Ndënë Labovë-në ca shelgjishte,
ku kthehet rruga si një brryl,
derdhet me nge nëpër zallishte,
një çezmë e vogël-një curril.
Ç’më ngjan se nga çezmë e mermertë,
burojnë këngë dhe legjenda,
nga buzët tërë myshk të blertë,
rrjedhin currilat e argjenda.
Dhe ngrenë harqe prej ylberi,
dhe qeshen-si qeshje fëmije,
përplasen ujërat tek mermeri,
si mërmërima dashurie.
Shpalosen valëzat mbi valë,
dhe treten tutje-në shelgjishte,
legjenda fletët hap ngadalë,
shtruar-si këngë pleqërishte.
S’dihet ç’ka qenë-veç ishte natë,
kur nëpër ujërat e një gjoli,
u hodh një shamizezë e ngratë,
një kallogre-e më nuk doli.
Dhe gjoli ujëturbulluar,
u tha-sa sytë hap e mbyll,
nga toka-duke ligjëruar,
rrodhi më pas veç një curril.
Për historinë e padëgjuar,
si vetëtimë u përhap kënga:
“E piu gjolin-për të shuar,
zjarrin e madh që kish përbrënda!”
Ish zemra vrer e kallogresë,
në manastir rininë e ngrysi,
e dënoi koha-pleh të vdesë,
shtatzënë jetën e braktisi…
Tregojnë se në këto vise,
shtegtar-një mjeshtër i përmëndur,
sa herë mermerin e qëndiste,
shpirtin e vet thua kish gdhëndur.
E dashuroi ai me zemër,
vashëzën Rinë-yll bukurie,
të dy jetuan si në ëndërr,
ca ditë të zjarrta dashurie.
Po ja që ëndrra-mbeti ëndërr,
gjithë jetën s’mund t’u ndriste ylli,
ligji i zi i asaj kohe,
në manastir Rinën e mbylli.
Rina e bukur lulenjomë,
u tha-u vyshk-si lulethatë,
dhe për mëkatin e pabërë,
duhej të lutej ditë e natë.
Dhe prifti-shërbëtor i zotit,
kur mallkoi djalin mëkatar,
harroi mësimet e Ungjillit,
dhe mëkatoi përmbi altar.
Mjeshtri djalosh u fsheh në pyll,
s’largohej dot nga sytë e Rinës,
kur hëna fshihej prapa reve,
shkonte dhe e kërkonte tinëz.
I lutej djali kallogresë,
ta merrte larg-në vend të tijë,
po s’dinte brengën e së resë,
me priftin priste një fëmijë.
E gjora Rinë-që s’desh t’i zgjonte,
një brengë të re djalit në shpirt,
prift e altar duke mallkuar,
në gjol të zi shoi e u mbyt.
O-ç’e kërkoi djaloshi vashën,
dhe me pëllëmbë e mati pyllin,
mos ma pe Rinën-i thosh hënës,
mos ma pe Rinën-i thosh yllit?!
Jo-s’e kam parë përgjigjej hëna,
ca kohë kam-që dal vonuar,
po pyet Yllin e Mëngjesit,
që ndrin mes reve-i pashuar.
Më kot mundohesh-ti më kot,
me gjuhë drite ylli foli,
Rinën-që ti e deshe fort,
një natë e përpiu gjoli.
Për kallogrenë-si qiriri,
ai u dogj e kulloi gjak,
gjeti mermer nga më i miri,
dhe e punoi për merak.
Dhe gdhendi një kokë fëmije,
dy buzë të njoma-të rubinta,
andej-si lot dashurie,
pikonin ujërat e florinjta.
Koka e foshnjës ujërat i ndriti,
për kallogrenë më s’u fol,
njeri s’mësoi se brenga rriti,
trupin e njomë ndënë gjol.
Për foshnjën-ah-s’dinte njeri,
u tret pa lindur nëpër baltë,
mjeshtri i panjohur-për çudi,
kokën e sa gdhendi me daltë.
Kjo kokë memece s’bëzan dot,
do drithëronte gurë e plisa:
“Në shpirt i mbushur brenga plot,
pa lindur jetën e braktisa!”
Sa kohë shkoi-e sa do shkonte,
dhe gjoli një fëmijë rriti,
i çau baltërat-të dënonte,
plehun e kohës që e mbyti.
Sot përkëdhelin-si t’i zgjonin,
fëmijët tanë-buzët e blerta,
po dhe ato mund të lodronin,
dikur-mes harqesh të ylberta.
Tiranë, Dhjetor 1974
Botuar në Dita, 13 Maj, 2016

E lexova ngadalë. U mallëngjeva. Ca pika loti më rrodhën. Ngjarje tragjike. Çfarë force ka fjala e një mjeshtri të fjalës. I pa vdekshëm do jesh Arben Duka
Duket nje legjende ne kufi te antikitetit pagan dhe mesjetes se krishtere! A ndoshta edhe ngjarje e vertete!?