Lamtumirë Prof. Murat Gecaj!

Ornela

Prof. Murat Gecaj

Pas një sëmundjeje të gjatë dhe të rëndë, dje më 16 korrik 2020, u nda nga jeta Prof.  Murat Gecaj.

Ai u lind në fshatin Bujan të Malësisë së Gjakovës (Tropojë), në një familje të thjeshtë e me tradita atdhetare. Shtëpia e tyre u bë bazë e rëndësishme, ku strehohej “Heroi i Popullit”, Bajram Curri.  Nëna  e la jetim, që në moshën 4-vjeçare. Mësimet e para i mori në vendlindje, ndërsa të mesmen në Shkollën Ushtarake “Skënderbej”. Në shtator të vitit 1958, pasi u lirua nga ushtria për arsye shëndetësore, ai nisi studimet e larta për gjuhë-letërsi shqipe, në Universitetin e Tiranës.  Aty kreu, me rezultate të larta vitin e dytë, ku u përzgjodh për t’i vazhduar studimet në Universitetin “Zhdanov” të ish-Leningradit, për t’u specializuar për dialektologji. Por, pas ndërprerjes së marrëdhënieve me ish-Bashkimin Sovjetik, Murati u rikthye në Shqipëri, për t’i vazhduar  studimet në  Fakultetin e Histori-Filologjisë për gjuhë dhe letërsi, të cilat i përfundoi me rezultate të larta, në vitin 1963. Pas mbarimit të  Universitetit, nga që kishte filluar të shkruante që në moshën 14-vjeçare, ai u emërua redaktor në gazetën javore të fëmijëve, “Pionieri”. Ndërsa në vitet 1966-1973, punoi me rininë e kulturën, në qytetin “B.Curri”, ku  shkoi të punojë vullnetarisht, bashkë me familjen. Në janar 1974, meqenëse ishte tepër aktiv me shkrimet e tij në shtypin qendror, u rikthye  redaktor në gazetën e përditëshme “Bashkimi”. Pasi shërbeu aty më shumë se shtatë vjet, u emërua redaktor në Gazetën “Mësuesi”. Aty shërbeu për 22 vjet radhazi, deri sa doli në pension.  Në vitin 1992 mori gradën “Doktor i shkencave pedagogjike”, ndërsa katër vjet më pas, mori titullin  e lartë “Profesor i asociuar”.

Murati, edhe  pse kishte vite  që është larguar nga puna  e përditshme e gazetarit, mendjen dhe  shpirtin  nuk e ndau, për asnjë çast, nga shkrimet publicistike dhe studimore,  aq sa ne shokët dhe miqtë e tij të hershëm i thoshim, si me shaka: “Ku është  lajmi e debati, atje është dhe Murati”. Ai, me përkushtimin dhe pasionin e tij të rrallë, “bëhej sy e vesh”  i ngjarjeve  dhe problematikave të shumta të kohës. Vazhdoi të shkruajë e të botojë pa ndërprerë: artikuj, studime, libra…, me një problematikë, sa të gjerë aq dhe të shumëllojshme.

Prof.  M. Gecaj shquhej edhe si veprimtar shoqëror.  Kishte mbi 15 vjet, që kryente me pasion detyrën e sekretarit të Përgjithshëm të Shoqatës së Arsimtarëve të Shqipërisë, me qendër në Tiranë. Po kështu,ai ishte anëtar dhe “anëtar-nderi” i mjaft shoqatave  të tjera, të cilat veprojnë brenda e jashtë vendit .

Për punë të shquar në fushën e arsimit dhe të shtypit, Prof.Murat Gecaj është dekoruar, me shumë Udhëra e Medalje. Ndërsa, për veprimtari të dendur shoqërore, ai është nderuar me shumë “Mirënjohje”, të dhëna nga shoqata të ndryshme, që funksionojnë brenda dhe jashtë vendit.

Me përkushtimin dhe punën e tij të palodhur, Murati la pas gjurmë me vlera të mëdha shoqërore. Ishte njeri i dashur dhe tepër i ëmbël. Kjo cilësi e tij e rrallë e gjen shprehjen dhe në vargjet: “Murat Gecaj nga Tropoja/burim pena mjaltë goja”, të cilat ja citonim, sa herë pinim kafe bashkë”.

Në personalitetin e tij, ishin harmonizuar mirë  cilësitë njerëzore, me ato të intelektit krijues. Ne, miqtë, shokët dhe kolegët e tij të hershëm, tek ai gjetëm shembullin e publicistit koherent dhe  të studiuesit prodhimtar. Gjurmët e jetës dinamike të Prof. M. Gecaj, brezat do t’i gjejnë të mishëruara në 17 librat e tij  të botuara, me problematikë të larmishme e shumëplanshe: për publicistikën e pedagogjinë, për gjuhësinë e dialektologjinë, për folklorin e letërsinë. Objekt i përmbajtjes së librave të tij  janë bërë, jo vetëm  Shqipëria, por edhe Kosova, Shkupi, Ulqini, Presheva dhe  shumë vende të diasporës. Me krijimtarinë e tij të larmishme, M. Gecaj u përçon brezave: pasionin dhe dashurinë për kulturën dhe diturinë; gazetarisë, profesionalizmin dhe përkushtimin; ndërsa shoqërisë, ëndrrën, shpresën, optimizmin dhe gatishmërinë për t’i shërbyer asaj me devotshmëri.

Qofsh i paharruar, miku dhe shoku ynë  i shtrenjtë Murat!

Bardhyl Xhama, Hysen Ibrahimi, Sejdo Harka, Viron Kona, Kadri Tarelli, Arif Hasko.

Tiranë, më16 korrik 2020

 

Share This Article
7 Comments
  • Po na ikin te gjitha kokat e shkelqyera, ah e mjera Shqiperi, shyqyr qe kemi akoma Ver Llapen dhe Xim Kulufin,

  • Ngushellimet per ikjen e Murat Gecajt i takojne familjes se tij, shokve e miqve te shumte, krejt Tropojes, Malesise se Gjakoves dhe lidhjeve pa fund sociale e profesionale qe ai pati ne gjithe vendin, Nje malesor tipik, i urte e i mencem,intelektual idealist e human.
    Eshte rrefyesi exelent qe me dijet, pasionin dhe gojeembelsine e tij e mbertheu Enver Hoxhen rreth nje ore ne kembe, kur i foli per historine e Malesise e vecanerisht per Bajram Currin gjate vizites ne Muzeun e rrethit, me 1 Qershor 1970…
    Paqe e embelsi ne ate bote ku je nisur, i paharruari Murat! Lamtumire!
    S.D.

    • I thone “U prehte ne paqe” or teveqel se nuk ka shkue me pre dru. Edhe per te ngushelluar, ngushelloni mender me prapanice ju kokra e injoranteve, ju PREFTE Perendia ditet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *