Ndërkohë në kuvend miratohet një amnisti tjetër për rivlerësimin e pronave i cili do të jetë me 1 për qind taksë deri më 31 Tetor. Në këtë mënyrë të gjithë ata që kanë një pasuri të paluajtshme, do të kenë mundësinë ta rivlerësojnë atë me çmimet aktuale, duke paguar vetëm 1 për qind të diferencës. Qeveria i është rikthyer faljes fiskale të zhvilluar në vitin 2011-2012 dhe që prek vetëm pjesën e rivlerësimit të pronave. Kuvendi miratoi gjatë seancës së rradhës me procedurë të përshpejtuar aktin normativ të qeverisë, ku është sanksionuar se qytetarët mund të bëjnë rivlerësim të pasurisë së paluajtshme, duke lënë në dispozicion një afat 6-mujor. Argumenti kryesor për rikthimin e zbatimit të një pjese të ligjit për faljen fiskale është dhënia e një mundësie të re për të interesuarit dhe kryesisht pritet të përfitojnë emigrantët që jetojnë jashtë vendit, por që disponojnë një pronë në Shqipëri. Kjo do të bëjë të mundur që individët të rivlerësojnë shtëpitë apo pronat që kanë, me çmimin aktual, duke paguar në vend të 10 për qind të diferencës, vetëm 1 për qind të saj. Një nismë e tillë erdhi si kërkesë e Ministrisë së Financave, e cila ka konsideruar këtë të nevojshme meqenëse përgjatë faljes fiskale rivlerësimi i pasurive ishte pjesa më e suksesshme e zbatimit të saj. Nga ana tjetër falja fiskale dhe legalizimi i aseteve, nëse dështoi për biznesin duket se për pasuritë e paluajtshme ka një rezultat tjetër. Të paktën kjo konfirmohet sipas të dhënave nga Ministria e Financave. Në fund të 15 muajve të procesit, rezultoi se mbi 70 mijë ishte numri i pasurive të paluajtshme që u rivlerësuan më vlerën e tregut në të gjithë vendin. Sipas burimeve zyrtare nga Ministria e Financave, shuma totale e rivlerësimit të këtyre pronave arriti në rreth 3 miliardë lekë. Numrin më të madh të këtyre rivlerësimeve e kishin qytetet e Tiranës, Durrësit, Korcës dhe Fierit. Të gjithë qytetarët, të cilët bënë rivlerësimin, paguan vetëm 1 për qind diferencën mes vlerës së tregut dhe vlerësimit të vjetër të pasurisë. Ishte mesi i vitit 2011, kur ligjvënësit kuvendorë miratuan ligjin e faljes fiskale, në pamundësi për të miratuar një amnisti të plotë. Ky proces ishte parashikuar të fuste në tregun shqiptar një kapital të ri, të padeklaruar më parë, për t’i dhënë një ritëm të ri ekonomisë së vendit. Pavarësisht se procesi zgjati pothuajse një vit, biznesi nuk shfaqi shumë interes për këtë ligj dhe kjo mungesë interesi u argumentua me mungesën e garancive të duhura ligjore. Pavarësisht interesit të ulët nga bizneset, një nga pikat që rezultoi e suksesshme ishte ajo e rivlerësimit të banesave ndaj edhe qeveria në përfundim të afatit të parë që ishte fundi i marsit të vitit 2012, vendosi të ndërmarrë një shtyrje tjetër, vetëm për pjesën e pasurive të paluajtshme. Kjo shtyrje, deri në muajin gusht 2012, u argumentua si një mundësi tjetër për përfitimin e emigrantëve, të cilët do të vinin në Shqipëri për sezonin turistik dhe njëkohësisht mund të përfitonin rivlerësimin e pasurive të tyre, por duket se ka dhënë një mundësi për pasuritë e paluajtshme dhe rivlerësimin e tyre.