Lasgushi mendimtar, doktoratura për Eminescu-n

DITA Online

 (NGA LIBRI STUDIMOR “LASGUSHI I PANJOHUR” I MOIKOM ZEQOS I SHTEPISE BOTUESE “ERIK”, 2017 )

 Doktoratura për Eminescu-n është mbrojtur nga Lasgush Poradeci më date 23 maj 1933. Në fakt është dorëzuar në fakultetin Filozofik të Universitetit të Grazit më 28 shkurt 1932.

 Ka patur udhëheqës shkencorë Dr. Adolf Zounner, Dr. Friedrich Schür. Teza e doktoraturës është shkruajtur në gjermanisht. Por ka edhe citime në rumanisht, frengjisht dhe latinisht. Ekziston një kopje e kësaj Teze me shkrimin kaligrafik të Lasgushit.

Moikom Zeqo

Në vitin 2009 doktoratura është përkthyer nga origjinali në gjermanisht nga Koço Bendo, është redaktuar nga Afrim Koçi. Titulli në origjinal është : Lazar Gusho, “Der verkannte Eminescu und seine volkstümlich-heimatliche ideologie”, në shqip “Eminescu i injoruar dhe ideologjia e tij popullore – atdhetare”. Ka edhe një nëntitull “Studim gjenetik, duke pasur parasysh lidhjet me kulturën gjermane”.

Botimi për herë të parë në shqip i Tezës ka edhe një parafjalë, të shkruar nga George Miku, ish- Ambasador i Republikës së Rumanisë në Shqipëri. George Miku shpreh çudinë e tij për thellësinë e gjykimit dhe analizave, me njohjen e thellë të Lasgushuit të letërsisë rumune dhe europiane, me aftësinë për të vënë në dukje lidhjet e Eminescu-t me kulturën dhe folklorin rumun si dhe me poezine dhe filozofnë gjermane dhe botërore. Merita e kësaj Monografie – Doktoratë është se zbulimi dhe ndriçimi i ndikimit të letërsisë dhe filozofisë gjermane, tek poeti i madh kombëtar i Rumanisë, tek Eminescu nuk është thjeshtë një mani krahasimtare ose erudicione, sepse Eminescu përthithi brenda vetes disa kultura europiane, për të krijuar veprën e tij origjinale, që pasqyron shpirtin e kombit të vet.

 Kështu Eminescu krijoi një poetike dhe një metrikë krejtësisht të re, e ngriti poezinë rumune në nivelet e poezizë botëror, pra qe një reformator i madh i arit poetik dhe i vetë letërsisë rumune.

Komisioni par të cilit e mbrojti doktoraturën Lasgushi, në Universitetin e Grazit përbëhej nga Joannes Benndorf, Doktor i Filozofisë, Profsor ordinarius i Fizikës, Rektor magnifikus, i Universitetit të Letrave Karol Franciskus, gjithashtu Otto Maull, Doktor i Filozofisë, Profesor ordinarius i Gjeografisë, Dekan i Urdhërit të Filozofëve, si dhe Franciskus Heritsch, Doktor i Filozofisë, Profesor ordinarius i Gjeologjisë dhe Paleontologjisë, Promotor ligjërisht i emëruar. Kët a kanë nënshkruar dokumentin zyrtar që vërteton mbrojtjen me sukses të Doktoraturës “Për Burrin shumë të shkëlqyer, Llazar Gusho. Lindur në qytetin Pogradec të Shqipërisë. Passi me komponimin e Disertacionit: ‘Eminescu i ignoruar dhe ideologjia e tij popullore – vëndese’ dhe Provimet ligjore dhe prova për Shkencë të lavduruarshme në Filologjinë romanike dhe gjermanike i konferuam Emrin dhe Nderimet, të Drejtat dhe Privilegjet e Doktorit të Filozofisë, dhe si vërtetim e pajismë dokumentin me vulën e Universitetit. Dhënë në Graz ditën njëzetekatër të muajit maj 1933”. Dokumenti i kësaj Doktorature ka edhe një shënim të dijetarit Filip Fista, përkthyes i njohur i gjermanishtes, i cili vërteton origjinalitetin zyrtar të këtij punimi. Kuptohet që Doktoratura ruhet akoma dhe sot në bibliotekën e Universitetit të Grazit.

Përveç përkthimit në shqip, Doktoratura është edhe latinisht.

Lasgushi ka qenë 33 vjeç kur e ka shkuar dhe mbrojtur Doktoraturën. 33 vjeç është mosha e Krishtit, e vetmjaftueshme për përjetësinë.

 Lasgushi është ndër të parët shqiptarë i doktoruar jashtë vendit të tyre, në një universitet të famshëm europian, në gjysmën e parë të shekullit XX. Është doktoruar vite më herët sesa Eqrem Çabej.

 Një pyetje lind menjëherë: Pse Lasgushi koncentrohet tek subjekti i emrit dhe krijimtarisë së Eminescu-t. Ja kanë sugjeruar të tjerët, profesorët, miqtë faktin që të doktoronte për Eminescu-n ? Apo e ka zgjedhur vetë? Dhe nëse e ka zgjedhur vetë, kush është shtysa? Pse vallë? A është rastësi? Apo parapëlqim? Për mendimin tim Lasgushi e ka shënuar vetë të shkruajë për Eminescu-n sepse ai (Eminescu ) ishte poeti ku ai shihte vetëveten si poet.

Doktoratura përbën një risi, të ndërmarrë nga një shqiptar. Bëhet fjalë për risinë e studimit krahasimtar e letërsive të ndryshme europiane. Kështu që disiplina e studimit krahasimtar është konstruktuar nga shkolla gjermane e gjuhësisë krahasimtare për herë të parë në Europë.

Pra, Lasgushi është dhe mbetet i pari ndër shqiptarët që guxon dhe shtjellon një disiplinë të tillë novatore, ku të veçantat janë plotësuese, edhe kur brenda tyre ose ndërmjet tyre ka kontraste dhe shprehje linguistike të ndryshme. Ky synim disiplinor, i substancializuar shkencërisht, nuk është për t’u çuditur që në letrat shqipe nuk kemi një studim monografik të ngjashëm të hullisë lasgushiane për Eminescu-n.

Në kohën që Lasgushi e bëri këtë studim kritikat e raporteve të ndërsjellta kulturore midis popujve kishin një lulëzim në kontinentin e vjetër. Kështu marrëdhëniet letrare rumuno-franceze, rumuno-italiane kishin subjektuar shumë punime përmbledhëse. Pra, ishin krijuar disa modele. Ndërkohë, sipas pikëpamjes së Lasgushit, marrëdhëniet që të çojnë nga letërsia gjermane në atë rumune mbeten detyrë e së ardhmes.

 Ekzistonin disa hulumtime që synonin shpjegimin e ndikimeve gjermane mbi veprat rumune, madje mbi veprën poetike të Eminescu-t, por Lasgushi mendon që ato janë të rastësishme dhe të strukturuara në mënyrë përmbledhëse. Është e vështirë të bësh një tablo të plotë. Gjithmonë është e gjallë mundësia për hulumtime dhe njohuri të reja për të njëjtat tema.

Eminescu

 Studimi i Lasgushit për Eminescu-n i shërben si rumunologut gjerman ashtu edhe gjermanologut rumun. Lasgushi është i vetëdijshëm se paraqitja e tij e ndërthurur për këtë subjekt mungonte në vitet ’30 në Rumani. Doktoratura nis nga një Hyrje, është e nevojshme të shpjegohet paraprakisht se kultura bashkëkohore rumune, si dhe kulturat e shteteve euopiane janë të vendosura mbi baza kombëtare (kombëtariste). Kjo ftillëzohet që nga koha e Revolucionit të Madh Francez, i cili ndikoi me idetë e lirisë. Ky Revolucion i Madh u ndje edhe në kulturën rumune. Shkrimtarë intelektualë, rumunë që mësuan në Francë, i shumfishuan idetë e reja të lirisë, duke modeluar ndërgjegjien e tyre kombëtare. Lasgushi përmend poetët rumunë Bolintinueau dhe Aleksandri në veprat e të cilëve “dallohet një ndikim i thellë francez”.

 Por, Lasgushi përqëndrohet në ndikimin e një tjetre kulture, asaj gjermane. Për arsye historike kultura gjermane ka patur një ndikim të madh në Rumani.

 Shkrimtarë të tillë si Mihai Kogalniceanu,që veç të tjerave pati merita edhe si historian , si burrë shteti dhe ligjërues tribunash, që kishte studiuar në Universitetin e Berlinit “Frederich Vilhelm” e quante pikërisht universitetin si “nënë e tij të dytë”, duke theksuar se kultura gjermane ndihmoi të ndizej pishtari i dashurisë për atdheun rumun. Ishte e domosodoshme rilindja mendore dhe letrare e Rumanisë në shekullin e XIX. Kështu shoqata letrare “Junimea” ishte e drejtuar prej anëtarëve kryesorë themelues Titu Maiorescu dhe Jacob Negruzzi, të cilët kishin studiuar në Berlin botuan organin “Convorbiri Literare”, ku shkroi dhe u bë i njohur poeti më i shquar i Rumanisë bashkëkohore Mihail Eminescu.

 Eminescu kishte studiuar në truallin gjerman, vitet 1868 – 1872 në Vjenë, kurse më 1872-1874 në Berlin. Para shfaqjes së Eminescu-t letërsia rumune kishte edhe ndikime më të hershme. Një nga këto ndikime karakterizohej nga një ndikim sllavo-bizantin i ardhur nga Lindja. Ndikimi perëndimor do ti kushtohej dhe Rilindja , që në letrat rumune nis një epokë e re, nga drejtimi i ashtuquajtur “Latin” (Directia Latinista). Qe një parim i tepruar vëren Lasgushi por thelbi Roman të rumunëve. Nënvizimi metamorfizues Roman duhej kapërcyer për të shkuar drejt kombëtarizmit, dhe të një realiteti rumun shtetëror. Por këtë gjë më mirë nga të gjithë e shprehu Eminescu.

 Kështu në shekullin e XIX, personalitetet rumune iu kundërvunë çdo përvetësimi të pasurive kulturore të huaja, pra lektisjes “Latine – Romanike”. Ata kërkonin qenësinë e mirëfilltë, vërtet popullore rumune. Pra, në një farë mënyre duhej rumanizuar Rumania në vetëvete si mendësi kombëtare. Kur ende idetë e kësaj rrymë qenë në tranzicion në një akt fermentues, shfaqet Eminescu, siç thotë Lasgushi “me ideologjinë e tij atdhetare – popullore e cila karakterizon gjithë krijimtarinë e tij, si atë në fushën e krijimtarisë poetike.

 Por ndikimi i Eminescu-t në letërsinë rumune nis vetëm më vonë, në sfondet psikologjike të botëkuptimit të tij poetik. Kështu që Eminescu është një ferment historik i botëkuptimit modern rumun në shekullin XIX.

 Por si do ta vërtetojë këtë gjë Lasgushi në analizën e vtë studimore?

 Lasgushi shtjellon pikërisht një optikë strukturaliste, zbërthyese për disa nga krijimet më emblematike të poezisë së Eminescu-t.

Në kapitullin e parë të Doktoraturës, Lasgushi përqëndrohet tek poema “La Steaoa (Ylli)”. Kozmosi poetik i Eminescu-t i ka rrënjët shumë thellë në psiqikën popullore, prandaj ai mbetet brenda sferës së përgjithshme të tipologjisë rumune. Eminescu tek poema e tij sjell motivin e një ylli të shuar në gjithësi. Drita e këtij ylli kur ai shkëlqente ishte e padukshme për shkak të largësisë së madhe astrologjike. Por kjo dritë udhëton. Kjo dritë njerëzit në planetin e Tokës mund ta shohin vetëm pas disa mijëvjeçarësh. Ndërkohë ylli në të vërtetë është krejt i shuar prej kohësh. Ky motiv ka të bëjë me injorimin në të gjallë të Poetit, por që ka një vijimsi ndryshuese, që pasohet nga një njohje post morten. Kjo simbolikë i pëlqen Eminescu-t. Në të shikojmë injorimin por edhe lavdinë e emrit të tij. Në të vërtetë “La Steaoa” është një gjenezë, një përkthim ose imitim i poezisë së Gottfried Keller “Siehst du den Stern”. Megjithatë a është ky një krijim spontan? Apo ç’është? Dhe si? Mbasi bën krahasimin në dy gjuhë e poezisë së Kellerit dhe Eminescu-t studiuesi Lasgush konkludon se “këtu nuk mund të bëhet fjalë thjesht për një përkthim”. Përkthimi duhet të jetë një pasqyrë autentike e origjinalit. Por Lasgushi e tepron kur thotë se përkthimi në një gjuhë të dytë duhet të pasqyrojë përmbajtjen e gjuhës së parë “me saktësi absolute”, ndërsa formën me saktësi sa më të përafërt. Nuk e mohon dot faktin se Eminescu e ka marrë motivin nga origjinali gjerman. Poezia Eminescu-iane nuk është thjesht imitim në momente të gjetura në origjinalitet dhe reminishencë së poezisë së Kellerit, ndonëse renditja e imazheve, te të dyja poezitë janë fjalë për fjalë të njëjta.

Që Eminescu e ka njohur poezinë Keller-ianë nuk ka asnjë dyshim. Pjesa poetike e Eminescu-t në poezinë “La Steaoa”, duhet kërkuar sipas Lasgushit në nuancimin origjinal të motivit Keller-ian, në mënyrën e përceptimint Eminescu-ian. Ka shprehje personale dhe karakteristike, të dallueshme, të idesë së përbashkët, të të njëtit motiv. Edhe kur poezia gatuhet me imazhe të përbashkëta dhe të përgjithëshme, ka rëndësi vendimtare trajtimi individual intuitës estetike.

 Lasgushi citon Shopenhaurin që thotë se “merita e artistit nuk qëndron në lëndën për të cilën ai ka menduar”, por “në formën, d.m.th në përpunimin e lëndës, pra, çfarë ai ka menduar për të”.Si provë për karakterin nuancues, në ndryshim nga origjinali, shërbejnë elementët gjuhësorë dhe stilistikorë që përdoren nga Eminescu.

Në këtë përpunim është një dukuri origjinale e Eminescu-t “bashkimi i dy termave antonimikë”, të cilët mbartin kuptimin e dyfishtë në mënyrë sintetike. Kështu vargu “Amorul meu cel dureros” do të thotë “Dashuria ime plot dhimbje” termat antonimikë janë “dashuri” si dhe “dhimbje”. Kjo krijon trazim të dyfishtë shpirtëror. Dhimbja përjetohet si kënaqësi e thellë mistike. Eminescu e ka të përbashkët këtë gje me shumë poetë të tjerë romantikë si, Kieck, Novalis, Holderlin .

 Ja një varg nga Holderlin “Menos Klage um Diotima” që do të thotë “Sa i lumtur jam në këtë dhimbje”. Këtë gjë e përdor edhe vetë Lasgushi në poezinë e tij. Për Lasgushin strofa e parafundit në poezinë e Eminescu-t ku flitet për dukurinë natyrore të dukshmërisë së një ylli, tashmë ta padukshëm sepse është zhdukur, është një simbol i madh. Kjo strofë, tepër e rëndësishme për rastin e Eminescu-t është gdhendur tek monedha përkujtimore e derdhur në Galazë në rastin e 20 vjetorit të vdekjes së Eminescu-t. kështu ndikimi gjerman tjetërsohet në origjinalin e pamohueshëm rumun. Kjo ndodh për arsye estetike, ku konfiguracioni plastik dhe muzikaliteti i formës shtjellojnë diçka të mëvetëshme.

 Por kjo teori shpjeguese ende nuk është provë vendimtare por gjithësesi, siç do ta shpreh edhe më pas përbën ehe një shpjegim vetjak për vetë poezinë e krijuar nga Lasgush Poradeci.

Kapitujt e tjerë i drejtohen historisë. Në kapitullin e dytë flitet për prejardhjen e popullit rumun. Eminescu si poeti vendimtar ka kultin për të shkuarën e lashtë dhe të lavdishme të atdheut, sipas tij kjo ka të bëjë me “fenë e njerëzisë”.

 Mënyra si adhurojnë popujt e kulturuar të shkuarën e tyre kombëtare përjetohet në mënyrë pothuajse mistike.

Në një dorëshkrim të Eminescu-t bëhet ky pohim i çuditshëm: “kur gjendem përballë së vjetrës … më duket sikur jam në një vatër të ngrohtë … përballë modernes ndjehem sikur jam në një dhomë të akullt”, Eminescu thotë se njeriu mendon me shpirt. Në këtë kuptim ajo që është jetuar dikur nuk mund të zhbëhet. Eminescu është karakterizuar nga gjendjet e turbullta shpirtërore. Ai ka vuajtur nga sëmundje të rëndta mendore. Poeti i lutet Zotit të ekzistencës që t’i lejojë atij qetësinë e përjetëshme të vdekjes. Me vdekje ai do të njësohet me të shkuarën e lavdishme.

 Lasgushi vëren se me këtë ide dallohet ndikimi i Nirvanës, së popullarizuar nga Shopenhauri, filozof i preferuar i Eminescu-t. Kuptimi i një zhdukjeje pa lënë gjurmë është marrë nga terminologjia Brahmane Budiste edhe kozmogonia e Eminescu-t lidhet me njohjen e tij të kozmogonisë të Budizmit. E kaluara zanafillore e rumunëve, në vendbanimin autokton lidhet me origjinën dake. Kjo mitizohet nga Eminescu. Nuk i pëlqen thënia “dake të romanizuar”. E kapërcen procesin shkencor të formimit të gjuhës rumune. Historitë e fillimit bëhen të pashmangshme si historitë e gjithëkohëshme.

 Në kapitullin e tretë “Fillesat e atdheut rumun” sërish Eminescu si poet romantik e shikon historinë e atdheut më shumë si poezi sesa si disiplinë të rreptë. Historicizmin real ai e poetizon në mënyrë subjektive. Ai përmend disa figura historike si Bogdani (1359-1365), prijësin e banorëve rumunë, dukatin e vjetër të Maramaros në Transilvani i cili prej këtu shtegtoi drejt Moldavisë ku u bë sundimtar i shquar. Eminescu e përshkruan shtegtimin e Bogdanit, gati si profeci. Kapitullin e katërt “Përlavdërimi i sundimtarit të Moldavisë, Stefani i Madh” eminescu vazhdon me lavdërimet poetike për këtë “baba dhe themelues të vendit të Moldavisë”.

Në vitin 1770, me rastin e 400 vjetorit të festës së përkujtimit të manastrit “Manastirea Putna” në Bukovin, ku është varrosur Stefani i Madh, rinia rumune nga Universiteti i Vjenës bëri një manifestim të shënuar me pjesëmarrjen e studentëve rumunë nga të gjitha vendet e Europës.

Ky nderim simbolik i kushtohej të shkuarës si kujtesë dhe si origjinë, që ndërgjegjia kombëtare rumune deri atëherë e fjetur, të zgjohej dhe të ngrihej lartë. Lasgushi analizon tërë ndikimin e kësaj ngjarjeje te Eminescu. Eminescu besonte tek misioni kulturor ringjallës i Moldavisë për gjithë rumanizimin.

 Por Lasgushi me të drejtë vëren “Ky mendim i Eminescu-t, që ishte i përligjur për rrethanat e atëhershme kulturore dhe shtetërore, sot, për shkak të pushtetit të sendeve, është më pak bashkëkohorë”.

Padyshim poema më e madhe e quajtur “Luceafarul” e Eminescu-t është përzgjedhur nga Lasgushi për t’u analizuar, sepse është “krijimi më origjinal dhe më i mirë i letërsisë rumune”. Eminescu është frymëzuar nga një përrallë popullore por liria e tij krijuese ka bërë një poemë të hatashme.

Një studiues gjerman Richard Kunisch, që e ka njohur folklorin e përrallave rumune tregon një variant të subjektit, që u poetizua nga Eminescu.

 Përralla është pak a shumë kështu: ” Një vajzë prej dere mbretërore, e quajtur Katalina, dashuron në mënyrë të jashtëzakonshme Yllin e mbrëmjes, Hiperion. Por edhe Hiperioni bie në dashuri me të. Por qënia njerëzore është e vdekshme. Bukuroshja i kërkon Hiperionit pavdekësinë. Kaq i dashuruar qe Hiperioni saqë shkon tek Zoti dhe i lutet që ta lirojë nga pavdekësia që ai posedonte në mënyrë të përherëshme. E gjitha kjo për hir të vashës që ai dashuron. Pra, Hiperioni është gati për çdo sakrificë që e bën atë madhështor. Por rrethanat ndryshojnë. Katalina bie në dashuri me Katalinin, një shërbëtor në pallatin mbretëror. Zoti i thotë Hiperionit që të shkontë tek një pyll magjik, por ai befas pa me zhgënjim se si të dy të dashuruarit e vdekshëm përqafoheshin. Hiperioni kupton se edhe dashuria është efermere.

 Hiperioni përrallor është personazh me emrin “Luçiferr”, që në shqip do të thotë Mbartës i Dritës. Sipas mitit biblik, Luçiferr ishte kryeëngjëlli më i dashur i Zotit. Por tepër dyshues dhe rebel. Zoti u hakëmorr dhe e rrëzoi nga qiejt në tokë Luçiferrin. Prandaj në mendësitë popullore të popujve, Luçiferri është Ylli që rrëzohet, ose Satanai. Ky mit ka gjalluar tek rumunët.

 Por edhe tek popujt e tejrë të Ballkanit.

 Ndërkohë, Lasgushi nuk e ka ditur se miti i Luçiferrit është ndoshta më interesanti në Europë, pikërisht te shqiptarët, sepse zotëron edhe një toponimi të lashtë të tyre. Krahina e Devollit trashëgon emrin e metamorfizuar siç shënohet në hartat mesjetare të lumit Diabolis. Diabolis lidhet me Djallin, çka është emri sinonimik i Satanait. Madje në skaj të krahinës devollite është edhe sot fshati Zvezda, që do të thotë Yll, ky është një emër sllav. Më parë emri grek ka qenë Selasfor, që pak a shumë do të thotë Dritë Mbartës.

Legjenda shqiptare thotë se pikërisht këtu u rrëzua Luçiferri. Seç kam një mendje se po ta dinte Lasgushi legjendën shqiptare mund të kishte shkruar diçka të hatashme. Por në folklorin rumun heroi qiellor “Luceafarul” ka dhe emrin “Zmeul”, por që jeton si një shpit i gjallë, misterioz dhe i frikshëm në shpella malesh. Ai ka atributin e amorfozës së pamjeve. Mund të marrë forma të ndryshme, herë si një djalë i pashëm por edhe si një yll. Edhe ai ka çastin e rënies në dashuri të menjëherëshme se si një i pavdekshëm mrekullohet me një të vdekshëme. Kur e sheh vajzën, që ajo e tradhëton me një tjetër atëherë atij i pikon loti i parë, që nga fillimi i përjetësisë dhe në dëshpërim të thekshëm e vret vajzën e pabesë në një shkëmb të hedhur nga lart.

 Për Lasgushin kjo zgjidhje lëndore e tematikës, në vetëvetë transcedentale, nuk mund t’i dukej i denjë pikëpamjes së Eminescu-t për artin poetik dhe fatin njerëzor. Idea e një dënimi të tillë në përrallë është diçka tjetër nga figura e Luceafarul, i cili në kulmin e dëshpërimit, megjithatë kupton se gjenia e tij nuk i takon njerëzve të përkohëshëm të trazuar dhe të kapur nga pasionet, por universit të pafat të përjetësisë.

 Prandaj Lasgushi e konsideron këtë hero mitik “si triumfator ideal të disfatës së vet shpirtërore”, që ato të mund të shpëtojnë vetëveten për shkak se jeta tokësore është e kotë, kurse jeta mitike nuk e njeh asnjëherë vdekjen. Kjo është një të menduar simbolik, por ka edhe kuptim alegorik, për të vërtetuar se Gjeniu vetë nuk e njeh vdekjen, pavarësisht se tërë njerëzit janë të vdekshëm.

Por ky Gjeni nuk ka vdekje, me të vërtetë nuk ka as lumturi. Poema e Eminescu-t që për Lasgushit është kënga më e lartë e shpirtit rumun ka një zgjidhje etike çlironjëse.

 Poema ndonëse mbështetet mbi artin e vjeshërimit popullor, prap ka parasysh metrikën karakteristike të artit poetik gjerman. Lasgushi esetikist citon Lenaun, i cili qe edhe poeti i preferuar i Eminescu-t, pa harruar se shumë poetë gjermanë janë përkushtuar në mënyrë sublime artit të rimës.

 Por karakteristike në vjeshërimin Eminescu-kian është edhe rima e formuar nëpërmjet bashkimit të dy fjalëformimeve të ndryshme, njëra prej tyre është një fjalë e plotë dhe tjetra është shkurtuar. Eminescu i jep hov lituizuteteve rimorë. Vjershërimi përbëhet nga idea dhe ritmi. Idea dhe ritmi japin sintezën.

 Lasgushi citon kritikun dhe poetin Al. Valhuja, një ndjekës besnik i Eminescu-t, që thotë se këto arritje tingëllore “kanë qëllim ta bëjnë edhe urithin elefant”. Lasgushi i intereson të ngulë këmbë se ndikimi gjerman i konvertuar nuk mund të shmaget nga Eminescu. Përkthime nga Gëte, Shiler, Hajne, Lenau, Lesing në rumanisht kanë fuqizuar edhe poezinë origjinale rumune. Kështu ka ndodhur edhe në kulturën franceze, dhe Lasgushi vëren se “Molier, Musset, Hygo, La Martine edhe Baudelare, shpesh kanë qëndruar pranë autorëve gjermanë”. Nuk kemi të bëjmë thjesht me gjermanofili. Ndonëse ne kohërat moderne dhe sidomos në shekullin XX Lasgushi e bën një dallim për kulturën rumune se “tani më se shumë se kurrë orientohet nga modeli francez”.

Kapitulli i V-të titullohet “Idealizimi i sundimtarit të Vllahisë, heroit Niksea”. Përsëri ka një rikthim në histori. Heroi Niksea, ishte ai që në Mesjetë i siguroi Vllahisë shtrirjen territoriale më të madhe të vendit. Eminescu në poezinë e tij e idealizon. Krahas ndjenjës së shenjtë të respektit maksimal për të shkuarën rumune, Eminescu ironizon bashkëkohësit e tij të cilët nuk e çajnë kokën fare për lavdinë rumune, sepse kanë kaluar rininë e tyre studentore “në Paris, në bordellot, ku imoraliteti është sheshit”, kur u kthyen në atdhe sollën mee vete ” në vend të dijës, një kuti pomadë”, “në vend të armëve, një bastun xhiroje”, “si kompesim për gjithë pasurinë një pandofël kurtizanësh”. Degjenerimin e shoqërisë bashkëkohore Eminescu e kontraston me tekste poetike që i quan Satira, ndaj është i prirë ta ndriçojë heroin Niksea që karakterizohet nga virtyte shpirtërore dhe fizike. Niksea është ndeshur më Sulltanin e fuqishëm Bajaziti i Parë duke triumfuar. Beteja historike e shekullit XIV është bërë në Krajovë të Vllahisë në një zonë moçalore. Në tekstin poetik të Eminescu-t Bajaziti i Parë shikon në gjumë ëndrrën e themelimit të Perandorisë Osmane. Por kjo nuk përputhet me historinë. Dihet që emri i Perandorisë Osmane lidhet me emrin e Osmanit (1288- 1386). Këto mospërputhje midis historisë reale dhe historisë së poetizuar nuk e shqetëson Eminescu-n. Lasgushi duke hulumtuar arrin të gjejë se legjenda e ëndrrës tek Eminescu nuk është gjë tjetër veçse riprodhimi prej gjermanit Josef von Hammer, i cili është edhe themeluesi i disiplinës së studimeve orientale .

 Hammer tregon një gojëdhënë turke që si një ditë luftëtari Osman shkon për vizitë tek Edebali, një sheik i ditur. Në mbrëmje ai pa të bijën e Edebali, Malhatunën e bukur. Ra menjëherë në dashuri me të, por Edebali nuk ia përmbushi atij dëshirën për dorën e saj. Ndërkohë i tha se ai duhet të ishte bindës në interpretimin e një ëndre në favor të Osmanit. Dhe Osmani e pa këtë ëndërr. I shtrirë për të fjetur, në sytë e mbyllur i vezullohej që nga bota e përtejme kjo ëndërr domethënëse. Ëndrra e tregonte Osmanin por edhe sheikun që ishin që të dy të shtrirë, jo shumë larg njëri – tjetrit. Befas nga kraharori i Edebalit doli Hëna. Kjo Hënë u ngrit sipër, ndenji pezull ca kohë, pastaj Hëna u vetua dhe u fsheh në gjoksin e Osmanit. Që nga ky çast nga kopshtet e tij mbiu një pemë që rritej me vrull të papërmbajtur. Pema hapi degët e saj duke e shtrirë hijen mbi toka dhe dete. Kjo hije mbuloi Kaukazin dhe Atlasin, Taurusin dhe Hemusin, prej andej rrodhën Tigri dhe Eufrati, Nili dhe Isteri. Befas fryu një erë gadhënjimëtare. Ajo i përkuli majat dhe gjethet në drejtim të qytetit të Perandorit Konstandin. Osmani u zgjua nga gjumi, interpretimi i ëndrës qe sundimi i botës prej rracës së lindur prej gjakut të Edebalit dhe Osmanit, që do të realizohej me anë të martesës së Osmanit me Malhatunën e bukur, të personifikuar nga vetë Hëna e plotë.

 Lasgushi është i qartë se duke e krahasuar gojëdhënën e Hammer-it me përpunimin e vargjeve të Eminescu-t konstaton se “pothuajse nuk përmban asnjë ndryshim përveçse ndryshimeve të vogla stilistikore, që kanë si qëllim përshkrimin e tablove të paraqitura në origjinal dhe përshtatjen e tyre me fantazinë e poetit”.

Lasgushi është i informuar për situatat krahasimtare ndaj në këtë pikë është një kritik i saktë.

 Kjo tregon njohuri të thella në dy rrafshe: të kulturës gjermane dhe të kulturës rumune.

Lasgushi e njeh me detaje dhe një variant të një përralle popullore të përpunuar prej Eminescu-t ku ka edhe shmangie edhe ndryshime. Kjo përrallë flet me humor për një ceremoni të dasmës së njerëzve që ka edhe një paralele të dasmës së insekteve, që Eminescu ia bashkangjit dasmës së parë. Edhe një tjetër poezi lirike e Eminescu-t bazohet në imagjinatën folklorike. Në këtë lirikë janë kafshët dhe pemët plot humor që zhvillojnë biseda në lidhje me dashurinë midis njerëzve. Një tjetër poemë romantike e Eminescu-t, sipas studiuesit Lasgush bazohet tek idea e vëllait të vdekur që në rumanisht “shtrigoii”. Ky personazh në besëtytnitë e popullit rumun çohet natën nga varri. Mund të shëndrrohet në ujk, qen etj.

Lasgushi ngulmon se një tjetër poezi e Eminescu-t reflekton tekstin “historia e mrekullueshme e dashurisë së Magelonës së bukur dhe Kontit Petër nga Provanca” të poetit gjerman Ludvig Tievcku.

Gjithashtu Eminescu e njihte edhe motivin e baladës “Leonora” e Byrgerit.

Një nga baladat më të famshme europiane.

Vetë Eminescu kishte përkthyer strofën e parë të kësaj balade dhe kjo gjendet tek dorëshkrimet e tij të pabotuara.

Kapitulli i VI-të “Arratisja në të kaluarën e atdheut: Sarmanul Dionis”. Është një nga kapitujt më të rëndësishëm të studimit lasgushian. Lasgushi ndalet këtu tek koncepti që ka Eminescu kundër dekadencën së erotizmit bashkëkohor, të atij erotizmi, që “kënaq instikte”, që “dy herë në vitë kap edhe shpendët”. Si kundërvënie Eminescu ngre lart një dashuri romantike ideale “që mund të ndodhë vetëm në të kaluarën rumune, të cilën ai e koncepton vetëm në fantazinë e tij”. Sërish Lasgushi i referohet historisë.

Ai ka lexuar shkrimet plot apoteoza të Eminescu-t që e përmend Sundimtarin Aleksandri i I-rë, i cili konsiderohet në shekullin e XV si një qeveritar i madh. Eminescu me një romantizëm sa lirik aq edhe epik i drejtohet kësaj epoke, për t’ia kundërvënë bashkëkohësisë.

Në këtë pikë Lasgushi thekson formimin filozofik të Eminescu-t, që e njeh nga studimet universitare kritikën e Kantin për arsyen e kulluar.

Këtë kryevepër të Kantit, Eminescu nisi ta përkthente në vitet e para të përkthimeve në Vjenë. Atë ai e quante “Bibla e Filozofëve”.

Kanti së bashku me Shopenhaurin ishin dy filozofët botëkuptimformues.

Lasgushi ka lexuar artikuj filozofikë të Eminescu-t disa edhe të pabotuar. Dhe ja shënimi në rrafshin filozofik që bën Lasgushi për mendimet e Eminescu-t për Kantin: “Eminescu, duke u bazuar shumë nga vëretjet e tij filozofik mbi teorinë bazë të Kantit, si dhe lidhur me shqisat, thonë se e gjithë dija jonë ka karakter “a priori” d.m.th që rrjedh nga “konceptet e arsyes së kulluar”: “Në se ne duam të diskutojmë karakterin a priori të hapësirës” – shkruan Eminescu – “kemi gjithmonë mundësinë t’i referohemi argumentit të Kantit nga estetika transcedentale e arsyes së kulluar – “.

Kur Kanti merr në diskutim formën e hapësirës dhe e lidhe këtë me apriorizmin, ai fillon me argumentimin e mëposhtëm: hapësira ekziston apriori. Ajo është një formë subjektive, të cilën ne e nxjerrim nga sendet; meqenëse hapësira është një kusht ekzistence për dukuritë, ajo i paraprin pra çdo dukurie. Nuk do të kishte qenë e mundur të flitej për dukuri bashkëegzistuese pa këtë formë kushtëzuese të hapësirës”.

Mund të thuhet me plot gojën se Lasgushi studius është edhe Lasgush filozof “pa e tepruar në këtë përcaktim”.

Sërish Lasgushi arsyeton për Eminescu-n i cili e mbyll diskutimin e konceptit të hapësirës “duke nxjerrë prej tij përfundimin e idealizmit”.

Eminescu edhe përcaktimin e konceptit të kohës e sheh gjithashtu si një formë subjektive të përceptimit të sendeve dhe “duke provuar apriorinë e saj Eminescu gjithmonë i referohet argumenteve të Kantit”.

Ja pse Eminescu e thekson çështjen pse ne “nuk do të kishim mundur të përceptonim një sekuence dukurish, nëse nuk do të kishim formën a priori të kohës”, e cila është “thjesht një formë e ndërgjegjies time”. Por këto Lasgushi në mënyrë të qartë i quan “spekulime teorike të Eminescu-t” ndonëse këto spekulime kaplojnë dhe zotësojnë narrativën e madhe filozofiko-fantastike “Sarmanul Dionis”, që kanë në mënyrë bazore konstatimin se “koha dhe hapësira nuk ekzistojnë”, si pasojë nuk mund të flitet as për të shkuarën dhe as për të ardhmen por mund të jetohet njëkohësisht në çdo shekull.

Në këtë optikë Lasgushi e zbërthen Eminescu-n. Dionisi i Varfër ka fatkeqësinë të jetojë në të tashmen por ai mendon, ka fantazi. Ky Dionis zhytet në metafizikë. Rezultantja e përllogaritjeve të tij mendore flet se në të vërtetë bota është vetëm një ëndërr në shpirtin tonë. Nuk ka as kohë dhe as hapësirë. Ato janë vetëm në shpirtin tonë. Po kështu edhe pafundësia.

Në të vërtetë nuk ka asnjë të shkuar. Vijueshmëria e kohërave ekziston vetëm, në mendim. Edhe nëse mund të zhytemi në pafundësinë e shpirtit do të arrijme vetm në një shkallë të rrezatimeve të tij.

Modeli Getë-ian i Faustit është një matricë organizuese, pa mohuar origjinalitetin Eminescu-ian. Dëshirën e tij Dionisi i Varfër, e përmbush me anë të një libri të vjedhur, një dorëshkrimi zodiakal.

Ashtu si Fausti që i drejtohet magjisë për të krijuar lidhje me shprirtrat e natyrës, me anë të librit alkimit të Nostradamit që përmban shenja të ndryshme enigmatike, pa harruar dhe pamjen e shenjës së Shpirtit të Tokës (ky i fundit mund ta bëjë atë të lirë dhe të pavarur), po ashtu edhe heroi supersticioz i Eminescu-t kërkon të lirohet nga e tashmja dhe të realizojë dëshirën e tij të zjarrtë për kohën e vjetër.

Dionisi i Varfër shfleton fletët e librit. Papritur ai shikon një shenjë enigmatike, dhe astrologjike, vijat e së cilës “filluan të lëviznin, lëviznin në mënyrë të frikshme”, Dionisi arrin me ngazëllim, ai dëgjon një zë: “Ku duhet të ndaloj?” përgjigjia e kësaj pyetje Dionisit i del nga gjoksi, që i gufon nga gëzimi: “te Aleksandri i Mirë!”. Dionisi iVarfër e ndjen se shpirti i shtegon nga shekulli në shekull. I njëjti shpirt.

Koha e pafundmë dhe hapësira e pafundmë janë të njësuara. “Rrëfimi arrin kulmin me dukurinë transcedentale-historike, të përjetuar realisht. Ka vetëm një ide eterne: Të jetojë në epokën e Aleksandrit të Mirë.

Ai që na intereson në këtë shtjellim është fakti se çfarë mëndon vetë Lasgushi.

Lasgushi jo vetëm i njeh idetë filozofike të Eminescu-t por njeh edhe disa dorëshkrime shumë pak të njohura të tij, të cilat i ilustron me vëretjet e përgjithshme të Kantit mbi estetikën transcedentale, në lidhje me përbërjen subjektive të njohjes shqisore.

Dhe ja citati i Kantit i thënë prej Lasgushit “nëse fshijmë subjektin tonë, ose vetëm përbërjen subjektive të shqisave mun të zhdukej gjithë përbërja, të gjitha raportet të objekteve në hapësirë dhe kohë. Bile edhe vetë hapësira dhe koha, nuk mund të ekzistonin si dukuri në vetëvete per vetë, si dukuri brenda nesh”. Kështu kritiku letrar Lasgushi është njëkohësisht edhe mendimtari filozof.

Akoma më tej Lasgushi jep si shembull romanin në gjermanisht të shkrimtarit Thoma Noul. Titulli i romanit është “Thomas Nebel”. Ky epitet do të thotë “Gjeni i egër”. Është fjala për një personazh që ka fatin e keq të jetojë në një shoqëri që është e papranueshme për të, i cili “ka vetëm një dëshirë, të jetojë në të shkuarën”.

Vetëm e shkuara është periudha magjika e përceptuar në tërësi. Për ta bërë më përmbledhës argumentin Lasgushi trajton edhe romanin e Eminescu-t “Geniu Kustiu”, të botuar për herë të parë pas vdekjes së Eminescu-t në 1904 nga I. Scurtu në bazë të dorëshkrimeve origjinale. Por pse kjo arratisje në të shkuarën? Ç’është kjo monofili e papërballueshmë dhe arkaizuese? A ka kuptim një tendencë e tillë? Si mund të shpjegohet?

Lasgushi mundohet dhe mënton t’i përgjigjet këtyre enigmave që janë përherë pyetësore, dyshuese por edhe ambiguide. Lasgushi mendon se kjo është një formë “për të ringjallur një histori të re”.

Kjo gjë përputhet dhe kja një prirje të njëjtë me frymën e lëvizjes letrare liridashëse “Jungen Deutschland” dhe pikërisht: më shndërrimin e letërsisë në një armë në luftën për ngritjen e popullit nga gjendja aktuale, merret G. Bogdan – Duica, pa u shprehur megjithatë në mënyrë të prerë mbi të vërtetësinë e hamendësimkit në të mirë favor të Gutzkoë-it në “rastin e një imitimi (të romanit të Karl Gutzkoë-it “kalorësit e Shpirtit”, ose të një nxitjeje nga kampi i “Jugen Deutschland” as edhe në rastin e përshtypjeve të drejtpërdrejta të marra mbas vitit 1848 (ndërsa në rumani ishin përhapur lëvizjet revolucionare).

Përfundimi i Doktoraturës është shkruar me pak faqe, por të ngjeshura dhe mund të reflektojme në dy pikëpamje.

Të flasim se çfarë pikëpamje ka vetë Lasgushi për subjektin e tij studimor. Dhe gjithashtu të themi pikëpamjen tonë për vetë studimin e Eminescu-t nga Lasgushi.

Studimi lasgushian siç e kam thënë disa herë është krahasimtar në disa rrafshe: në rrafshin historik, në rrafshin filozofik dhe kulturologjik si dhe në rrafshin linguistik dhe poetik. Këto rrafshe kanë një ndërthurje kaleodioskopike.

Si studiues Lasgushi jo thjesht se fiton një Doktoraturë në një nga universitetet më të famshme të Europës, por si një intelektual shqiptar i shquar arrin të sendertojë dhe shpalosë me një erudicion të lavdërueshëm, përceptimin e një figure fundamentale të kulturës rumune, por në kontekstin e disa kulturave të mëdha europiane siç është kultura gjermane, dhe ajo franceze.

Pra kemi të bëjmë me një subjekt prizmatik ku shumë pasqyra rrotullohen dhe shumë drita kryqëzohen për të bërë paraqitje dhe kulminacione të njohjes.

Doktoratura ne gjermanisht e Lasgushit niste nga një komponente e vetëkuptueshme të kulturës gjermane. Në këtë pikë njohuritë e Lasgushit, parë edhe nga gjendja e sotme e studimeve paraqitet disa herë befasuese.

Por asnjë studiues që e ka gjermanishten gjuhën e tij native mund të mos arrinte rezultatet e Lasgushit. Lasgushi kishte një njohje të pabesueshme të gjuhës rumune dhe së bashku me gjuhën shqipe ai mund të quhej përfaqësuesi i një trilinguizmi. Një gjë e rrallë kjo.

Në këtë hulli Lasgushi mund të krahasohet vetëm me poliglotin Faik Konica, si dhe me Fan Nolin.

Me askënd tjetër në letërsinë dhe kulturën shqiptare.

Lasgushi kërkon të zbërthejë kuptimin historik të një poeti kombëtar rumun siç është Eminescu. Përsëri ai vihet në rolin e një hulumtuesi të ngjarjeve historike. Ai kërkon ti përgjigjet pyetjes: Pse nga numri i madh i Sundimtarëve dhe Princëve rumune Eminescu zgjodhi për të nderuar në poetikën e vet tri figura: Aleksandrin e Mirë, Niksean e Vjetër dhe Stefanin e Madh? Eminescu nuk e bën dallimin midis karakterit fizik dhe legjendar të tyre. Por historia, sipas Lasgushit mund të shpjegojë idetë politike të një poeti. Eminescu mbështetet në konceptin etatist të atdheut rumun si një formulë të ruajtjes, të mosshpërbërjes dhe të zhvillimit të kombit. Lasgushi ngul këmbë “për një rreptësi të sistematikës shkencore të domosdoshme për një hulumtim objektiv”, për të krijuar kështu një sintezë më të besueshme. Lasgushi konkludon me të drejtë se bindjet politikë të Eminescu-t ishin “bindje konservatore”.

Dhe ato janë të tilla, shton Lasgushi se si premisë më parësore të gjitha nocioneve për shtetin Eminescu cakton domosdoshmërine e stabilitetit në një shtet të konceptuar për harmonizimin e interesave të shoqërisë, si një institucion shoqëror – sintetik, përkundrejt lëvizshmërisë së individëve të veçantë në turmën e paorganizuar.

Kështë me vetëkuptimshmëri logjike prej këtej lind parime i monarkizmit juridik, d.m.th i dinastisë së trashegueshme, rrjedhimisht hidhen posht të gjitha idetë liberale: strukturat zgjedhore, republikanizmi dhe kështu me radhë.

Lasgush Poradeci

Dogma e stabilitetit të siguruar e ka shtyrë Eminescu-n të apoligjizojë epokat e tri figurave historike të mësipërme. Eminescu mendon në mënyrë naive se përqarja është gati apokaliptike. Përqarja krahasohet me luzmën e papërmbajtur të shkatërrimit të kosherëve të bletëve. Kjo dogmë e idealizuar e së shkuarës e bën Eminescu-n të rikthehet tek institucionet tradicionale, nëpërmjet një forme qeverisjeje monarkike “pak a shumë absolute”.

Dhe Lasgushi saktëson se Eminescu “nuk ndruhet të flasë për të mirat e absolutizmit, ndoëse nuk duhet të ngatërohet më despotizmin”.

Këtij konkluzioni, që në thelb është një konkluzion tërsisht politik, Lasgushi i kushton vëmendje në mbylljen e tërë studimit të ti shumëplanesh.

Duket sikur kjo mbyllje lë magut shumë gjëra.

Por rezultatet studimore të Lasgushit gjithashtu ngjajnë të padiskutueshme dhe të pa rrëzueshme dot.

Jo më kot, i kam lënë një hapësirë të tillë paraqitjes së tezave, ideve dhe të hulumtimeve të Lasgushit për Eminescu-n. Për mendimin tim studimi i Lasgushit, duke qënë i mirëfilltë shkencor, arrin deri tek forma e një modeli.

Dhe të mendosh që këtë gjë Lasgushi e bëri për poetin më të madh kombëtar të rumunëve.

Ne nuk i dimë diskutimet, apo reçensat e profesorëve në Universitetin e Grazit për Doktoraturën e Lasgushit. Por në disa veçansi Lasgushi ka ditur diçka më shumë se ata. Sepse Lasgushi nuk ishte një student i zakonshëm. Lasgushi kishte mbaruar studime të larta në Bukuresht për Artet Figurative. Ai ka shkruar vetë poema dhe tekste në rumanisht. Ai mbaron studimet për gjermanistikë në Universitetin e Grazit. Nuk vetëkënaqet. Nuk kërkon të vetëmjaftohet. Përkundrazi.

Është nga të paktët studentë shqiptarë të gjysmës së parë të shekullit XX të laurohet edhe si Doktor i Shkencave Filologjike. Një djalosh 33 vjeçar si ai hyn tek të rrallët që dinin kaq shumë ër historinë dhe disa kultura të popujve kryesorë të Europës.

Ai njeh nuancat filologjike, karakteristikat e gjuhëve. Ai njeh filozofinë.

Padyshim dhe “Mbretin e Filozofisë”, Emanuel Kantin. Por një përputhje ndoshta me mirëkuptimin e tij filozofik, Lasgushi kufizohet dhe e shikon Kantin në aspektin e idealizmit transcedental. Kanti e kapërcen realisht këtë përmasë të tij. Dihet që Kanti është një filozof shumë i madh i cili ka edhe përmasën revolucionare të pikëpamjeve të tij, jo vetëm në filozofinë që lidhet me njeriun dhe popujt por edhe me traktatin e tij universal për paqen e përgjithshme që të kujton projektet utopike, pozitiviste dhe frymëzuese të Tomaso Kompanielës dhe Tomas Morit.

Duhet të shtoj se Fan Noli në kryeveprën e tij “The French Revolucion and Beethoven (Beethoven dhe Revolucioni Francez)”, jep një konsideratë shumë të lartë për Emanuel Kantin.

Sidomos për rolin e tij revolucionar “për të prerë në gijotimën e Metafizikës vetë idenë e Idolatrike të Zotit”.

Emanuel Kant ( 1724-1804), në filozofinë e tij vegtektojnë ndikimet e Rusoit dhe të Hjumit. Nga Hjumi mësoi përmes kritikës mbi konceptin e shkathtësisë, ndërsa ndikimi i Rusoit ishte më i thellë. Ai simpatizoi Revolucionin Francez deri në regjimin e Terrorit, besonte te demokracia.

Libri më i rëndësishëm i Kantit është “Kritika e Arsyes së Kulluar”, botuar në vitin 1781. Filozofi i madh anglez Bertan Rusëll ka bërë një klasifikim të hollësishëm dhe sintetik për filozofinë Kantiane. Paralel me Rasëll, Fan Noli hyn dhe bën gjithashtu portretin e Kantit, përtej dogmës metafizike.

Sipas Niçes, Kanti ishte ai që i preu kokën Perëndisë së Metafizikës me gijotinën revolucionare të Arsyes me silogjizmin e tij të famshëm: “Arsyeja njerëzore kupton gjëra, që gjenden në kohë dh hapësirë. Perëndia është jashtë kohës dhe hapësirës, prandaj arsyeja njerëzore nuk mund ta kuptojë Perëndinë”.

Dhe Noli shton, se kur turmat fetare të shteteve gjermane protestuan ndaj këtij konkluzioni Kantian, i urti plak, Kant, e futi përsëri Perëndinë kokëprerë nga deriçka me një silogjizëm të errët dhe u mundua që t’i jepte frymën e një jete të re metafizike, por askush nuk e besoi se këtë e kish me tërë mend.

Kësisoj ai mbeti në historinë e filozofisë si babai i Ateizmit racional.

Noli e mbiquan Kantin, kampion të Revolucionit Frances, “Jakobini i Madh Prusian i Arsyes”, sepse Roberspier, duke ekzekutuar Luigjin e XVI, zhduku një zyrtar të ulët të Mbretit të Madh të Mbretërve, të cilin vetë Kanti e vërtiti nga Qielli i Shtatë në fund të Tartarosit, në Mbretërinë e Arsyes. Për pasojë “Roberspieri ishte ithtar i Kantit dhe Revolucioni Francez ishte thjesht një ngadhërim i Arsyes Njerëzore në qeverisjen e popullit”.

Ky vështrim i guximshëm nolian është krejt i ndryshëm nga ai i vetë Lasgushit kur analizon Kantin mbi kontekstin e botëkuptimit të Eminescu-t.

Natyrisht që Noli as që nuk e ka lexuar dhe as që nuk e ka patur idenë për Doktoraturën e Lasgushit. Por në betejat mendore, apo kontrastet e ideve, dy personalitete shqiptare, Lasgushi dhe Noli pasqyrojnë këndshikime të ndryshme, madje të papërputhëshme.

Nga ana tjetër nuk mund të rrijë pa thënë në mënyrë kriticiste se krijimtaria letrare e Eminescu-t, pavarësisht ndikimeve, është shumë herë më e mëveçëshme se sa edhe karakteri i ideve konvencionale politike, siç është rasti i ideve monarkike.

Dihet që iluministët francëzë, veç të tjerave nuk e përjashtonin nocionin e një “Sundimtari të Ditur”. Teza e iluminimit të ndërgjegjies në drejtim vertikal nga lart derjt masave të paditura poshtë është gjithashtu një ide që buron nga Mesjeta. Ka një karakter mesjanik, që në kohërat moderne zhvleftësohet. Mos të harrojmë se shkrimtarët nganjëherë krijojnë në kundërshtim me prirjet e tyre politke që më shpesh janë rirje të vetëshpalluara, se sa të qënësishme.

Analiza e Engelsit për Balzakun habitërisht edhe sot është gati udhërrëfyese në mendim. Engelsi ka zbuluar se plaku Balzak, si një shkrimtar i jashtëzakonshëm të Realizmit shkroi vepra të pashlyeshme dhe të paharruara ku ironizon, madje edhe stigmatizon përfaqësuesit e vjetër monarkik, ndërkohë që idetë politike të Balzakut qenë ide nostalgjike dhe monarkike. Kjo kontradiktë që ndodh të shqiptarët, mund të kishte një shëmbëlltyrë ndoshta më modeste edhe tek Eminescu.

Zgjedhja e Eminescu-t nga Lasgushi për ta sintetizuar kulturalisht dhe estetikisht mendoj se është më e thellë. Këtu kemi një nga enigmat për të kuptuar vetë Lasgushin. Eminescu është i rëndësishëm për Lasgushin jo thjesht se ai e ka studiuar atë. Eminescu është një Mentor shpirtëror i Lasgushit që në rininë e hershme.

Studimet në Rumani kanë ndihmuar jo thjesht për parapëlqimin. Kanë përcaktuar thellimin në universin e Eminescu-ian, që ka natyrisht një magji dhe forcë shpirtërore centrifiguese. Lasgushi si një poet shqiptar ka një ambicie të pakufijshme. Ka plotësisht të drejtë ta ketë këtë ambicie të pakufijshme. Ka qenë krejtësisht i denjë për këtë lloj ambicie.

Ai ka kërkuar të jetë një metaforë Mesjanike e vetëvetes. Të bëhet Poeti më i madh shqiptar i të gjitha kohërave. Të arrijë lartësitë më të epërme, sepse në një farë kuptimi ai ishte i Zgjedhuri. E them këtë gjë për Lasgushin për shkak të besimit të Poetit dhe konceptet mistike, që për mua janë gjithashtu konvencionale. Por, mistiçizmi ka luajtur një rol kryesor në poetikën lasgushiane.

Doktoratura e Lasgushit për Eminescu-n bëhet në një etapë kulmore. Ai ndërkohë ka shkruajtur poezi të mrekullueshme në shqip. Por në shpirtin e Lasgushit ka përkime të ndritshme, përplasje inkandeshente, vërtitje dritërash dhe terresh, plazmime të guximshme të vetëdijes. Është në një moshë të vrullëshme. Në një moshë që pretendon të paarritëshmen. Në thellësi të shpirtit të tij të trazuar ai shpreh simbolikën në përmasat e përjetësisë.

Dhe libri i tij i parë quhet jo rastësisht “Ylli i Zemrës”. Po pse një titull i tillë? Rastësisht një gjetje kapriçoze? Apo tepër përfaqësuese?

Mos te harrojmë se Lasgushi është vetë “Ylli i Dritës”, në këtë kuptim poezia është miti i një Luçiferri të poezisë. Më shumë se simbolizmin e ngjashëm të Eminescu-t mua një emërtim i tillë më kujton poetin e madh anglez John Milton, i cili në kryeveprën e tij “Parajsa e Humbur” ka si kryepersonazh Luçiferrin, pikërisht “Yllin e Dritës” të rrëzuar nga Zoti, si ndëshkim për rebelimin nga qiejt drejt tokës dhe të thellësirave të Ferrit.

Një konceptim i tillë është një çudi e Miltonit ku rebeli i ndëshkuar pasqyron më tepër Prometeun.

Nga ana tjetër Lasgushi beson në atë që quhet figura sintezë e dy antonimeve, që parapëlqehet edhe nga Eminescu.

Lasgushi më tepër sesa një rebel teologjik, apo një Princ fantazmagorik të Mistikës, lind duke “vdekur”, ose vdes duke “rilindur” si një Poet i Madh i Shqipërisë.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *