Lazarati, “luftë” edhe me median, merren peng gazetarët dhe u digjet makina

anazapta

Aksioni i policisë në Lazarat i ka irrituar kultivuesit dhe trafikantët e marijuanës, të cilët kanë sulmuar edhe makinat e medias. Makina e grupit të xhirimit të A1 Report është qëlluar me breshëri automatiku nga trafikantë të maskuar dhe të armatosur rëndë. Sipas raportimeve të gazetarëve, ata kanë dalë nga makina, por janë mbajtur peng për rreth 15 minuta nga trafikantët, të cilët kanë qenë të maskuar. Ka qenë ndërhyrja e banorëve të zonës ajo që ka siguruar lirimin e gazetarëve, ndërsa grupi i armatosur është larguar pasi ka djegur makinën e A1 Report.

“Na kanë nxjerrë nga makina, dhe na kanë mbajtur 15 minuta peng, por fatmirësisht nuk kemi dëmtime falë edhe ndërhyrjes së banorëve të Lazaratit. Na kanë mbajtur të izoluar. Është qëlluar edhe automjeti ku po udhëtonim. Në momentin e parë na është afruar një person, dhe brenda pak minutave kemi parë 4 persona dhe në momentin që po ndërronin karikatorin kanë ndërhyrë banorët që kanë shpëtuar”, thanë gazetarët pak pas ngjarjes. Grupi i televizionit A1 Report më pas është marrë nën mbrojtjen e policisë dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

 

***

PS: Liria e medias është cenuar seriozisht

Partia Socialiste reagoi pas lajmit se një grup xhirimi i televizionit A1 Report është sulmuar në Lazarat.

Deputeti Alfred Peza, nënkryetar i Komisionit të Medias, tha se liria e medias është cenuar seriozisht.

“Lazarati është bërë sot jo vetëm një çështje e shoqërisë shqiptare, Policisë së Shtetit dhe drejtësisë, por edhe kufiri ndarës i së drejtës universale për lirinë e informimit.

Liria e medias, ruajtja e jetës dhe integriteti profesional i gazetarëve, është një nga fitoret më të mëdha të pluralizmit të vështirë post komunist në Shqipëri.

Media dhe gazetarët po fitojnë dhe po zgjerojnë çdo ditë e më shumë, gradët e tyre të lirisë në raport me qeverinë, shtetin dhe të gjitha pushtetet.

Por, kjo liri sot është cenuar seriozisht, si kurrë më parë në këto vite lirie, në Lazarat.

Partia Socialiste, dënon ashpër aktin e rëndë kriminal të një grupi banorësh të këtij fshati të cilët kanë ndaluar, kanë marrë peng dhe kanë goditur nëpërmjet dhunës verbale dhe grykës së armëve, një grup gazetarësh të televizionit A1 Report, që ndodheshin në Lazarat për të kryer misionin e tyre. Më pas, këta persona, kanë shkatërruar dhe i kanë vënë flakën mjetit me të cilin udhëtonin punonjësit e medias.

Grupi i punonjësve të televizionit, ishte atje, në mes të ditës, në mes të fshatit dhe me një makinë me logo të dukshme të televizionit, për të ndjekur dhe pasqyruar operacionin e Policisë së Shtetit kundër mbjelljes, trafikut të drogës dhe personave me precedentë penalë në këtë zonë.

Partia Socialiste, përshëndet dhe falënderon të gjithë ata banorë të fshatit Lazarat që u distancuan nga kjo ngjarje e rëndë, duke shkëputur nga thonjtë e kriminelëve punonjësit e televizionit A1 Report duke garantuar paprekshmërinë e jetës së tyre dhe shenjtërinë e profesionit të gazetarit,” tha Peza.

 

 

 

 

 

Share This Article
2 Comments
  • BANDITET E LAZARATIT JANE VEPER E INKUBATOREVE TE SALI BERISHES.

    Ashtu sic projektoi dhe shpiku PIRAMIDAT financiare ne vitin 1996 pasi hypi ne pushtet ne vitin 2005 per here te dyte i dha teren ne Shqypni kanabisit dhe droges nderkombetare duke e transformuar Vatanin si nje Afganistan ne Ballkan apo si nje Kolumbi ne kerrthize te Evropes.
    E gjithe shoqeria shqyptare duhet te ngrihet ne kembe kunder ketij fenomeni te rrezikshem qe po mban peng vendin tone per t’u bere antare e BE demokratike dhe qe i ka vene DAMKEN shqyptareve ne Bote si njerez prehistorike me bisht nga prapa.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *