Le Figaro: Thaçi mund të akuzohet nga Gjykata Speciale

redaktor

Sipas së përditshmes franceze, Le Figaro, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, mund të akuzohet nga Gjykata Speciale për Krime Lufte ndaj të burgosurve serbë dhe romë.

“I zgjedhur më 26 shkurt nga Parlamenti i Kosovës, 47-vjeçari Hashim Thaçi mund të preket nga themelimi i Gjykatës Speciale në Hagë, si përgjegjës për krimet e kryera nga shqiptarët në Kosovë, ku ai ishte një nga komandantët, i njohur si ‘gjarpri”, shkruan Le Figaro.

“Presidenti Hashim Thaçi, i cili e merr detyrën në prill, është përfshirë në raportin e Këshillit të Europës më 2010, të krijuar nga parlamentari zviceran Dick Marty.

Ai beson se Thaçi udhëhoqi trafikimin e organeve të 500 të burgosurve serbë dhe romë nga shqiptarët. Sipas dëshmive të mbledhura nga misioni i Dick Marty, të burgosurit ishin dërguar në vendin fqinj, Shqipëri, për t’u ekzekutuar, dhe organet e tyre u ishin shitur klinikave të huaja”, shkruan Le Figaro, duke thënë se raporti specifikon edhe ekzekutime dhe rrëmbime ku përfshihen oponentë të Thaçit.

Presidenti Thaçi i ka thënë agjencisë France-Press, se ‘nuk ka asgjë për të fshehur’. Le Figaro shkruan se gjithçka mund të komplikohet, pasi shumë dëshmitarë mund të jenë ish-anëtarë të UÇK-së. Si pjesë e kësaj procedure si dëshmitar mund të thirret Bernard Kouchner.

Si përfaqësuesi i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Kosovë prej 1999 deri më 2000, Kouchner rregullisht ishte akuzuar se kishte mbyllur sytë në krimet e kryera nga UÇK, shkruan Le Figaro.

‘Nuk mund të them se Kouchner-i e dinte për trafikimin e organeve, por është e pamundur që ai të mos kishte informacione për organizatat kriminale në Kosovë”, citohet të ketë thënë si komandanti i policisë së UNMIK-ut, Stu Kellock.

Bernard Kouchner vazhdimisht ka hedhur poshtë akuzat. Më 2010 ai e kishte quajtur të çmendur një gazetar serb që e kishte pyetur për një çështje të tillë.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *