Kokainë dhe marijuanë që furnizonte Italinë dhe vendet e Evropës dhe që vinte përkatësisht nga Lazarati. Policia italiane ka vënë në pranga të martën mbrëma 15 vetë, mes të cilëve dy italianë, një rumun dhe 12 shqiptarë, për të cilët u dha edhe masa e arrestit me burg.
Për katër persona, mes të cilëve një grua me origjinë bullgare, u vendos masa e arrestit shtëpiak, ndërsa janë 18 vetë të arrestuar më parë nga policia, në raste të ndryshme, por të lidhur me po të njëjtën ngjarje. Ndërkohë mediat italiane raportojnë se është sekuestruar një total prej 750 kilogramësh marijuanë, rreth 5 kilogramë kokainë dhe katër pistoleta.
I emërtuar “Daku”, sipas mbiemrit të personit që cilësohej si kreu i bankës, një shqiptar 27-vjeçar që banonte në Terni, operacioni u drejtua nga agjentë të antidrogës italiane, por në bashkëpunim edhe me policinë shqiptare.
Sipas policisë, droga sillej nga Shqipëria dhe pikërisht nga zona e Lazaratit në rrethin e Gjirokastrës. Lënda narkotike lëvizej me sasi të mëdha që arrinin edhe në 300 kilogramë për çdo udhëtim. Ajo mbërrinte fillimisht në Bari, e fshehur në goma të kamionëve ose në gomone të mëdha që e shkarkonin lëndën narkotike në brigjet pulieze. Pasi mbërrinte në Itali, përmes njohjeve me lokalët, droga dërgohej më pas në një banesë ku përpunohej dhe shpërndahej në tregje të ndryshme kombëtare e evropiane, por veçanërisht drejt Ternit, Narnit, Romës, Firences, Pezaros dhe Milanos, por edhe në Angli e Holandë.
Hetimet, sipas deklaratës së dhënë mëngjesin e së mërkurës nga policia, kanë nisur që në maj të vitit të kaluar, pas arrestimit nga ana e policisë të një sipërmarrësi të vogël. Atij iu gjetën 8 paketa kokainë me një peshë prej 44,8 gramësh. Nga ai sekuestrim u identifikua edhe furnizuesi i drogës, i cili ishte një i ri napolitan, që qëndronte prej vitesh në Terni dhe që merrej me shpërndarjen e kokainës në qytetet e mëdha falë kontakteve të veta dhe frekuentimit të vazhdueshëm të një palestre në qendër. Në atë kohë ai furnizohej nga një 27-vjeçar shqiptar dhe nga vëllai i tij.
Hetimet e mëtejshme i bënë agjentët që të zgjeronin rrethin e personazheve të përfshira në shpërndarjen e drogës, duke monitoruar vazhdimisht edhe lëvizjen e dhjetëra qytetarëve të tjerë shqiptarë. U zbulua se grupi kishte caktuar një vend ku vendoste strategjitë e merkatos. Në vendin e takimit policët kishin instaluar mbi një pemë një telekamerë dhe mikrofonë, duke bërë të mundur kështu regjistrimin e bisedave të shpërndarësve të dyshuar të drogës dhe duke identifikuar të gjithë anëtarët e bandës dhe aktivitetin e tyre.
Mes 15 të arrestuarve të djeshëm, dy shqiptarë u arrestuan në Leçe dhe në Siena, ndërsa në Terni, gjatë kontrollit të banesës u sekuestruan 27 000 euro kesh.
Operacioni i zhvilluar në korrik nga policia shqiptare në Lazarat, e cila çoi në arrestimin e pesë trafikantëve, ishte si pasojë e të dhënave që i kishte siguruar policia italiane.
hallall daku