Nga Moikom Zeqo
Poezi e shkëlqyer e Lasgushit është ajo, që shtjellohet në një mjedis detar dhe që quhet “Vdekja Jonë”. Poeti e nis poezinë :

Pa shihmë, shihmëzë detar
Mi lundër Venetiku!
Zu po dremit vetëtimtar
Ndajnatë-Adriatiku.
Dhe po të pres me shpirt të vet
Të vemi dal-nga-dalë
Ku-i jep mëshirë-i tmershmi det
Së pamëshirshmes valë…
Një Poet i liqenit e ribën një vegim detar mbi Adriatik. Kjo tregon se mëndja poetike është e pacakëshme. Ndërkohë përshkruhet një qiell argjendi “Vajzëror” i Hënës. Po ndrit i heshtur dhe paqtor nën fundin e detit një “Ujë i Shenjtë”.
Ç’është ky “Ujë i Shenjtë”? Brenda ujit natyror paska edhe një “Ujë të Shenjtë”? Kjo rrit tonin e një misteri befasishëm.
Poeti pastaj që e nis me iluzionin e një skene natyre poezinë në pjesën e dytë të poezisë, me subjektivitetin e tij simbolik përmbi det rishfaq figurën e Vashës dhe të Trimit.
Me një fjalë të një Eve dhe Adami.
Vasha është abstragimi i të gjithw vashave të botës, Trimi është abstragimi i të gjithë trimave të botës.
Mbi këtë det të tmerrshëm që ka mëshirë vetëm për valët e pamëshirta Vasha dhe Trimi këndojnë një këngë dëshpërimi;
Zu po ngre valë-i tmershmi det,
Qëndresa-i humb shkëndijat…
Pa shihi, motër, syt’e vet
Si ngjajnë me të mijat!…
Që sot, ti botë, do mbash zi
Një Mall që vdes përjetë:
Tërheq dy veta uj’i zi
Dh’i tret posi një vetë…
Vdekja në përmbytje Vashës dhe Trimit që shëndrohen nga dy qënie në nj qënie të vetme është njëkohësisht edhe vdekja simbolike e përjetshme e Lasgushit.
Edhe kjo poezi është shkruajtur në Senatoriumin e Athinës në vitin 1918.
***
Me një harmoni të një bashkësie imazhesh, në fakt vetiake, është dhe poezia “Gjeniu i anijes”. Një poezi kryevepër. Edhe këtu mjedisi nuk është i liqenit por i detit.
Vështroni si shket sipër valash
E tundet anija më nge?-
… Me krismë-e me prush prej stërkalash
Mi të shkreptiu një rrufe!…
Ti det, brohori fshehtësire!
Kuptim i potershmë, ti det!
… Po heshtje: ndaj valës së nxire
Gjeniu i anijes po flet:
Prej zallit që sot po largohem,
Fillova mërgimin e ri;
Hepohem… anohem… humbohem…
Po sulmin s’e ndal kursesi.
Dh’aspak nuk më tremb zhurmërija
Ndaj turret me hov e vërtik
Mi ballë-e mi korje të mija
Ndërsimi-i tallazit armik.
Një sqarim i vogël: Korje quhet anët e fryra e lundrave të liqenit. Pavarësisht se Lasgushi flet për një anije detare.
Për atë nuk ka asnjë rëndësi saktësia pedante, sepse edhe simboli i anijes për të është një metaforë.
Gjeniu i Anijes është një figurë përgjithësuese.
Gjeniu përdoret për artistët dhe dijetarët e mëdhenj.
Anija ka një Kapiten. Në lundrime të vështira Kapiteni mund të quhet i madh. Po kush është Gjeniu?
Në vend të ta sqaronte këtë personazh Lasgushi ndërhyn dhe ndërfutet tek Gjeniu i anijes.
Ai thotë se sheh gjeratore ujrash që tretin gjithshka në greminë, por mbi kulmin e valës malore “Unë heq të shpëtoj sa me mund”.
Por vdekja shpejton ta prek dhe ta fundos në mënyrë të tmerrshme, por aspak nuk e thyen rrezikun dhe në këtë tmerr Poeti thotë me gaz:
Se prapa le vazhdën e ndritur-
Q’e hapa me shpirtin fatos-:
Fistonin gazmor ku pat shkitur
Valimi-i anijes q’u sos.
Fjala fiston ka kuptimin e një motivi qëndisjeje, kryesisht në veshjet popullore që zbukurohen me ar dhe argjend.
Nga fundi i anijes, përtej ankthit të tmerrt lë pas në mënyrë gazmore motive të tilla qëndisjeje, gjë që tregon se sa i veçantë dhe i ndërlikuar është sistemi figurativ i Lasgushit.
Gjeniu i Anijes është vetë Poeti. Lundrimi i anijes përfundon, mbaron dhe Gjeniu mbetet në një kujtesë të amëshuar si në lëvizje, “Hepohet, anohet, por përsëri valon”.
Pra vdekja nuk është vdekje.
Kjo poezi nuk di pse më kujton poemën e famëshme të Ëalt Ëhitmnit ” Captain! My Captain!”.
Poezi sa simbolike aq dhe poezi e natyrës.
Si vijimësi edhe në kuptimin e plotësisë poezia tjetër ciklike është “Lundra dhe Flamuri”. Poezia nuk është shkruajtur me strofa katër vargjëshe por me tetë tercina.
Këtu Lasgushi përdor vargjet tercina.
Ngjan se kemi të bëjmë me një Post Scriptum të poezisë “Gjeniu i Anijes”.
Ndërsa tek figura e Gjeniut të Anijes përdoret veta e treta, tek kjo poezi vetë Gjeniu jepet në vetën e parë.
Që larg po vi…, që larg.
Më turren valët varg-evarg,
Un ik dh’hepohem mund si harg…
E sipër tyre shkas,
Valoj me sulm-e gas,
I le tallazet pas.
O vala e egër që tund gjithshka, gjeratoret e ujit janë kërcënuese. Lundrimtari shprehet se një dënim i tillë nuk e tremb aspak.
Një dënim i tillë me vdekje prej deti i lag dhe i shuan thëngjijt prej zjarri “të shpirtit varfanjak”.
O, si po e mbyt i tmerrshmi det!
Zemra që buçet pushon, merr fund dhe zjarri që e tret nga brenda, e s’duhet asgjë në këtë humbje përveç flamurit të anijes në katart.
Flamur i pastër që m’u nxi
Në sulm të lumtur për liri,
Qëndron gazmor në lartësi!…
Tashi katarti-u çduk në det,
Tashi flamuri-u ngjit përpjet,
Valon lirisht si shpirt i let.
Përsëri vdekja nuk është vdekje.
Fundi tragjik nuk është fund tragjik. Ngjan se ka një zhvendosje të nocioneve. Jeta është një luftë me vdekjen. Vdekja trumfon.
Por në përjetësi triumfon përsëri jeta.
Ky është shkallëzimi trinitar në mëndjen e Poetit për tre momentet kohore: Të Jetës, të Vdekjes, të Amëshimit.
***
Pas kësaj apoteoze vjen poezia “Vdekja e Nositit”.
Kemi një kthim në mjedisin liqenor.
Nositi është emri me të cilin pogradecarët i thërrasin pelikanit. Pelikani është vërtet një shpend madhështor dhe ndoshta shtergu të cilit i këndon Lasgushi është vetë pelikani.
Edhe kjo poezi flitet për pelikanin jo në vetë të tretë, por në vetë të parë. Kjo është një nga mënyrat e njohura të vetidentifikimit.
Nositi është vetë Poeti.
Ai po rrëfen para botës, para universit.
Me zjarr ju flas…, me zjarr…
Në gjirin t’im kam hapur varr…
Që t’i jap shpresë-edhe t’j-a marr…
Un’ik liqerit zemërat
Fatlum dh’i pastër si zëmbak,
Po zemra ime kullon gjak;
Se vijnë-urtuar zoqtë-e mi,
Dh’u jap ushqim me dashuri –
Një dashuri për llaftari:
Pa nis ah! Gjirin t’a godas…,
Dh’e hap ah! Gjirin më një ças…,
Dh’i ngij ah! Zoqtë-e vdes me gas!…
Ç’është ky përfytyrim që të kujton një triller?
Sipas një besimi legjendar pelikani është i vetmi shpend në botë, a në univers, që kur zogjtë e tij janë të uritur çan me sqep krahërorin dhe u jep mishin e trupit të tij për t’i ushqyer.
Të gjithëve u kujtohet një nga këngët më të tmerrshme të “Ferrit” të Dantes.
Është fjala për historinë e Kont Ugolinit dhe peshkopit Ruxher. Peshkopi Ruxher duke e patur armik Kont Ugolinin e burgosi në kullën e Pizës së bashku me fëmijët e tij dhe i la pa ushqim dhe pa ujë që të vdisnin.
Fëmijët duke parë që i jati u tret dhe po vdiste më shpejt se ata me lot në sy, me të qara iu lutën që të ushqehej me mishin e tyre, me mishin “që ai iu dha dhe ata po ia kthenin”.
Kjo është legjenda.
Dantja më idhnak dhe më shpagues i ka futur në Ferr edhe Persekutorin, edhe të Persekutuarin. Por në amëshimin e Ferrit Dantja pa (ai e ka shkruar dhe e ka krijuar subjektin) se si Kont Ugolini i dënuar në Ferr ushqehej duke shqyer kokën, trurin e Ruxherit.
Kaq e tmerrshme ka qënë kjo skenë sa tërë komentuesit e Dantes janë munduar ta komentojnë, jnë munduar ta sqarojnë gjithmonë në një ndjesi haluçinante, por asnjëherë nuk kanë qënë shterrues, sepse nuk mund të jenë shterues.
Pra, motivi Dantesk është fëmijët e një babai i japin si ushqim mishin e tyre, kurse babai në botën e përtejme ushqehet me trupin e vrasësit.
Është e vërtetë ajo që është thënë se as tek Shekspiri nuk e gjejmë një mankth të tillë.
Por tek Nositi i Lasgushit kemi një tjetër legjendë.
Ka gjasa një legjendë e krishtërimit të hershëm. Pelikani ushqen me mishin e tij zogjtë është përfytyruar dhe simbolizuar si vetë Jezu Krishti.
Kjo ka të bëjë me Kryqëzimin në Golgota.
Sakrifikimi mbi Kryq ka krijuar ngjashmërinë dhe alegorinë me sakrificën e pelikanit .
Mitologët e krishtërimit në fjalorët e tyre të simboleve e përshkruajnë qartë figurën e pelikanit.
Në periudhën Bizantine në ikonografi në skenat e afreskuara dhe në ikonat e Pasioneve të Krishtit jepet shpesh si një identifikim simbolik figura e Pelikanit.
Historitë e hershme ikonografike Krishti paraqitet me anë një polifonie simbolesh.
Në fillim me anë të simbolit të Kryqit dhe të Spirancës, pastaj me gërmat Alfa dhe Omega.
Të dy shekujt e parë të Krishtërimit të Hershëm kur Perandoria Romake i përndiqte të krishterët duke i quajtur një sekt të mallkuar, besimtarët e krishterë e adhuronin figurën e Krishtit nëpërmjet figurave pagane të Heliosit (Hyut të Diellit), Orfeut (për një analogji që Orfeu mundi të hyjë i gjallë në botën e Hadit dhe të dalë përsëri i gjallë) ose dhe në pamjen e Apolonit.
Në sarkofagët e shekullit të katër që janë në Muzeun e Vatikanit në Romë, në faqet e tyre të skulpturuara në reliev me skena biblike, Krishti paraqitet si një djalë i ri me fytyrën e Apolonit, pa mjekër.
Vetëm nga shekulli X, figura ikonografike e Krishtit paraqitet sipas tipareve Jupiteriane, me mjekër.
Ky arketip u bë përfundimtar.
Po le të kthehemi përsëri tek Nositi i Lasgushit.
Motivi i Nositit nuk tingëllon fare si një rrëfim apo ilustrim për figurën e Krishtit.
Në imagjinatën e Lasgushit Nositi është Sakrifica e Përjetshme.
Nositi është vetë Lasgushi.
Ai nuk ka as ndrojtje madje asnjë hipokrizi dhe formalizëm hieratik, për të nguruar, për të dyshuar, për këtë identifikim.
Identifikimi nuk vjen nga Nositi.
Identifikimi vjen nga Lasgushi tek Nositi.
Ahere-helmohet e buçet
Pas mallit t’im liqeri-i shkret,
E rit tallazin posi det.
Ay e tund, ay e shkund,
Ay e hap sa me të mund,
Gjer mun në gjit, gjer mun në fund.
E shpirtin dyke m’a përcjellë,
Më thotë-ah shih sesa ‘sht’i fellë
Ky gjir’ i em që të pat pjellë…
… Me zjarr ju flas, me zjarr.
Vdekja e Nositit është poezia më simbolike në të gjithë poezitë e letërsisë shqipe. Askush nuk ka mundur ta shkruaj një sintezë të tillë të mrekullueshme.
Poezia ka një ritëm që të kujton fillimin e simfonisë së 9-të të Behtovenit.
A mund ta kish përdorur emrin e Pelikanit në vend të emrit të Nositit Lasgushi?
Qëllimisht ka përdorur emrin lokal të Nositit?
Në liqenin e Pogradecit të gjithë njerëzit i quanin pelikanët Nositë. Lasgushi i referohet kësaj paradigme të vendlindjes, pa mohuar se edhe në një koncept narcizist, ai vetërrëfehet. Ai ishte dhe Gjeniu. Ai është dhe Nositi. Cilësime të tilla të vetëshprehëshme nuk i ka asnjë poet në poezinë shqipe.
***
Përgjithësisht poetët i kanë shpendët e tyre të dashur edhe simbole. Pëllumbi i Noes që solli degën e ullirit është simboli i mbijetesës nga vdekja e përmbytjes.
Pëllumbi është njëkohësisht edhe simboli ikonografik i Shpirtit të Shenjtë.
Lumbardha është shpendi i parapëlqyer i De Rades.
Naimi flet për Dallëndyshen.
Edhe Serembja.
Poeti anglez Xhon Kits i këndon bilbilit.
Shandor Pertef i këndon lejlekut.
Mjeda ynë flet për lejlekun që lanë pëndët në Drin, por shkruan edhe poemën e tij “Vaji i Bylbylit”. Kjo poemë e mrekullueshme është dhe më të bukur se poezia e Kitsit për bilbilin që njihet në tërë letërsitë e Evropës Perëndimore dhe amerikane.
Poema e Mjedës nuk njihet sepse nuk është përkthyer asnjëherë. Ndoshta se është absolutisht e pa mundur që të përkthehet.
Migjeni i këndon”Një shqiponje me krahë të thyer”.
Nuk di raste të tjera me shpendë të poetizuar nga poetët shqiptarë. Prandaj Lasgushi është unik edhe në persiatjet e tij lakonike, gati epigramatike për Nositin.
Ai e vetplotësoi atë që ishte mungesa e tij.
Në këtë mënyrë ai është përherë i pranishëm edhe kur nuk është i pranishëm.

edhe Noli, kur thote per Skendrbeun qe po vjen si pellumb i shkruar, te shpetoje memedhene. Naimi i kendon trumcakut, atij gushekuqit qe sfidon dimrin dhe nuk shtegton. Kurse gurra popullore krahason pambarimisht vajzat me thellezat, djemte me pellumbat, Ose Asdreni, kur krahason lulekuqen me gjendjen e tij shpirterore.