Nga Entela Resuli
Laver Bariu, mjeshtri i sazeve të Përmetit u nda nga jeta ditën e djeshme duke i venë kapakun klarinetës së tij. Megjthëse ustai i gërnetës mbylli sytë në moshën 85-vjeçare, kabaja e tij ka për të jehuar brezave të tërë, pasi një artist si ai, vjen rrallë. Aktiviteti i tij shumëvjeçar me orkestrinat popullore nis në Përmet në vitin 1952 dhe vazhdon i lidhur veçanërisht me Sazet e Përmetit. Fonoteka e Radio Tiranës ruan regjistrimet e para të këngëve me saze të Laver Bariut e deri te krijimet dhe improvizimet e tij në stilet e muzikës popullore. Arti i tij është sjellë në ekran nga Viktor Gjika në filmin “Gjeneral Gramafoni”.
E kush nuk e mban muzikën e këtij filmi, në të cilin Laveri bën edhe rolin e aktorit. Krijimtaria e tij qarkullon në disa albume të prodhuar pas vitit ’90, por si vlera kombëtare ato ruhen në arkivat zanorë albanologjikë. Bariu rrjedh nga një familje muzikantësh të qytetit të Përmetit. Interpretimet e tij shtrihen në harkun kohor 1950-2000. Mjeshtri i sazeve nuk ka mbetur pa u vlerësuar këto vite. Në mars të vitit 2001 ai u dekorua nga Presidenti i Republikës me titullin “Mjeshtër i Madh i Punës” me motivacionin “për mjeshtërinë në interpretimin e vlerave të muzikës popullore dhe përcjelljen në popull të këtyre vlerave”.
Laveri ishte vlerësuar me disa çmime, muzika me saze e Laver Bariut renditet edhe në krye të listës së iso-polifonisë, e përfshirë në UNESCO si, “kryevepër e trashëgimisë shpirtërore te njerëzimit”. Në nder të mjeshtër Laverit, bashkia e Përmetit ka vendosur në bulevard edhe një yll me emrin e tij dhe po ashtu një rrugë mbanë emrin, Laver Bariu.
Rrëfimi
Kanë qenë të rrall rrëfimet e tij në media, por ne kemi kërkuar dhe po u sjellim një pjesë nga jeta e tij treguar nga vetë Bariu: “Në publik njihem me emrin Laver Bariu, por mua më quajnë Laver Bari Nurka. Jam lindur dhe jam rritur në një familje shumë të varfër, ndaj dhe nuk arrita kurrë të arsimohem ashtu si duhet, pra të ndjek shkollat që ndoqën të tjerët. Kam kryer vetëm dy klasë fillore, pra sa për të mos mbetur analfabet (qesh). Familja ime u lidh me Luftën Nacionalçlirimtare dhe dy vëllezërit e mi ranë dëshmorë.
Klarineta e parë
Isha fare i vogël kur dëgjoja me endje të madhe gjyshin tim Nurka, i cili ishte mjeshtër në violinë. Ai ma nguliti në mendje e në shpirt muzikën. Kohë më pas, im atë, Bariu, më mësoi t’i bija lahutës dhe xhezit, vegla këto, të cilat ai i zotëronte vetë shumë mirë. Nuk isha më shumë se 12-13 vjeç kur ia kisha marrë shumë mirë dorën këtyre veglave. Ishim në Korçë në ato kohë. Ndërsa prindërit po mendonin të shpërnguleshin në Përmet, më kujtohet që i thoja tim eti se, nëse nuk më blinte një gërnetë, unë nuk lëvizja nga shtëpia. Ai u detyrua të ma blinte atë, duke paguar pesë napolona. Në Përmet u njoha me shokë të rinj, me lahutierin e Ansamblit të Shtetit, Selim Asllanin, me Sherif Lamçen e Mazar Asllanin, të cilët, megjithëse më të mëdhenj në moshë, më vlerësonin për kërkesat dhe vërejtjet e mia. Së bashku, me punë këmbëngulëse, arritëm të përfaqësoheshim në festivalin e organizuar në Tiranë, në vitet 1951-’52. Pas kësaj, ne do të duartrokiteshim në sa e sa festivale me këngët dhe kabatë përmetare. Këto ishin fillimet e mia.
Familja
Vitet kalonin dhe ja, një ditë, unë u njoha dhe u martova me gruan time, Kanon, që i qofsha falë (qesh). Me të kam tre djem dhe dy çupa, të gjithë të arsimuar e të rregullt, të rritur në atë regjimin e mëparshëm dhe me atë fukarallëkun tim, si të gjithë shqiptarët. Fëmijët i kam të martuar dhe me fëmijë. Kam nipër e mbesa plot. Përveç gërnetës, në Përmet më pëlqente të këndoja edhe këngët e bukura përmetare. Më për zemër kam këngën “A kanë ujë ato burime”. Dhashë ç’munda për vendlindjen time, Përmetin tonë të shtrenjtë. Por ja që, kohët e fundit, kur i kërkova dikujt të më përgatiste një kasetë, që ndoshta mund të ishte incizimi im i fundit, me kabatë dhe këngët e mia, ai më kërkoi ta paguaja. Sigurisht që nuk pranova. “Ke turp apo s’ke”,- i thashë. Unë gjithë jetën jam përpjekur të lë diçka nga krijimtaria dhe djersa ime për brezat, pa menduar për shpërblim. Vetëm para disa vjetësh mora një shpërblim të vogël nga një bankë e Londrës për ca incizime të hedhura në një disk, i cili u realizua nga një etnomuzikolog londinez. Ishte një shumë e vogël, aq sa duket si një përçmim për gjithë atë punë të madhe që kisha bërë.
Edi Rama në Facebook
Ngushëllime për ndarjen nga jeta të artistit të madh Laver Bariu shprehu edhe Kryeministri Edi Rama. Në rrjetion e tij social në Facebook, Rama shkroi: “Laver Bariu sështë më! Talent i madh natyral që meriton sot mirenjohjen tonë për ccna dha dikur me instrumentin e tij… Ngushellime familjes”
***
Artisti emblematik i Përmetit
Nga Xhevdet Shehu
Ikja e një artisti të madh si Laver Bariu krijon gjithnjë një boshllëk që duket sikur nuk do të mbushet kurrë. Në të vërtetë me një artist virtuoz e të lindur të këtyre përmasave nuk është krejtësisht kështu. Sepse ai ka zënë një vend të konsoliduar në pasurinë tonë etnomuzikore, saqë është i palëkundshëm prej aty. Të tjerët që do të vijnë pas tij, mund të shtojnë vlera të tjera, por jo ta zhbëjnë apo mënjanojnë atë. Është një ikje që na trishton e na pikëllon të gjithëve, por kjo nuk do të thotë se tingujt e klarinetës së tij nuk do t’i dëgjojmë më. Jo vetëm se krijimtaria e tij është tashmë e regjistruar dhe e fiksuar përfundimisht dhe përjetësisht nëpër studio, kaseta, video, etj., duke krijuar një repertor unikal dhe emblematik për Përmetin, përmetarët dhe gjithë Shqipërinë e jugut, pork am bindjen se ai do të kujtohet në të gjitha festivalet e mëvonshme, do të nderohet për gjithë atë kontribut që ka dhënë, këngët e tij do të jehojnë nëpër ngjarje të gëzueshme familjare e shoqërore. Ai së bashku me artistë të mëdhenj përmetarë si këngëtari Mentor Xhemali, si skulptori Odhise Paskali, mbetën emblemë artistike e qytetit të trëndafilave. Nuk do të çuditesha sikur portretet e këtyre artistëve të mëdhenj të gdhendeshin në Gurin e Qytetit, pasi në të vërtetë ata prej kohësh janë bërë sinonim i qytetit të tyre të bukur. Kanë të drejtë përmetarët të krenohen me këta artistë të mëdhenj.
Vetë Laveri, sikurse e ka treguar vetë në rrëfimin që po botojmë sot, kishte shumë për zemër këngën e njohur ‘A kanë ujë ato burime’, e cila këndohet me aq zjarr thuajse në të gjitha dasmat e gëzimet tona. Por unë do të shtoja se me klarinetën, por edhe me zërin e tij, u dha shkëlqim të ri shumë këngëve popullore. Fjala vjen, kënga e Çerçiz Topullit është kënduar në qindra variante dhe nga qindra autorë, por ai i filmit ‘Gjeneral Gramafoni’ është pa dyshim një nga më të mirët. Po kështu dhe kënga për Kongresin e Përmetit që vitet e fundit dëgjohej pak dhe u la në hije. Është e pamundur të sjellësh gjithë krijimtarinë e tij brenda pak radhëve. Thuaj Laver Bariu dhe muzika popullore merr një shkëlqim të veçantë. Tingujt e klarinetës dhe të këngëve të tij do të udhëtojnë nga njëri brez në tjetrin duke sjellë më shumë harmoni, më shumë dashuri, më shumë kuptim për jetën…
Fjala mjeshter te gjenerata e virtuozit Bariu, ka qene nje fjale e madhe, ku ndahej nxenesi dhe mesuesi, ku respekti ishte i patjetersueshem me mirnjohjen dhe adhurimin.
Prandaj mjeshtrin Laver Bariu, gjithmone koleget e tij te kohes dhe ata qe u rriten me klarineten e Laver Bariut, e therrismin Mjeshter Laveri, se me kete fjale, permblidhnin te gjithe respektin, per Laver Bariun.
Jeta kjo eshte, vjen dita dhe ndahesh nga kjo jete, por lum ai qe me trup iken ne parajse dhe me punen e tij, eshte i pranishem, tek zemrat e miqve, te artdashesve, qe muziken e mjshtrit, e kendojne me ze dhe nen ze.
Politikanet jane xheloze ndaj artisteve, se artisti nuk vdes kurre, ndersa politikani vdes, pa u kallur ne dhe.
I jemi mirnjohes mjeshtrit Laver Bariu.
I paharruar qofte kujtimi yt i perjetesuar ne vepra te medha muzikore.
Ngushellimi familjes dhe te afermve per humbjen e njeriut te dashur qe i dha kaq shume folkut shqiptar.
Ustai i madh i Permetit! Do mbetet gjithmone i paharruar. Te qofte dheu i lehte. Sapo shkarkova nga I Tune Store albumin e plote te Laver Bariut: Songs from the City of Roses. Kjo do me ndihmoje ta degjoj sa here te kem deshire. Me ka pelqyer gjithmone gerneta e tij. Sikur ka brenda te gjithe shpirtin romantik te Permetit. Ka shume jete dhe ndjenje ne interpretimet e tij.