Ultimatumet për çështjen e Kosovës janë të papranueshme, është shprehur dje ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov. “Ne e mbështesim politikën, që udhëheqësia e Serbisë e zhvillon për Kosovën”, u tha gazetarëve Sergei Lavrov, dhe shtoi se pozicioni i Serbisë “korrespondon me parimet kryesore të Aktit Final të Helsinkit, që nënkupton se zgjidhja e të gjitha problemeve duhet të arrihet me marrëveshje reciproke”. Lavrov, siç raporton më tutje agjencia Itar-Tass, ka kujtuar se kur Bashkimi Evropian fillimisht i ndërmjetësoi takimet Beograd – Prishtinë, me qëllim arritjen e çfarëdo vendimi të pranueshëm reciprokisht, Rusia e ka përshëndetur pozicionin e saj. “Ne e kemi mbështetur rezolutën përkatëse të Asamblesë së Përgjithshme, që i miratoi përpjekjet për ndërmjetësim”, tha Lavrov. Ai konsideron se “as rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme, që përcakton parametrat e bisedimeve, e asnjë dokument tjetër, nuk paraqesin ndonjë provë se ultimatumet janë të pranueshme”. /REL