në Hotel “Dorchester” të Londrës për të folur mbi projektin e një SuperLige Europiane të manjatit amerikan, Stephen Ross. Gazeta “The Sun” madje ka publikuar dhe imazhet e drejtuesve të këtyre klubeve ndërsa largohen nga hoteli pas takimit.
Një turne i tillë do të ishte jo vetëm goditja më e madhe e futbollit anglez pas krijimit të Premier League në 1992, por dhe fillimi i fundit të Champions League. Ross, pronari i Miami Dolphins në futbollin amerikan, ka shfaqur interes për biznesin e futbollit europian dhe është një nga promotorët e “International Champions Cup”, turneut veror ku marrin pjesë disa nga klubet më të mëdha të Europës, si Çelsi, Mançester Siti, Mançester Junajtid, Liverpul, Real Madrid ndër të tjerë, që kryejnë përgatitjet parasezonale në Shtetet e Bashkuara.
Turneu i ri do t’ju mundësonte klubeve angleze të garonin vetëm me rivalët e mëdhenj europianë, si dhe të evitonin rrezikun që të humbnin miliona në rast moskualifikimi në Champions përmes klasifikimit në kampionat.
Ky projekt do të ishte një bekim për Mançester Junajtid, Çelsin dhe Liverpulin që mund të mbeten jashtë Championsit këtë sezon si pasojë e edicionit të jashtëzakonshëm që po bëjnë skuadra si Leister apo Totenhem.
Ideja e klubeve angleze është që të ftojnë në këtë turne edhe gjigandë të tjerë të Europës si Barcelona, Real Madrid, Milan, Inter apo Bajern Mynih.
