Erion HABILAJ
Largimi i Ina Ramës nga posti i kryeprokurores ka sjellë diskutime dhe debate të forta mes palëve politike. Mazhoranca është e bindur se mandati i Ramës përfundon në Nëntor ndërsa për opozitën duhet pritur data 23 Maj i vitit të ardhshëm. Por dhe konstitucionalistët janë më shumë me mendimin se kryeprokurorja duhet të plotësoj pesë vjet nga data kur kanë hyrë në fuqi ndryshimet kushtetuese. Gazeta Dita ka pyetur juristin e njohur Gent Ibrahimi I cili është dhe një nga hartuesit e Kushtetutës. Ai shpjegon se ka precedentë të mëparshëm me Kushtetutën e vitit 1998, kur institucioneve i mbaruan mandatet me afatet e llogaritura në ditën që hyri në fuqi kjo Kushtetutë. Sipas Ibrahimit nëse Ina Rama largohet para mandatit, duhet ankimuar në Kushtetuese dhe kjo e fundit mund të krijojë precedentin e jurisprudencës se; Presidenti shkeli Kushtetutën…
Zoti Ibrahimi, Presidenti i Republikës ka nisur procedurat për të zëvendësuar kryeprokuroren Ina Rama brenda këtij muaji. Në gjykimin tuaj kur mbaron mandati i kryeprokurorit aktual dhe a është kushtetues ky veprim i Nishanit?
Presidenti i Republikës është institucioni që ka përgjegjësinë kryesore në procesin e emërimit të Prokurorit të Përgjithshëm. Në këtë kuadër ai e interpreton i pari dispozitën kushtetuese për afatin e qëndrimit në detyrë të Prokurorit të Përgjithshëm. Më tej në procesin e interpretimit përfshihet edhe parlamenti i cili voton kandidatin e përzgjedhur nga Presidenti. Së fundi në këtë proces përfshihet edhe Gjykata Kushtetuese kur vihet në lëvizje përmes një ankimi. Fakti që Presidenti ka nisur procedurat e konsultimit për emërimin e prokurorit të ri tregon se ai e ka interpretuar tashmë dispozitën në fjalë dhe i ka rezultuar se afati i qëndrimit të prokurorit në detyrë fillon në ditën e emërimit dhe përfundon ditën e fundit të vitit të pestë nga ajo datë. Ky është një interpretim zyrtar i Presidentit. Unë mendoj se ky interpretim është i gabuar për arsyet e mëposhtme.
Siç dihet, në momentin e emërimit të prokurores aktuale ligji në fuqi nuk parashikonte ndonjë afat për qëndrimin në detyrë të Prokurorit të Përgjithshëm. Afati 5-vjeçar u vendos vetëm pas ndryshimeve që iu bënë Kushtetutës në prill 2008. Ky rregull i ri, pra afati 5-vjeçar, si çdo rregull ligjor, do duhej të vepronte në të ardhmen. Kjo do të thotë se afati i qëndrimit në detyrë të prokurores aktuale do duhej të konsiderohej i filluar në datën kur hynë në fuqi ndryshimet kushtetuese dhe të vijonte për 5 vjet nga ai moment. Ky është parim i përgjithshëm dhe themelor i së drejtës. Natyrisht, që ky nuk është një parim absolut. Legjislatori mund të zgjedhë që të bëjë një rregullim të ndryshëm duke urdhëruar që një rregull/ligj i miratuar rishtazi t’i shtrijë efektet edhe në të shkuarën ose të mos veprojë për një kohë të caktuar. Mënyra sesi realizohet kjo është formulimi dhe miratimi i disa dispozitave tranzitore të cilat e rregullojnë në mënyrë të posaçme (pra vetëm për atë rast) një problem të caktuar. Kështu p.sh Kushtetuta që hyri në fuqi në vitin 1998 megjithëse parashikonte afate 7 ose 9 vjeçare për disa nga institucionet që parashikoheshin në Kushtetutë, në një dispozitë tranzitore, në faqen e fundit të dokumentit, sqaronte se anëtarët e institucioneve kushtetuese që ishin në detyrë në momentin e hyrjes në fuqi të Kushtetutës së re do të vazhdonin të shërbenin deri në fund të afateve që parashikonte Kushtetuta e vjetër. Një rregullim i ngjashëm mund të ishte bërë edhe në prill 2008. Shumica parlamentare që miratoi rregullin e ri për afatin 5-vjeçar të qëndrimit në detyrë të Prokurorit të Përgjithshëm, në një dispozitë tranzitore mund të kishte urdhëruar që Prokurorja e Përgjithshme në detyrë do të shërbente për 5 vjet nga data e emërimit (jo 5 vjet nga data e hyrjes në fuqi të ndryshimeve kushtetuese). Përsa kohe një rregullim i tillë i posaçëm mungon, do të veproje rregulli i përgjithshëm i treguar më lart sipas të cilit ligjet e reja veprojnë vetëm në të ardhmen. Në këto kushte i vetmi interpretim i lejueshëm i afatit është 5 vjet nga data e hyrjes në fuqi të amendamenteve kushtetuese.
Nëse kemi një largim të parakohshëm të Ina Ramës,cilat janë mekanizmat që e mbrojnë atë nga një shkarkim eventual?
Në rast se Presidenti dhe parlamenti e interpretojnë në mënyrë të gabuar dispozitën për afatin e qëndrimit në detyrë të Prokurorit të Përgjithshëm (siç duket se po bëjnë), mekanizmi i vetëm mbrojtës është një ankim në Gjykatën Kushtetuese. Prokurorja vetë do ta ketë të vështirë të legjitimohet si ankuese, por ankimin në vend të saj mund ta bëjë një grup deputetësh të opozitës.
Sa vlerë ka një ankimim në gjykatën Kushtetuese kur bëhet shkarkimi… Kujtojmë rastin Sollaku që gjykata i dha të drejtë por shkarkimi kishte ndodhur…
Unë mendoj se ankimi në Gjykatën Kushtetuese ka vlerë të madhe pavarësisht se vendimi i gjykatës mund të vije me vonesë. Një vendim i Gjykatës Kushtetuese mbi këtë çështje do të shënonte një arritje të rëndësishme të natyrës jurisprudenciale dhe, çka është më e rëndësishmja, do të evidentonte shkeljen e Kushtetutës nga ana e Presidentit të Republikës. Episode të tilla janë të çmuara sepse kontribuojnë në forcimin e konstitucionalizmit si parim i organizimit të shtetit dhe krijojnë precedentë udhërrëfyes për të ardhmen.
Konstitucionalistët: Presidenti shkel ligjin nëse e dekreton këtë vit kryeprokurorin
Nëse presidenti i Republikës, Bujar Nishani, dekreton emrin e Prokurorit të Përgjithshëm para majit të 2013-ës, shkel ligjin dhe Kushtetutën. Ky është paralajmërimi që bëjnë konstitucionalistët Njazi Jaho dhe Sokol Hazizaj në ditën që kreu i shtetit nisi konsultimet për pasardhësin e Ina Ramës. Sipas Jahos dhe Hazizajt, Presidenti Nishani u nxitua për takimet me krerët e partive parlamentare, pasi ato duhet të parapriheshin nga një tryezë të kreut të shtetit me konstitucionalistët. Debatet për mandatin e Prokurorit të Përgjithshëm lidhen me faktin se Ina Rama u emërua në këtë detyrë disa muaj përpara ndryshimeve kushtetuese të 21 prillit 2008, ku me konsensus, demokratët dhe socialistët, përcaktuan një mandat 5-vjeçar për kreun e organit qendror të akuzës, i cili përfundon në ditën e fundit të vitit të pestë të mandatit të marrë. Deri në kohën e emërimit të Ina Ramës, kryeprokurori kishte mandat të pakufizuar dhe mund të largohej ose me dorëheqje, ose me firmën e presidentit, pas një komisioni hetimor parlamentar.
FRD: Mandati i kryeprokurores përfundon në maj
Fryma e Re Demokratike ka reaguar ndaj nisjes së konsultimeve për prokurorin e ri të përgjithshëm. Afrim Krasniqi, sekretari politik i kësaj partie tha se mandati i Ina Ramës përfundon në maj të vitit të ardhshëm dhe se procedurat e nisura që tani për zëvendësimin e saj do të sjellin pasoja direkte për përgjegjësit konkretë. “Ne jemi për respektimin e tagrit kushtetues të çdo institucioni. FRD apelon maxhorancën të heqë dorë nga praktikat antikushtetuese dhe sjellje partiake në zyrën e lartë të shtetit”, tha Krasniqi.