Gjykata e Vlorës dënoi dje me burg dy ish-drejtues të lartë të ALUIZNI-t, të cilët akuzoheshin se legalizuan në kundërshtim me ligjin, hapësira publike në zonën e njohur “Tre Racat” në këtë qytet.
Pas hetimit dhe pretencës së Prokurorisë një javë më parë, gjykata ka shpallur fajtor dhe ka dënuar me 1 vit e 6 muaj burgim ish-drejtorin e ALUIZNI-t, Roland Tafilaj, dhe me 1 vit burgim ish-përgjegjësin e Sektorit të Urbanizimit të këtij institucioni, Besnik Zërra, të dy të akuzuar për “shpërdorim detyre”. Prokuroria kishte kërkuar në pretencë dënimin dyfish nga ai që gjykata dha ditën e djeshme. Mësohet se për të njëjtën çështje, ndërtimet pa leje në zonën e “Tre Rracave”, po akuzohet dhe gjykohet kryebashkiaku Shpëtim Gjika, një vartëse e tij dhe dy investitorët e pallateve. Kurse avokatët mbrojtës kërkuan pafajësinë e klientëve të tyre, duke pretenduar se nuk kanë kryer asnjë shkelje dhe se aty ishte ndërtuar në bazë të një leje ndërtimi të dhënë nga autoritetet. Avokatët pritet ta dërgojnë vendimin e Shkallës së Parë në Gjykatën e Apelit.
Masa dhe shkeljet
Gjithashtu, gjykata ka dhënë për dy ish-zyrtarët e lartë të ALUIZNI-t Vlorë, dënim plotësues me heqjen e së drejtës për të ushtruar funksione publike për një afat prej 3 vjet, siç e parashikon edhe Kodi Penal. Të dy të pandehurit Tafili dhe Zëra u akuzuan nga prokuroria më 28 mars të këtij viti se kanë kryer në kundërshtim me ligjin dhe aktet nënligjore dhe në mospërmbushje të rregullt të detyrës së tyre, kualifikimin për legalizim të tre objekteve infomale dhe të parcelave ndërtimore, në emër të pronarëve pretendues M. Tartari, A. Ahmataj dhe A. Ferati, të ndodhura në vendin e quajtur “Tre Racat”, duke lejuar më pas edhe vazhdimin e procesit të legalizimit.
Gjithashtu, është kualifikuar dhe dërguar për miratimin në Këshillin e Ministrave praktika e objektit dhe parcelës informale në emër të shtetasit G. Feta, pa verifikuar me parë nëse plotësoheshin kushtet për legalizim, pa u plotësuar aktet e konstatimit të gjendjes, në fakt dhe të aktit të kualifikimit të objektit për legalizim.
