Ndërrimi i drejtuesve të QSUT-së, valë lëvizjesh edhe në radhët e personelit infermieror e sanitar
Largohen nga puna, por nuk u jepen pagat. Konkretisht bëhet fjalë për fatin e qindra infermierëve dhe punonjësve sanitarë të cilët kanë shërbyer për muaj me radhë në pavijone të ndryshme mjekësore të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Tashmë është bërë e modës ndërrimi i shpeshtë i drejtuesve të kësaj qendre spitalore, situatë kjo që po lë gjurmë të mëdha tek personeli mjekësor, i cili duhet të përballet me ankthin e stërzgjatur të mbajtjes së vendit të punës.
Kambana kësaj radhe ra për 400 punonjës të personelit infermieror e sanitar, të cilët ndonëse kanë punuar në shërbimet e kësaj qendre spitalore, janë flakur në rrugë, e nuk u janë paguar detyrimet që përcakton kontrata për punën e bërë në gjashtë muaj. Për ditë të tëra këta punonjës janë përplasur në dyert e administratës së re të QSUT-së, drejtuesit e së cilës i përcjellin çdo ditë duke u thënë se nuk ka fonde për të shlyer detyrimet e tyre (detyrime të cilat duhet t’i kishte marrë përsipër administrata e mëparshme që i mori në punë, e cila kryesohej nga Saimir Ivziku).
Shumë prej këtyre punonjësve pohojnë se janë ankuar edhe pranë Ministrisë së Shëndetësisë, pranë së cilës kanë marrë si përgjigje vetëm heshtjen. Megjithatë, zyrtarisht sipas drejtorisë së QSUT-së, nuk bëhet fjalë për largime nga puna, por thjesht për mbarim të kontratës së punësimit. Zyrtarisht nga kjo qendër deklarohet se bëhet fjalë vetëm për 180 punonjës, të cilët janë kontraktuar përkohësisht gjatë vitit të shkuar, për të ofruar kujdes në shërbime të ndryshme në pavijonet e klinikave të kësaj qendre, kur ka pasur fluks të lartë pacientësh.
Madje më tej këto burime shtojnë se për një pjesë të mirë të këtyre punonjësve janë rinovuar kontratat një ose dy herë, dhe të gjitha detyrimet sa u takon pagesave janë shlyer.
Pavarësisht deklaratave zyrtare “në mbrojtje të punës së mirë të institucionit”, nën zë pohohet se ndërrimi i drejtuesve është shoqëruar me lëvizje masive edhe në radhët e punonjësve. Madje, ka pasur raste kur punonjës të cilët janë në prag të daljes në pension, u janë bërë kontrata të përkohshme pune, teksa vendet e tyre janë zënë nga punonjës të rinj që kanë ardhur me rekomandim për të marrë një kontratë të plotë pune.
Këto përplasje duket se do të jenë të pranishme sa herë do të ndërrohen drejtuesit e kësaj qendre spitalore, që në fillim vijnë me oreksin dhe dëshirën për të bërë më të mirën për pacientët shqiptarë. Deklarata dhe premtime të cilat mbeten në letër, pasi në të vërtetë asgjë nuk ndodh, pasi klinikat e kësaj qendre spitalore vijojnë të raportojnë të njëjtat probleme. Ndërkohë që janë pacientët ata që i vuajnë pasojat e këtyre ndryshimeve, pasi duhet të përballen jo vetëm me cilësinë e ulët të shërbimeve të ofruara për shkak të mbipopullimit të klinikave, amortizimit të pajisjeve, si dhe mungesës së barnave.
Kështu, për të marrë një shërbim, duhet në çdo rast të paguash, edhe pse ligji siguron favorizime për ata që janë pjesë e skemës së sigurimeve shëndetësore. Çdo vit akordohen fonde të shumta sa i takon sigurimit të barnave që farmacitë e spitalit duhet të kenë në gjendje për pacientët. Por në të vërtetë, farmacitë e spitalit gjithmonë gjenden bosh, duke i detyruar pacientët dhe familjarët e tyre të kalojnë detyrimisht tek faturat e kripura të farmacive private, që kanë mbirë si kërpudhat pranë ambienteve të spitalit. Këto janë problemet imediate, të cilat harrohen të zgjidhen duke i trashëguar si probleme në mënyrë të njëpasnjëshme tek secili pasardhës.
Kërkesa për transferimin e dosjes së pensionit, dokumentet që kërkohen
Ndryshimi i vendbanimit i lejon pensionistët që të mund të aplikojnë për transferimin e pensionit në zonën ku do të ketë banesën e re. Për këtë ata duhet të bëjnë një kërkesë për transferimin e pensionit, të cilën duhet ta depozitojnë në ambientet e Agjencisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore ku ka vendbanimin e ri pensionisti. Në rregulloren e ndarjes së pensioneve përcaktohet se kërkesën e plotësuar, pensionisti duhet ta shoqërojë me një sërë dokumentacionesh. Konkretisht dosja e dokumenteve duhet të ketë në përmbajtje certifikatën familjare e lëshuar nga zyra e gjendjes civile në vendbanimin e ri, certifikatw personale, si dhe një kopje të kontratës midis pensionistit dhe CEZ-it, kur është e mundur dhe kur kërkohen kompensime. Pas plotësimit të kësaj dosje kërkesa i paraqitet inspektorit pritës, i cili kontrollon se cila është qendra paguese postare ku pensionisti tërheq pensionin, cila është drejtoria apo agjencia rajonale e sigurimeve shoqërore, në territorin e së cilës është qendra paguese nga ku do të transferohet dosja e pensionit dhe urdhërpagesa. Pasi i gjen dokumentet dhe kërkesën të rregullt, inspektori pritës bën regjistrimin në librin e pritjes, në rubrikën “Kërkesa për transferim pensioni”. Mbarimi i këtyre procedurave i hap udhë procesit të tërheqjes së pensionit në vendbanimin e ri të përfituesit.
Thirrja e shoqërisë civile
Qeveria të bëjë më shumë për mbrojtjen e fëmijëve
Dikasteret qeveritare duhet të jenë më të kujdesshme në marrjen e masave mbrojtëse për respektimin e të drejtave të fëmijëve. Kjo është thirrja që shoqëria civile i ka bërë Qeverisë, duke qenë se respektimi i të drejtave të fëmijëve mbetet ende në nivele të ulëta. Përfaqësuesit e të gjitha organizatave në mbrojtje të të drejtave të fëmijëve i janë drejtuar qeverisë, që t’i mbështesin fëmijët me qëllim që ata të mos preken nga dhuna dhe abuzimet të cilat lënë gjurmë të rënda në rritjen e formimin e tyre. “Ne, si dhe organizatat e tjera në mbrojte të të drejtave të fëmijëve ftojmë institucionet shqiptare të kontribuojnë më shumë në mbrojtje të të drejtave të fëmijëve. Të gjithë bashkë mund të ndihmojmë që ata të rriten pa dhunë dhe të shëndetshëm. Dhe ju fëmijë duhet të mos lejoni t’u cenohen të drejtat dhe të ngrini zërin tuaj. Ne do t’u mbështesim”, ka deklaruar përfaqësuesja e organizatës “Save the Children”, Helen Lanson. Organizatat apeluan në kuadrin e 20-vjetorit të ratifikimit të Konventës së të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri dhe u kujtuan të vegjëlve, që për çdo të drejtë të shkelur të denoncojnë në linjën “Alo 116”. Ndërkaq drejtori i “World Vision”, Rein Deker, tha se në këtë 100-vjetor të Pavarësisë, që përkon dhe me 20-vjetorin e firmosjes së kësaj konvente, fëmijët duhet të jenë në qendër të vëmendjes së institucioneve shëndetësore, arsimore dhe atyre sociale. Këtë ditë organizatat menduan që ta argëtonin shumë fëmijë duke iu ofruar ndjekjen e një pjese teatrale falas.