Prishtina është duke u përgatitur për të marrë pjesë në turneun ndërkombëtar “Ruhr Cup 2013” që zhvillohet në rajonin e Ruhrit në Gjermani. FC Prishtina U-19 do të përballet në këtë turne së bashku me ekipe nga Gjermania, Anglia, Spanja, Greqia, Rusia dhe kombëtarja U-19 e Kinës U-19. Me skuadrën kosovare do të jetë edhe lojtari i Shqipërisë U-19, Liridon Latifi, i cili gjatë kësaj vere ka marrë pjesë në turne ndërkombëtarë me Borusian e Dortmundit. Talenti i Prishtinës shprehet i kënaqur për ecurinë e përgatitjeve.
“Jemi duke punuar mjaft mirë që të paraqitemi në formën më të mirë në turneun ku do të marrim pjesë, po punojmë me intensitet të lartë”, thotë Latifi për portalin Asport.info. “Dihet që niveli i futbollit tonë dhe i ekipeve që do të marrin pjesë janë larg, por besoj që jemi duke bërë një punë shumë të mirë, për t’u afruar sa më shumë me ta. Le të presim përfundimin e turneut për të parë rezultatet”. Ndërkaq, presidenti Remzi Ejupi ëndërron që skuadra e tij të dalë në finale, por Latifi përgjigjet se në radhë të parë është e rëndësishme paraqitja e më pas rezultatet.
“Synimi im dhe i gjithë skuadrës është të paraqitemi sa më mirë. Të tregojmë lojë të bukur. Për finalen nuk e di, megjithatë do të japim maksimumin që t’ia plotësojmë dëshirën presidentit”. Më tej Latifi komenton edhe turneun me Dortmundin: “Ishte një ndjenjë jashtëzakonisht e bukur të vishje fanellën e Dortmundit. Gjermanët do të na vëzhgojnë edhe në këtë turne me Prishtinën. Në fund të tij mund të flitet më tepër edhe për të ardhmen time”.
