Largimi i CEZ, Xhepa: Shkeli kontratën. Ahmetaj: Fajtore qeveria

redaktor

Privatizimi i Operatorit të Shpërndarjes nga kompania çeke CEZ ka dështuar. Deputetët e djathtë dhe ata të majtë kanë të njëjtin mendim për këtë, por argumentet pse ndodhi kjo janë të kundërta. Deputeti i opozitës, Selami Xhepa shprehet se kontrata dështoi, dhe se vendimi ERE-s ishte ai i duhuri, ndërsa deputeti i opozitës, Arben Ahmetaj ia faturon qeverisë situatën e krijuar në sistemin energjetik.

“Detyrimi që u morr përsipër nga kontraktori nuk u realizua kështu që  në një kuptim ishte një vendim i detyruar që përderisa kjo sipërmarrje dështoi, është mëse normale që ERE të ndërhyjë për të rivendosur situatën. Fakti që më shumë se 50 përqind e energjisë mbetet e pafaturuar dhe nivelet e arkëtimeve janë në shifra shumë të rënda, e bën marrjen përsipër nga shteti të menaxhimit të koorporatës në vendim të detyrueshëm”, tha Selami Xhepa, deputet i maxhorancës.

“Vendimi i ERE është vazhdimësi e të gjithë vendimeve të gabuara, klinteliste me background total politik. ERE së bashku me qeverinë janë përgjegjësit e parë dhe që duhet të përgjigjen përpara ligjit për shkatërrimin e sistemit energjitik shqiptar. Emërimi i Seit Dollapit në administrimin të OSSH ka background total politik. Nëse një kompani ka shkëlqyer në territoret e tjera dhe këtu nuk shkëlqen ka dy arsye kryesore. E para është qeveria e vendit, e dyta është menaxhimi i dobët”, tha Arben Ahmetaj, deputet i PS-së.

Për deputetin Xhepa, administrimi shtetëror i kësaj kompanie do të ndalë përkeqësimin e situatës së krijuar nga CEZ dhe se qytetarët do të jenë të detyruar të paguajnë, pasi në të kundërt do t’u ndërpritet energjia. Vendimi i ERE-s, sipas deputetit Ahmetaj, po jep ndikime negative në rritjen e mospagesës së energjisë.

“Qytetarët janë të detyruar të paguajnë sepse nuk mundet me taksa dhe me mbështetje buxhetore të financohet në mënyrë të përhershme furnizimi me energji i popullsisë. Kështu që normalisht disiplina në treg e koorporatës është e domosdoshme që të rivendoset”, thotë Xhepa.

“Është duke ndikuar seriozisht në furnizimin me energji, në pagesa”, vijon Ahmetaj.

Zgjidhja e kontratës me qeverisë dhe CEZ-it pritet të ketë edhe faturën e saj financiare, pasi kompania çeke do të çojë çështjen në arbitrazh. Opozita deklarohet se kostoja fianciare që duhet të paguajë qeveria shqiptare për largimin e CEZ-it mund të shkojë deri 1 miliardë euro./AS

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *