Lamtumirë Komandant Bardhyl Taçi!

redaktor

Bardhyl Taçi e kaloi një jetë të tërë në qiell, në fillim me fluturime të vështira e të rrezikshme, dhe në fund me fluturime të rregullta, të gjata sa kalonin dhe dete e oqeane, por ai për ato kishte lindur e jetuar, për të fluturuar. Përsëri nga qielli e presim të na vijë, nga Shtetet e Bashkuara ku ai u nda nga jeta para disa ditësh, në fluturimin e fundit të jetës së tij për t’u prehur përjetësisht në tokën amë të cilën e deshi dhe i shërbeu me gjithë dashurinë e zemrës. E presin sot Komandantin e Aviacionit Luftarak, pilotin e talentuar Bardhyl Taçi, të gjithë, pilotë, teknikë ushtarak aktivë e veteranë të aviacionit. Komandat Bardhyl Taçi është pjesëtar i asaj plejade të shquar të pilotëve që vunë themelet dhe i kushtuan gjithë jetën e tyre lindjes, rritjes e konsolidimit të kësaj arme të fuqishme dhe të vështirë të Forcave të Armatosura.

Me Bardhyl Taçin jemi takuar sa herë që kthehej në Tiranë nga Bostoni, ku jetonte së bashku me familjen e tij prej disa vitesh. E kishte zakon që sa herë vinte në Tiranë, njoftonte më herët për të na dhënë mundësin që të takoheshim, të çmalleshim dhe të bisedonim. Vetëm kësaj here nuk na njoftoi vetë. Ndodhi diçka e papritur, e dhimbshme dhe ai nuk mundi të na njoftonte se do të vinte në Tiranë të takohej me miq e shok si përherë.

… Me merakun e madh për ecurin e punëve dhe reformave në aviacion, Komandanti sa herë që vinte në Tiranë do të bënte një vizitë e të takohej me drejtues dhe personelin e F. Ajrore. Për ne, efektivin ushtarak e civil, takimi me Bardhyl Taçin sillte një kënaqësi të veçantë. Ai si një kuadër me shumë eksperiencë dinte të bisedonte me përzemërsi me të gjithë, pilotë dhe teknik. Respekti për të ishte i veçantë dhe shumë i madh, sepse i veçant ishte dhe kontributi i tij për aviacionin. Gjeneral Dhori Spirollari komandanti i Forcës Ajrore e priste si një mik e koleg të shquar dhe i krijonte të gjitha lehtësirat që të ndihej sa më mirë. Komandant Bardhyli sa herë që vinte në komandën e Forcës Ajrore do të shprehte dëshirën për të vizituar ndonjë nga repartet apo Bazat e saj dhe vizita e fundin nuk do të bënte përjashtim.

Gjatë një bisede që kam bërë në vizitën e tij të fundit e kam pyetur për periudhën që ai drejtoi aviacionin shqiptar nga viti1975 deri në vitin 1990. Ja përgjigja e Komandant Bardhylit: “Në këtë periudhë në aviacion ishin dhe shumë pilotë të tjerë shumë të përgatitur dhe unë e quaj vehten me fat të madhë që kam punuar e drejtuar aviacionin në atë kohë. Aviacioni nga vitet ‘75-‘90, ka pasur në organikë mbi 200 avionë të tipave të ndryshëm. Në aviacion për periudhën ‘74-‘77, ne bënim çdo vit 22-24000 fluturime në vit, që nuk është e lehtë për t’u besuar për një vend të vogël si Shqipëria. Pas kësaj punë të madhe janë pilotë, teknikë, specialistë dhe pjesa tjetër në mbështetje të saj, që duheshin përgatitur por kërkonin dhe kohë që ishte përcaktuar sipas rregulloreve dhe instruksioneve. Ka qenë punë shumë e vështirë. Jo vetëm stërvitjet e përditëshme në aviacion, por dhe aktivitetet e tjera kërkonin shumë punë. Po përmend paradën ushtarake të vitit 1974 kur vetëm nga regjimenti i Kucovës pati në fluturim 27 avion, tri treshe avionësh Mig-15, tri treshe avionësh Mig-17 dhe tri treshe avionësh Mig-19. Një punë me të vërtet kolosale për gjithë aviacioni e për këtë kanë meritat e tyre dhe Edip Ohri, Haki Jupasi, Lulo Musaj, Sali Dibra, Vasil Andoni, Dhori Zhezha, Klement Aliko, Gezdar Veipi, Harilla Rebi, Etem Mehmeti, Servet Murati e shumë e shumë të tjerë”.

Lidhur me ballafaqimin e aviacionit luftarak shqiptar në gara apo stërvitje me ushtritë e vendeve antare të Traktatit të Varshavës në kohën që ne kemi qenë pjesë e tij, Komandant Bardhyli thoshte:

“Deri në vitin 1960 gati të gjithë pilotët e aviacionit tonë luftarak ishin përgatitur në B.Sovjetik, ku përgatiteshin kryesisht të gjithë pilotët e vendeve të Traktatit, e në këtë mënyrë nuk kishte shumë ndryshime në nivelin e përgatitjes. Në vitin 1959, ne kemi shkuar në B.S., për të bërë kalimin në avionin MIG-19pm, me një grup pilotësh, në përbërje të të cilit kanë qenë Edip Ohri, Haki Jupasi, Lulo Musai, Kosta Dede, Anastas Ngjela, Gezdar Veipi, Mahmut Hysa, Halit Bulku, Bajazit Jaho, Cobo Skënderi, Vasil Andoni dhe unë. Ne ishin shumë të rinj në moshë në krahasim me pilotët e shtatë vendeve të tjera të Traktatit të Varshavës, që merrnin pjesë me përjashtim të B.S., i cili do të organizonte dhe drejtonte të gjithë procesin e përgatitjes dhe të trajnimit. Ne programin e bëmë të plotë dhe si rregull, në fazën përmbyllëse, që ishte përgatitja luftarake do të kryheshin si zakonisht dhe qitje me raketa, sepse ai tip atë armatim kryesor kishte. Ne, programin e përvetësuam shumë mirë në bazë të vlerësimeve që na u dhanë. Në qitjen e organizuar me raketa ajër–ajër, pilotët tanë asgjësuan 9 shenja ajrore, duke u klasifikuar të dytët në mos gaboj pas çekëve. Ky ishte një tregues i formimit shumë të mirë tekniko-profesional. Qendra stërvitore, në mbyllje, dha një banket të madh ku na thanë fjalët më të mira. Ky ka qenë ballafaqimi i parë dhe i fundit që kemi pasur. Ne erdhëm në Shqipëri, por avionët mbërritën më vonë, krejt të rinj dhe që u montuan këtu në vendin tonë”.

Ndërsa kur e kam pyetur se si i kishte përjetuar ngjarje tragjiket që kanë përfunduar me humbje jetë pilotësh, Komandant Bardhyli thoshte:

“Jeta dhe puna në aviacion është luftë shë lufta patjetër që ka heronjët e saj, Historia e Aviacionit tonë është e lavdishme dhe për faktin që për ngritjen dhe konsolidimin e saj kanë kanë punuar me ndergjegje e përkushtim me qindra e qindra pilotë e teknikë, por edhe për faktin që në krye të detyrës kanë rënë rreth 35 dëshmorë. Në stërvitjen e madhe të koduar “Peza”, ku mori pjesë dhe aviacioni me një katërshe në qitje kundër objekteve tokësore na u vra piloti Azbi Serani para syve tanë dhe e kam parë nga afër, se kam qenë në drejtim, në poligon. Ka qenë me të vërtetë një tmerr… S’ka gjë më të dhimbshme se vdekja e një shoku. E kam ndjerë veten shumë ngushtë. Por më e madhja ishte se na u dha urdhër që stërvitja të vazhdonte nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të asaj kohe, Petrit Dume. “Kjo është luftë dhe në luftë ka edhe të vrarë”, na tha. Përcollëm Azbiun në banesën e fundit dhe të nesërmen do vazhdonim detyrën. Merreni me mend në çfarë situate ndodhej regjimenti. Njerëzit ishin të heshtur e të ligështuar. Unë vazhdoja studimet në akademi atëherë. I mblodha shokët dhe u thashë: “Kush do të fluturojë i pari?”. Nuk prita përgjigje se e dija gatishmërinë e tyre. Do të fluturoj unë u thashë. Ashtu bëra. Mora avionin dhe kreva një fluturim në pilotazh mbi aerodrom në lartësi të ulët për të ngritur moralin e trupave dhe …vazhduam detyrën në poligon pastaj”.

Kush ishte piloti Bardhyl Taçi

Bardhyl Taçi u lind në Korçë, në 05.10. 1933, ku kryeu shkollën fillore, si dhe atë 7-vjeçare. Prindrit i humbi të dy gjatë periudhës së luftës, Nëna i vdiq në vitin 1940 dhe babain ia vranë më 1944-n. Viti 1945 e gjeti në Tiranë. Vendi sapo kishte dalë nga lufta Shkolla Ushtarake “Skënderbej” që sapo kishte hapur dyert e saj u bë i pari institucion ushtarak ku Bardhyl Taçi fillon karrierën e gjatë dhe të sukseshme ushtarake. Kur ishte në vitin e tretë të shkollës, nisur dhe nga rezultatet e arritura u njoftuan se do të dërgoheshin për studime në Bashkimin Sovjetik, duke u ofruar degët që mund të zgjidhnim dhe ai preferoj aviacionin. Studioi për pilot në vitet 1951 deri 1955 në Shkollën “Çkallov” ku u diplomua për pilot. Nga viti 1955 deri në vitin 1973 sherben në Regjimentin e Aviacionit në kuçovë në detyra të ndryshme deri dhe komandant i regjimentit. Në përiudhën 1972 deri 1974 studioj në Akademinë Ushtarake. Me ngritjen e bazës ushtarake të Gjadrit caktohet komandant i saj. Në fillim të vitit 1975 dhe deri sa doli në pension në vitin 1990 kryen detyrën e Komandantit të Aviacionit Luftarak Shqiptar.

Share This Article
2 Comments
  • Per aq sa e njoha kur vinte per pune ne Akademine Ushtarake dhe persa e njoha me vone kur punoja ne Komanden e Forcave Ajrore pashe se Bardhyl Taci ishte nje profesionist dhe nje drejtues i paperseritshem i Aviacionit Ushtarak Shqiptar.Njeriu i drejte dhe drejtuesi autoritar shkriheshin persosmerisht te Bardhyl Taci.Ai ka qene njeriu shkolle i Aviacionit. Ai ka qene historia e Aviacionit.Ai do te vazhdoje te jete shume gjate historia e tij.Nuk e besoj qe eshte ndare nga jeta.E pabesueshme ! Nderime autorit per kete homazh!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *